E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i ilegalëve

Aksioni për heqjen nga qarkullimi të taksive dhe furgonëve, të cilët operojnë ilegalisht, është duke vazhduar. Inspektorët dhe policia e kanë intensifikuar punën për eliminimin e tyre. Vetëm në dy muajt e fundit të vitit të kaluar janë shqiptuar 145 dënime për operatorët ilegalë. Ndërkaq, aksioni për këtë vit do të vazhdojë deri më 19 shkurt. Nga Lirita Halili më 24 janar 2011 në ora 11:57

Aksioni po vazhdon. Policia në bashkëpunim me inspektorët komunalë janë duke punuar intensivisht për eliminimin e ilegalëve. Ka muaj që këto dy institucione janë duke u përpjekur të heqin nga qarkullimi automjetet dhe furgonët që punojnë ilegalisht nëpër Prishtinë.

Qysh në nëntor të këtij viti, Drejtoria e Shërbimeve Publike(DSHP), Inspeksioni Komunal si dhe Njësia e Trafikut Rajonal të Prishtinës kanë nisur një aksion për largimin e taksive ilegale. Gjatë asaj kohe, ata patën premtuar se do të jenë më rigorozë ndaj operatorëve ilegalë. E përveç kësaj, patën thënë se të gjitha taksitë që qarkullojnë në mënyrë ilegale, do të dënohen edhe me gjoba. E ky aksion është duke vazhduar edhe tash. Gjatë këtyre ditëve, prania e policisë dhe e inspektorëve të Komunës së Prishtinës vërehet nëpër çdo stacion ku ndalojnë këto taksi.

Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës, thotë se përveç i suksesshëm, aksioni kundër ilegalëve është duke vazhduar dhe do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. “Aksioni po ecën mirë, me sukses dhe besojmë që suksesi do vërehet edhe më shumë gjatë ditëve të ardhshme. Aksioni do të vazhdojë deri në zhdukjen e tyre”, pohon Gashi për Express.

Madje, sipas Gashit, pos makinave të vogla, të cilat lëvizin lirshëm edhe pa leje nga komuna, në aksion po përfshihen edhe furgonët e autobusët që mbajnë linja për të cilat nuk janë të licencuar. “Përveç këtyre, inspeksioni po i trajton edhe ata autobusë që vijnë nga qytetet e tjera, e të cilët nuk janë të lejuar ta bëjnë një gjë të tillë”, sqaron Gashi, sipas të cilit operatorët ilegalë nuk kanë shpëtuar as nga gjobat. Ai thotë se gjatë ditës atyre u janë shqiptuar numër i konsiderueshëm i dënimeve. “Kurse operacioni për largimin e operatorëve ilegalë nga rrugët e qytetit do të jetë i përhershëm dhe do të punohet në dy ndërrime”, u shpreh zëdhënësi Gashi.

Driton Morina, shef i Operatives, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, thotë se policia i ka statistikat e shqiptimit të gjobave për operatorët ilegalë vetëm për vitin e kaluar. “Vetëm gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit që lamë pas, kur ka nisur aksioni, ne kemi shqiptuar 145 dënime për furgonët e taksitë ilegale”, tregon Morina për Express. Ndërkaq, sipas tij, statistikat e dënimeve për këtë vit do të bëhen publike, kur të përfundojë aksioni. “Kemi filluar më 17 janar e do të përfundojmë më 19 shkurt. Pas përfundimit do ta përgatisim raportin dhe do të prezantohen të gjitha gjobat”, pohon Morina.

Por, edhe përkundër impenjimit të komunës dhe policisë, ky aksion për qytetarët e Prishtinës sa është pozitiv, po aq është edhe negativ.

Nijazi Abazi nga Prishtina thotë se ana pozitive e këtij aksioni është ndihmë e madhe për Trafikun Urban. “Kjo do t’i ndihmojë edhe kësaj kompanie për pagesën e punëtorëve me rregull, pasi që siç kam dëgjuar, punëtorët e kësaj kompanie paguhen shumë pak dhe jo me rregull”, tregon Abazi për Express. Por, ai thotë se aksioni në fjalë do të ketë edhe anën negative të tij. “Sepse ne do të duhet të presim shumë gjatë për autobusët lokalë që zakonisht nuk janë të saktë dhe gjendja e tyre teknike nuk është e lakmueshme”, pohon Abazi. Megjithatë, ai ka një shpresë. “Ndoshta ky aksion do të bëjë që ilegalët të largohen, e njëkohësisht të rregullohet gjendja e autobusëve dhe orari i tyre”, tha ai.

Sidoqoftë, punonjësit e “Trafikut Urban” po vazhdojnë me kërkesat e tyre, njëra ndër të cilat është lirimi i kryeqytetit nga operatorët ilegalë. Ata vitin e kaluar patën hyrë në grevë për pakënaqësitë e tyre. Por, edhe pas premtimeve të marra, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk kanë marrë rroga fare gjatë muajve të fundit të vitit e kaluar. Ata patën deklaruar se nëse nuk rregullohet çështja e rrogave dhe eliminimi i ilegalëve, deri në fund të muajit janar të këtij viti, punonjësit e ndërmarrjes do të detyrohen t’i futen prapë grevës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›