E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i largët

Nga Bekim Greiçevci & Shpend Limoni më 16 mars 2011 në ora 08:40

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, fatkeqësisht, do të zgjasë disa vite. Qëllimi është normalizimi i raporteve dhe njohja reciproke. Beogradi preferon ndarjen e Veriut. Palët mund të shkëmbejnë territoret nëse pajtohen mes veti. Dialogu i filluar, me presion të BE’së, do të prodhojë rezultate për çështje të lehta. Më vonë u vjen radha çështjeve të vështira. Marko Prelec, Drejtor i Programit të ICG’së për Ballkanin, flet për Express.

Express: Z. Prelec, a mendoni se Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje për ndonjë nga çështjet në dialogun që po mbahet në Bruksel?
Prelec: Po. Mendoj se po. Ata kanë filluar me çështje që ata, ose së paku Robert Cooper, mendon se mund të ketë marrëveshje. Ndoshta jo në gjithçka. Shumë nga çështjet që janë në tavolinë janë çështje të marra. Janë çështje që është dashur të zgjidhen shumë kohë përpara. Nuk ka arsye të qëndrueshme Serbia që të mos lejojë njerëzit nga Kosova të mos udhëtojnë përmes Serbisë me dokumente të Kosovës, targa të automjeteve. Mendoj se të gjitha shtetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën e lejojnë këtë. Këtë gjë Serbia e bën vetëm për të rritur presionin ndaj Kosovës, por nuk ka arsye parimore. Ka shumë gjëra si kjo. Pastaj ekziston një lloj kategorie e gjërave ku mund të shihet origjina e mospajtimeve, por ku ka rrugë për zgjidhje ose kompromis relativisht të lehtë. Ndoshta problemi rreth transmetuesve për telefonat mobilë. Transmetuesit serbë në Kosovë janë ilegalë, sipas ligjit të Kosovës, sepse nuk janë të regjistruar. Por shumë lehtë mund të keni njëlloj kompanie aksionare që mund t’u lejojë të operojnë këtu pa pasur nevojë që kompania serbe të bëj kontratë me Kosovën.
Gjatë muajve të ardhshëm, këtij viti, ka shpresë se do të ketë progres të vërtetë. Përveç këtyre çështjeve, janë ato që unë i quaj çështje të mëdha, që në mënyrë fondamentale i ndan Kosovën dhe Serbinë, për shembull cilat janë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë nuk ka zgjidhje të vërtetë në horizont. Mendoj se para se të përfundojë, dialogu duhet të zgjidhë këtë ose në mënyrë automatike do të ishte dështim. Kjo është një arsye e mirë për të shkuar në dialog për të përfunduar me raporte normale mes dy shteteve.

Express: A është i nevojshëm presioni nga Brukseli në mënyrë që të ketë zgjidhje gjatë dialogut?
Prelec: Po. Do të ketë presion nga Brukseli.

Express: A është në gjendje Brukseli të bëjë presion mbi palët?
Prelec: Brukseli është i kufizuar nga fakti se duhet të përfaqësojë 27 shtete, duke përshirë ato që s’e kanë njohur Kosovën. Por është një pritje e përgjithshme se Serbia do të jetë konstruktive, por edhe Kosova do të jetë konstruktive. Por shumica e këtyre çështjeve janë të atilla nga të cilat Kosova mund të përfitojë diçka dhe Serbia duhet të pajtohet me këtë. Kështu që, cak i presionit do të jetë më shumë Serbia. Pritet që këtë vit të ketë rezultat, progres.

Express: Si e shihni rolin e SHBA’së në këtë proces?
Prelec: SHBA’ja merr pjesë me ftesë të Bashkimit Europian. Nuk është bashkënikoqir, as bashkëorganizator. Qeveria e Kosovës mendon se është e shumë e rëndësishme që SHBA’ja të marrë pjesë.

Express: Pa pasur ndonjë rol në bisedime?
Prelec: SHBA’ja nuk ka ndonjë rol institucional, formal. Ky dialog në thelb është mes Kosovës dhe Serbisë. I ka dy aktorë kryesorë. Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Serbisë. BE’ja e organizon këtë, por ajo nuk është si referi në futboll. Ajo nuk mund të ndalojë Kosovën ose Serbinë të mos bëjnë diçka nëse ato nuk duan. Nuk mund t’i detyrojnë të bëjnë diçka nëse ato nuk duan. Nëse BE’ja nuk mund ta bëjë këtë, nuk mund ta bëjë as SHBA’ja. SHBA’ja është aty për të asistuar, për të ndihmuar. Meqenëse Qeveria e Kosovës duket se ka shkuar në dialog me njëfarë ankthi, SHBA’ja mund t’i japë njëlloj vetëbesimi.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›