E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten interesat, qeveria reagon me borxh afatshkurtër

Interesat në tregun e letrave me vlerë janë rritur, por qeveria shqiptare ka reaguar duke rritur peshën e instrumenteve me afat të shkurtër maturimi. Sipas Ministrisë së Financave, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2011 në tregun e brendshëm primar interesat e letrave me vlerë të Qeverisë kanë patur tendencë rritëse. Por, megjithatë, norma mesatare e ponderuar e portofolit të letrave me vlerë të Qeverisë është ulur në 8.05%, nga 8.43% që ishte në fund të vitit 2010, sepse qeveria ka emetuar më shumë instrumente borxhi afatshkurtër. Borxhi afatshkurtër, me afat maturimi më pak se një vit, zë rreth 57% të totalit të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. Përsa i takon borxhit të jashtëm, duket se tendenca e kostove nuk është pozitive. Dy normat bazë, Libori për dollarin amerikan dhe Euribori për euron, kanë ndjekur një tendencë rritëse, gjë që do të japë ndikimin e vet në shërbimin e borxhit të jashtëm. Pjesa më e madhe e borxhit të jashtëm të Shqipërisë, rreth 58%, është në euro. Euribori me maturim 12-mujor qëndron aktualisht pranë nivelit 2.1%, ndërkohë që në fund të vitit 2010 ishte 1.5%.Në fund të Qershorit, stoku i borxhit publik arriti në 751.5 miliardë lekë, duke u rritur me 5% në krahasim me nivelin e tij në dhjetor 2010. Huamarrja totale përbëhej në masën 58% nga borxhi i brendshëm dhe 42% nga borxhi i jashtëm. Kreditori kryesor i qeverisë shqiptare vazhdon të jetë Raiffeisen Bank. Banka më e madhe depozituese në vend mban rreth 34% të borxhit të brendshëm, por megjithatë pesha e saj në treg ka rënë në vitet e fundit. Deri në vitin 2008, Raiffeisen zinte afro 37% të tregut të brendshëm të letrave me vlerë. Bankat e tjera zënë së bashku 36.5% të tregut, ndërkohë që individët zënë 11.7%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›