Bllokohen urbanet me 1 Janar, nëse nuk bëhet bileta 50 lekë
Shoqata Kombëtare e Transportit Urban i kërkoi Ministrisë së Financave dhe Transporteve, të zgjidhin kërkesat e tyre
Me datë 1 Janar asnjë qytetar i kryeqytetit nuk do të mundet të udhëtojë me linjat urbane, pasi ky shërbim do të bllokohet. Ky është paralajmërimi i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas sipas të cilit, me 1 Janar nuk do të nxjerrin asnjë abone në treg nëse nuk rritet çmimi i biletave. Kështu kryetari i kësaj shoqate, Ferdinat Ibrahimi theksoi se kërkojnë që çmimi i biletës të jetë 50 lekë (të reja) dhe nëse nuk realizohet kjo do të hidhen në protesta. Ndërkohë i bëri thirrje ministrive përgjegjëse që të përshpejtojnë hartimin e projektligjit, ç'ka u jep zgjidhje problemeve të tyre. E ndërsa institucionet përgjegjëse dhe shoqata nuk marrin përsipër të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, duket se qytetarët do të jenë ata që do i vuajnë mbi kurriz shpenzimet e tepërta për të udhëtuar me këtë shërbim aspak komod. Ndaj ata shprehin pakënaqësitë e tyre për rritjen e çmimit të biletës dhe aq më keq, bllokimin e këtij transporti.
Paralajmërimi
Qytetarët e Tiranës duhet ta mendojnë mirë pas datës 1 janar, nëse duhet të marrin linjat urbane apo do të gjejnë ndonjë mënyrë tjetër për të rrugëtuar. Kështu ata me datë 1 janar do të paguajnë biletën e tyre 50 lekë, në të kundërt, nuk do të marrin linjat urbane. "Rritja e çmimit të karburanteve dhe një sërë faktorësh të tjerë që ne ua kemi bërë me dije strukturave përkatëse sjell nevojën e domosdoshme për të rritur çmimin e biletave në vlerën 50 lekë, pasi aq është kostoja për pasagjer",- pohon Ibrahimi. Sipas tij, nëse arrihet pika kritike,, duke u bllokuar linjat urbane, përgjegjëse për këtë është Ministria e Transporteve dhe Ministra e Financave pasi janë këto dikastere të cilat duhet të zgjidhin kërkesat e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas. "Ua kemi bërë me dije vazhdimisht këtyre institucione problemet tona, por deri më sot janë treguar neglizhentë pasi nuk kanë zgjidhur asnjë problem",- pohon Ibrahimi.
Qytetarët
Sigurisht që varfëria i ka dënuar të rrugëtojnë me linjat urbane, ndonëse nuk kanë as kushtet minimale. E megjithëse ky shërbim lë shumë për të dëshiruar, qytetarët e Tiranës do të paguajnë më shumë se 50 për qind të çmimit aktual të biletës. "Nuk kemi makinë dhe nuk mundem të udhëtoj as me taksi. Linjat urbane janë e vetmja zgjidhje për ne për të zgjidhur problemet e përditshme, por me rritjen e biletës do ta kemi të pamundur të udhëtojmë",- thonë qytetarët. Ndërkohë, sipas një studimi të kryer nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi dhe Bashkia e Tiranës, transporti urban përdoret shpesh nga plot 46 për qind e kryeqytetasve. Ndërsa po sipas këtij studimi rreth 32 për qind e qytetarëve i përdorin linjat urbane 1 herë në javë dhe rreth 22 për qind e qytetarëve nuk udhëtojnë fare me linjat urbane. "Ka një ikorrelacion domethënës ndërmjet të ardhurave mujore dhe përdorimit të transportit urban. Sa më të vogla të ardhurat mujore, aq më i shpeshtë është ai në përdorim",- bëhet e ditur në studim.
Bashkia e Tiranës organizon aktivitete kulturore çdo ditë, në prag të Vitit të Ri. Ja axhenda
Bashkia: Kryeqyteti dy javë në festë për fundvitin
Një ekran i madh në qendër të Tiranës, i cili do të prezantojë aktivitetet e festave të përditshme që do të vazhdojnë deri në natën e ndërrimit të moteve, do të hapë siparin e një dhjetori ndryshe. Për t'i dhënë më shumë mundësi qytetarëve dhe për ta shndërruar kryeqytetin në këtë fundvit me pamjen e një qyteti të gjallë, Bashkia e Tiranës ka bërë dje hapjen zyrtare të një periudhe gala, e cila do të argëtojë të gjitha grupmoshat dhe do t'i ofrojë kryeqytetit një periudhë ndryshe, një periudhë ku muzika, arti dhe animacionet do të jenë të përditshme çdo natë. Në këtë mënyrë Bashkia ka menduar që përmes këtyre festave kulturore dhe sociale në këto ditë të ftohta, të cilat do të kurorëzohen në natën e ndërrimit të vitit me një koncert të madh, t'i argëtojë sadopak kryeqytetasit. Sipas Bashkisë së Tiranës, kjo festë ka filluar me ndezjen e një ekranit gjigant në qendër të qytetit, që do pasojë më pas me koncerte, evenimentet skenike dhe ato sociale përgjatë gjithë orëve të pasdites, deri në natën e Vitit të Ri. "Ekrani gjigant, me përmasa 320 cm 240 cm, vendoset për herë të parë në kryeqytet, më saktë në sheshin "Skënderbej", mbi një kullë të lartë, e cila është përshtatur në formën e një skene permanente",- tha zëdhënësja e Bashkisë, Bona Zhupa. Ky ekran, sipas saj, do të pasqyrojë ditët e mbetura deri në ndërrimin e viteve, për të kryer 24 orët e fundit të numërimit mbrapsht, të njohur ndryshe, si "countdown". Ndërkohë këtij dekori të ri e modern, sipas saj i shtohen këtë vit dhe disa rrugë e bulevarde, të cilat janë dekoruar në mënyrë elegante me elemente të rinj ku dominon e kuqja. "Përmendim Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", Rrugën e Durrësit etj. "Në dekorin e sivjetshëm janë përdorur edhe elementët e viteve të mëparshëm, të cilat gëzojnë gjendje të mirë dhe nuk kanë kryer kohën e amortizimit",- tha Zhupa. E veçanta e këtij viti është se Bashkia e Tiranës ka vënë një theks të rëndësishëm mbi aktivitetet kulturore, duke mos lënë asnjë nga ditët në prag të Vitit të Ri pa organizime speciale. "Çdo pasdite, të gjithë mund të gjejnë diçka interesante për të ndjekur në skenën e ndërtuar në sheshin "Skënderbej". Projekte të njohura, por edhe të reja, do të organizohen me cilësi, për të krijuar këtë vit atmosferën e ngrohtë e të dashur që Tirana evropiane meriton",- tha zëdhënësja e Bashkisë, Zhupa.