E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarisht Kundër

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk e ka mbështetur vendimin e Qeverise për rritjen e pagave, me arsyetimin se është në kundërshtim me marrëveshjen që ka Kosova me këtë institucion. Qeveria tashmë ka miratuar projektbuxhetin me rritje. Bisedimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ministri Bedri Hamza nuk pranon të flasë rreth kësaj çështjeje. Nga Agon Sinanaj më 16 mars 2011 në ora 08:42

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave nuk e ka marrë mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Një delegacion i këtij institucioni, që ishte në Kosovë për disa ditë, ka lëshuar një deklaratë, ku përfundimisht bëhet e qartë se nuk është arritur marrëveshje për vendimet e fundit të Qeverisë.

Këtë e ka konfirmuar vetë udhëheqësi i misionit të FMN-së në Kosovë, Costas Christou. Përmes një deklarate, ai ka shpjeguar se rritja e pagave është në kundërshtim me marrëveshjen e mëhershme.

“Kjo rritje nuk është në përputhje me objektivat e programit Stand-By - SBA”, ka thënë ai. Për më tepër, diskutimet mbi draftbuxhetin për vitin 2011, sipas tij, do të vazhdojnë në periudhat e ardhshme. Deri atëherë, kjo çështje mbetet e hapur. Në këtë mënyrë Kosova rrezikon seriozisht t’i humbë donacionet e premtuara nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, i kontaktuar nga “Expressi” nuk ka pranuar të flasë rreth kësaj çështjeje, me arsyetimin se është zyra për informim e ministrisë që jep informacione. Megjithatë, edhe nga këta të fundit ka qenë e pamundur të merret ndonjë deklaratë.

Pavarësisht kësaj, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2011, ku përfshihet edhe rritja e pagave, ashtu siç ka marrë vendim Qeveria në fillim të vitit.

Pagat e sektorit publik pritet të dalin me rritje në muajin prill.

Kryesia e Kuvendit tashmë ka vendosur që projektbuxheti do të shqyrtohet në lexim të parë tek në fund të këtij muaji, përkatësisht në seancën e paraparë për 25 mars. Por, para kësaj, projektbuxheti i ka shkuar për shqyrtim Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa.

“Më 25 mars është seanca ku do të debatohet në leximin e parë për buxhetin e vitit 2011”, ka thënë kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Veç pagave, misioni i FMN-së, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka vlerësuar performancën ekonomike dhe atë të sektorit financiar. Sipas FMN-së, ka shenja inkurajuese se, përkundër një trendi të përkeqësuar në kreditë joperformuese, sektori bankar mbetet stabil dhe me kapital të mjaftueshëm në përgjithësi.”

“Rimëkëmbja ekonomike është në rrugë të mbarë kundrejt një rritjeje ekonomike dhe kreditimit të sektorit privat. Rritja reale ekonomike pritet të arrijë 5½ për qind në vitin 2011”, ka vlerësuar Christou.

Ndryshe, marrëveshja me FMN-në nuk lejon që pagat të rriten më tepër se nga 7 deri në 8 për qind. E, sipas vendimit të Qeverisë, mësimdhënësit parauniversitarë do të marrin pagë 50 për qind më të lartë. Familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës do të kenë ngritje prej 50 për qind, policia e Kosovës 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, pasuar nga zyrtarët doganorë, punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit.

Brenda këtij viti, rreth 383 milionë do të jenë shpenzime për paga dhe mëditje, e për investime kapitale janë ndarë 572 milionë euro. Mbi 50 për qind të tyre do të shkojnë në autostradën Vërmicë - Mërdar.

Në projektbuxhetin e vitit 2011, për paga dhe mëditje janë paraparë të jenë 383 milionë euro, ose 23 për qind më shumë se në vitin 2010. Ndërsa, shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë projektuar të jenë 1 miliard e 434 milionë euro, apo rreth 19.3 për qind më të larta sesa ato në vitin paraprak.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›