E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liza Vorfi: Si jetoi me teatrin në diktaturë

Aktorja Liza Vorfi e nisi rrugën e artit nëpërmjet këngës. Madje, edhe studimet në Itali i kishte bërë për kanto, së bashku me Hysen Pelingun dhe Behije Çelën. U kthye këtu në vitin 1943. U aktivizua në Radio-Tirana si këngëtare dhe me zërin e saj u interpretuan mjaft këngë të njohura popullore. Njëkohësisht u angazhua edhe me grupin teatral amator të Mihal Popit, ku së bashku me Behijen provuan edhe aktrimin. Kjo ndoshta ishte shtysa e parë që e çoi Lizën përgjithnjë në fushën e teatrit.

Në vitin 1945 ajo ishte ndër ata të paktë aktorë që krijuan bërthamën e teatrit profesionist të shtetit. Më pas Liza Vorfi u bë një ndër aktoret më të njohura të teatrit dhe me realizimet e saj meritoi vlerësime maksimale nga kolegët, nga regjisorët dhe sidomos nga spektatorët që e duartrokitën nxehtësisht. Brezi i saj, ata që kanë pasur fatin ta shohin në skenë, nuk mund ta harrojnë aktoren e talentuar, por edhe tepër mbresëlënëse si paraqitje. Realizoi një mori rolesh, nga dramaturgjia jonë dhe ajo botërore, ndër të cilët mund të përmendim personazhe të tillë si Dezdemona, nga “Otello” e Shekspirit, Elmira, nga “Tartufi”, e Molierit. Dorina, te “Borgjezi fisnik”, po e Molierit, Juliasheviçova tek “Morali i Zonjës Dulska”, Martirio te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Mara, te “Përmbytja e madhe” e Kol Jakovës, Marta te “Cuca e maleve”, Dona Luçia te “Karnavalet e Korçës” etj., të cilët po t’i përmendim të gjithë bëjnë një galeri të tërë.

Zonja Liza, sa shkon shifra e roleve të interpretuar nga ju?

Tetëdhjetë. Disa i kam në Kinostudio. Kam luajtur disa role atje. Është “Komisari i dritës”, është... “Rrugicat që kërkonin diell”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Ata ishin katër”... Qenkeni shumë bukur në dijeni”. Ne vinim nga lufta”... Ka nja dy-tre të tjerë...

Me një fjalë, është një veprimtari e bollshme artistike, është një jetë e tërë... Gaboj po t’iu pyes se ku dhe kur keni lindur?

Unë jam kosovare, lindur në Gjakovë, më 29 nëntor 1924. Babai im ishte mësues aty. Më vonë u transferuam në Shkup. Dhe, mesa kujtoj unë, në vitin 1932 kemi ardhur këtu. Jemi shpërngulur prej andej. Erdhëm në Shqipëri, për arsye se baba qe i persekutuar atje dhe nuk mund të rrinte më. Kështu që me vështirësi të madhe kaluam kufirin, se deshën ta mbysin në kufi.

Në ç’moshë keni qenë ju atëherë?

Tetë-nëntë vjeçe kam qenë. Këtu kam hyrë në shkollë. Ishin murgeshat atëherë që jepnin mësim në shkollat fillore. Ajo shkollë ka qenë për karshi Ministrisë së Arsimit që është sot. Më vonë kam hyrë në gjimnaz, ose në Institutin “Nana Mbretneshë”, siç i thoshin atëherë. Kam bërë deri në klasën e tretë atje dhe e lash përgjysmë, se u nisa në Romë për kanto. Kam bërë tre vjet në Itali për këngëtare.

Ishit marrë më përpara me këngën ju?

Unë kam kënduar për të parën herë, këtu ku ka qenë Komiteti Ekzekutiv i mëparshëm. Aty kam kënduar e para. Kam qenë nja 15- 16 vjeçe, kur po ikte Zogu. Unë s’dija gjë. Kishin ardhur aparaturat nga Italia a nga kishin ardhur, nuk e di, edhe ishin kështu nëpër këmbë. Aty kam kënduar për të parën herë, së bashku me babën tim. Se isha e re atëherë dhe gjithmonë më shoqëronte baba. Kam kënduar “Si dukat i vogël je” dhe ajo këngë ka mbetur si kënga e Liza Vorfit. Pastaj është transferuar aparatura. Mbaroi ajo periudha e luftës. Kur më thonë mua që në atë kohë kur ke kënduar ti ka qenë duke ikur Zogu. – Ua, po pse na kanë vënë ne kështu, pa ditur gjë? Domethënë që populli të merrej me muzikë a ndonjë gjë tjetër dhe të mos merrte vesh se çfarë po ndodhte. Ka koinçiduar dhe unë e kam akoma në kujtesë atë që ka ndodhur. Domethënë, kam qenë ndër të parat që jam marrë atëherë. Se e dinin që unë këndoja në shkollë dhe më kanë marrë me këndue aty.

