Garazhet nëntokësore

Premtimin e moçëm, ka vendosur ta realizojë. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, njërin prej shumë premtimeve të tij, e kishte ndërtimin e garazheve nëntokësore, projekt i cili kërkon shumë para.
Për këtë arsye, ai të hënën mblodhi Këshillin e Drejtoreve të Komunës së Prishtinës, i cili mori vendim për fillimin e proceduarve për ndërtimin e garazheve nëntokësore dhe hapësirave afariste me Partneritet Publiko- Privat. Këshilli autorizoi Zyrën e Prokurimit që të kryejë veprime procedurale sipas ligjit.
“Zyra e prokurimit do të shpallë tenderin për Partneritet Publiko-Privat (PPP) ndërtimin e tri garazheve nëntokësore me hapësira përcjellëse afariste në lokacionet e përcaktuara sipas planeve rregulluese. Garazhet do të ndërtohen në lokacionet: në sheshin “Adem Jashari” në mes të dy objekteve të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Komunës, në rrugën “Luan Haredinaj”, përballë objektit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve dhe përballë objektit të Fakultetit Filologjik”, thuhet në njoftimin e Komunës. Thënë më shkurt, lokacioni është “Te Trekëndëshi” në Prishtinë.
Por nuk është ky i vetmi projekt, për të cilin kryetari Mustafa pretendon ta realizojë. Në këtë takim u fol edhe për fillimin sa më parë të realizimit të projekteve të para për këtë vit. Sidoqoftë, në raportin e vitit 2010, është thënë se janë zhvilluar disa takime me investitorë të jashtëm, të cilët ishin të interesuar për ndërtimin e garazheve nëntokësore.
Takimi i fundit për këtë punë është zhvilluar gjatë verës së vitit të kaluar ndërmjet nënkryetarit të Komunës dhe përfaqësuesve amerikanë të Korporatës për Investimeve Private Jashtë Shtetit (OPIC). Por, përveç zotimeve të zyrtarëve komunalë për të arriturat e tyre, që nga ajo kohë nuk është bërë asnjë lloj marrëveshjeje konkrete me OPIC-in, për nisjen e realizimit të këtij premtimi të shtrenjtë.
Kuvendi i Komunës së Prishtinës, në dhjetor të vitit 2006, pati marrë vendim për ndërtimin e garazheve publike nëntokësore, madje edhe ka ndarë disa lokacione për to. Por, dhënia me koncesion i ndërtimit të këtyre garazheve nuk solli asnjë rezultat. As kur kaluan më shumë se katër vjet, që kur kryetari Mustafa ka premtuar që do t’i ndërtojë 900 sosh.
Deri më tash, nuk u ndërtua asnjë garazh i vetëm nëntokësor. Një gjë të tillë e patën pranuar para një viti, edhe vetë zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Muhamet Gashi, zëdhënës i kësaj komune, pati thënë se realizimi i këtyre garazheve do të bëhet me partneritet publiko privat. Sepse, sipas tij, garazhet nëntokësore janë projekte të kushtueshme.
Ndërkaq, zëdhënësi Gashi tash thotë se të gjitha kompanitë që janë të interesuara të jenë donatore të projektit për ndërtimin e garazheve nëntokësore, sapo të shpallet tenderi mund të aplikojnë. “Kompanitë kanë një afat për aplikim prej 30 ditësh, siç është e paraparë me ligj. Aty do të jenë të gjitha kriteret e aplikuesve”, pohon Gashi. “Tash presim të shohim se sa do të jetë interesimi i kompanive për këtë projekt”, tha ai.
Vendi i garazheve nëntokësore
Zyra e prokurimit do të shpallë tenderin për Partneritet Publiko-Privat (PPP) ndërtimin e tri garazheve nëntokësore me hapësira përcjellëse afariste në lokacionet e përcaktuara sipas planeve rregulluese. Garazhet do të ndërtohen në sheshin “Adem Jashari”, mes dy objekteve të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Komunës, në rrugën “Luan Haredinaj”, përballë objektit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve dhe përballë objektit të Fakultetit Filologjik.