Kështu që shkuat për studime në Itali. Në mos gaboj, ju keni qenë së bashku me Behije Çelën atje?

Behija ka ardhur më vonë. Kemi bërë vetëm vitin e parë në Romë, pastaj kemi kaluar në Konservatorin “Rossini” në Pesaro, ku bëmë edhe dy vjet të tjerë. Pastaj e ndërpremë, se baba më bëri telegram urgjent që të kthehesha në Shqipëri, se këtej bëhej luftë. Unë kam lënë edhe librat atje, në shkollën time, në Pesaro. Me atë telegram unë shpejtova që të vija këtu, se kishim frikë edhe vetë, kishim ngelur vetëm dy vajza atje. Kështu që kemi ardhur me njëherë këtu. Këtu kam vazhduar të këndoj në Radio-Tirana, jepnim ndonjë koncert kështu përjashta. E kam të vështirë të mbaj mend ose të përshkruaj të gjithë atë kohë. Fill pas çlirimit u thirrëm në Komitetin e Kulturës.

Ju jeni ndër të parat aktore të trupës së Teatrit shtetëror, ose Teatri Kombëtar që është sot. Keni qenë që në fillim, apo shkuat më pas?

Qysh në fillim fare. Të parat femra ishim unë dhe Behija që nuk refuzuam, përkundrazi. Ndjemë kënaqësi të madhe se po fillonim punën. E para pjesë ishte “Xhido”, në të cilën unë kisha rol kryesor. Edhe Behija kishte aty. Bile kam edhe fotografitë. Unë kisha Teftën, kurse Andon Pano ishte dashnori im në atë pjesë. Gjoni-babai etj. Domethënë personazhet ishin të gërshetuar. Pastaj kemi luajtur në pjesë të tjera, si “Portreti”, “Lidhja e mrekullueshme”, “Mbrëmja e madhe”... Ku di unë, plot të tjera. “Përmbysja”, që e vuri regjisori Bërtko. Pastaj erdhi Kriçko, që vuri “Otello”, ku unë kisha rolin kryesor, Dezdemonën. Bile është edhe në Enciklopedinë sivjetike që ka qenë atëherë, si pjesa e parë e Shekspirit e vënë në Shqipëri. Jemi unë dhe Loroja.

“Otello” ishte një pjesë që kërkonte kapacitete aktoreske, kërkonte talente dhe mundësi. Si mendoni, nga se u nis regjisori që ua besoi juve rolin e Dezdemonës?

Ai më pa mua te “Zëri i Amerikës”, ku unë kisha rol kryesor. Unë s’kisha marrë vesh gjë se isha me leje lindje. Kisha lindur vajzën e dytë. Bile kam takuar Ndrek Lucën dhe Llalli Hatibin aty ku ka qenë Kinema “Partizani”. Nuk e di si e ka tani, ndoshta ja kanë ndërruar. Kur më dalin përpara këta dhe më përqafojnë. – Urime, se ke marrë rolin e Dezdemonës, - më thanë. Unë ngela, për një moment u shtanga. – Në asnjë mënyrë! Ku di unë ta loz atë, - thashë. Ata ngelën kështu kur panë që u emocionova dhe thashë që s’di ta loz. – Po ai të ka parë ty dhe nuk e ndërron mendjen, - thanë. Natyrisht regjisori mundet të jetë nisur edhe nga cilësitë fizike, nga tiparet e mia.

Ai kishte simpati dhe pas asaj më dha edhe në pjesë të tjera, aq sa u krijua një lloj gjendje jo e mirë aty. Pse të jetë Liza në të gjitha.

Cilët role ju kanë pëlqyer më tepër, ata me natyrë lirike, apo dramatike?

Për sa u përket roleve unë jam e larmishme. Nuk mund të them siç më kanë thënë, oh sa më pëlqejnë ato rolet tuaja klasike. Unë kam luajtur edhe nënën e Shkurte Pal Vatës, ku nuk kishte fare klasicitet. Ajo është thjeshtë një grua malësore, që s’ka të bëjë fare me këtë. Po kështu Mara te “Përmbytja e madhe”, ose tek “Cuca e Maleve”, a ku di unë. “Ambicja” m’u kujtua tani, me Besim Levonjën. Kam pasur një rol me Kadri Roshin aty. Një nënë e gjymtuar. E s’ishte ajo si Elmira e Tartufit, apo Dezdemona. Është krejt e kundërta. Domethënë, unë jam aktore e larmishme.

Që nga viti 1945 dhe deri në 1975-n, jeni marrë me veprimtari intensive aktoreske, edhe në ekran, por sidomos në skenë. Keni pasur role vazhdimisht?

Në mos rol të madh, kam pasur role sekondare. Ndonjëherë kam hyrë edhe figurante. Se teatri nuk i përballonte dot. Prandaj e kemi bërë edhe figurantin, pa pikë zori.

Me cilin nga personazhet jeni shqetësuar më tepër ose jeni lodhur më shumë?

Kryesisht, me Dezdemonën, te “Otello”. E kisha vajzën 3-4-muajshe dhe kam pësuar një dramë të fortë aty, u dobësova, u shkatërrova. M’u desh me ik te nana me gjithë fëmijë, se nuk e përballoja dot, ishte shumë e lodhshme. Mendo, kam qenë me temperaturë 40 gradë kur kam luajtur momentin e fundit të Dezdemonës, kur ai e vret.

Dezdemona: - Më dëbo, imzot, por mos më vrit.

Otello: - Poshtë, lavire!

Dezdemona: - Falma jetën edhe sonte.

Otello: - Në kundërshtofsh…(Troket dera. Thirrje: Imzot…Imzot…)

Dezdemona: - Një orë të vetme, imzot…

Otello: - S’kam kohë të humbas…(Shtohen zërat._

Dezdemona: - Vetëm një orë…

Otello: - Tepër vonë..

Dezdemona: - O zot! Ooooh!…(Klithmë e fortë e saj- mbaron fragmenti).

Loroja më përplaste. Mirëpo aty ishin shkallët dhe, duket, unë u vrava aq sa temperatura kaloi mbi 40 e ca. Ashtu kam shkuar e kam luajtur. Edhe vajza ka pësuar shumë dëm atëherë, se, të them të drejtën, e kam lënë edhe shtatë orë pa pirë. Nana ime i jepte ndonjë pikë kamomil asaj fëmije. Unë nuk mundesha të shkëputesha. Ai ishte rol kryesor dhe do të lija gjithë trupën pa punë. Veç kësaj, pjesa duhej të dilte dhe duhej shpejtuar puna.

Pastaj kam luajtur me kënaqësi edhe Marën, ku jam ndjerë sikur Mara të isha unë vetë. Nuk mbaj mend se në çfarë vendi kam qenë kur më thanë, si ka mundësi? Ti je krejt mirditore. – Ka mundësi, - i thashë, - se unë jam gege, jam e atyre anëve dhe i njoh mirë. Veç kësaj, unë jam aktore. Ata më kapnin në qafë. Kur shkuam në Kosovë, në Prishtinë ka qenë e tmerrshme. Ata qanin atje dhe unë s’u përmbajtsha këtu në skenë. Më vinte edhe turp, po kur njeriu mundohet ta përmbajë veten, kalon më shumë në ekstrem.

Me cilin regjisor jeni ndjerë më mirë si aktore?

Unë kam punuar me të gjithë. Por Kujtim Spahivoglin e kam dashur, me thënë të drejtën. Pandi Stillu ka qenë regjisor që më ka dashur dhe më ka ndihmuar me punën e vet. Edhe Zina Andri. Megjithëse Zina ngacmohej kot me mua, se e dinte që unë nuk i ktheja fjalë, po Beatriçen dhe disa role kryesore ajo m’i ka dhënë.

Keni qenë e kënaqur me shpërblimin e punës suaj?

Më fal se po të ndërpres, po unë kam ikur në turne me “Përmbytja e madhe” pasi kam dalë në pension. Jam thirrur dhe kam shkuar. Dhe nuk shkova për para. Sigurisht, atëherë ishte pa pare, çdo gjë. Bile unë pa para do të lozja edhe tani që njerëzit janë me para. Edhe tani, kur idhulli i disave është paraja, unë shkoj e loz prapë pa para, sepse kam pasionin këtu brenda. Nuk e mendoj paren, të them të drejtën. Dhe u kam thënë të tjerëve, që nëse keni ndonjë gjë, mua mos më llogarisni për pare. Unë kështu u mësova. Ndoshta kështu qe edhe koha, por unë e kisha me pasion këtë punë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›