Fundi i parlajmëruar i buxhetit të qeverisë
Tiranë- Një shekull e gjysmë më parë, kur shkroi novelën David Copperfield, Charles Dickens, krijoi një nga personazhet komikë më brilant të letërsisë angleze, Wilkins Micawberin. Zoti Micawber mishëron personazhin e një optimisti të përjetshëm, që edhe pse i zhytur në varfëri vazhdon të marrë borxhe pafund, i bindur se një ditë do të bëhej i pasur. Por ëndrra zgjati vetëm për disa disa vite, deri në çastin që e arrestuan për mosshlyerjen e borxheve. Vetëm atëherë, Micawberi mësoi mësimin që do e përjetësonte në histori; kur shpenzimet kalojnë të ardhurat, rezultati është mjerim. Charles Dickens i referohej eksperiencës personale. Me Micawberin ai personifikonte babanë e tij, i cili u burgos pikërisht sepse nuk shleu dot borxhet. Por parimi është i njëjtë edhe për kombet. Popujt që jetojnë përtej mundësive, herët a vonë përballen me kolapsin. Për shumë vite me radhë bota e kishte harruar mësimin që i dha Dickens, por tani duket se Micawberi është rikthyer, në gjithë Europën, madje edhe në Shqipëri.
Ku po shkon buxheti?
Në fund të këtij viti, borxhi publik i Shqipërisë do të arrijë për herë të parë shifrën 8.2 miliardë dollarë dhe vetëm në 5 vitet e fundit është rritur me mbi 3 miliardë dollarë. Ata që janë në të majtën politike, me të drejtë, vërejnë se borxhi u rrit për shkak se qeveria keqpërdori buxhetin për të fituar vota. Por ky nuk është shkaku i vetëm. Financat publike të Shqipërisë kanë hyrë në rrugë pa krye edhe për një arsye tjetër, që ndoshta është kërcënimi më i madh për qëndrueshmërinë financiare të vendit. Fatura që qeveria paguan për të mbajtur në këmbë skemën e pensioneve dhe shërbimin shëndetësor po rritet me ritme të frikshme, shumë më të shpejta se sa të ardhurat. Në vetëm 7 vjet defiçiti i këtyre dy zërave është trefishuar dhe sot ka arritur në 600 milionë dollarë. Por e ardhmja duket edhe më e zymtë. Shqiptarët po lindin gjithmonë e më pak dhe po jetojnë më gjatë. Së bashku me përparimin teknologjik në mjekësi, që rrit koston e shërbimeve shëndetësore, këto ndryshime demografike po përvijojnë një fund të paralajmëruar, atë të kolapsit buxhetore. Me këto ritme premtimet që i janë bërë brezit tim, atyre që sot janë rreth tridhjetave apo dhe më të rinj, për pension pleqërie dhe kurim në spitale shtetërore, janë thjesht të papërballueshme.
Zgjidhja
Aritmetika e vështirë buxhetore është e njëjtë për të gjithë ekonomistët. Buxheti i Shqipërisë është në rrugë të paqëndrueshme. Por politika ndahet mbi zgjidhjen. Ata në të majtë duan të rrisin taksat për të financuar të gjitha përfitimet sociale. Kjo është një zgjidhje e mundshme. Por ashtu siç dëshmon eksperienca e Europës së zhvilluar, me kosto. Ekonomitë kapitaliste i shpërndajnë burimet në mënyrë efiçente, kur në tregje ka sa më pak ndërhyrje. Taksat krijojnë shtrëmbërime dhe i shkaktojnë shoqërisë humbje, të cilat ekonomistët i quajnë kostot e inefiçencës së tregjeve. Në terma më pak teknikë, rritja e taksave demotivon biznesin dhe individët për të punuar apo investuar duke ngadalësuar rritjen ekonomike. Edward Presccot, një nobelist nga Shtetet e Bashkuara, kur studioi efektin e taksave të lartë në Europë, gjeti se rritja me 12 pikë përqindje e normës së taksave direkte, i bën individët që të punojnë mesatarisht 122 orë më pak në vit. Paralelisht taksat e larta ulin numrin e të punësuarve dhe rrisin ekonominë informale. Kjo është arsyeja se pse ata që janë në të djathtë, e konsiderojnë rritjen e taksave si një opsion të papranueshëm. Ekonomistët e qeverisë besojnë se stabiliteti i vendit mund të ruhet duke mbajtur nën kontroll shpenzimet. Ekonomikisht kjo do ishte zgjidhja më e mirë. Politikisht, ajo me koston më të madhe dhe më e paqëndrueshmja. Qëllimi i çdo qeverie është të rizgjidhet dhe tundimi për të rritur shpenzimet, sa herë që ka zgjedhje është i parezistueshëm. Përtej kësaj, aritmetika tregon se pas disa vitesh, edhe një qeveri dashamirëse nuk do të mund ti mbajë dot më nën kontroll financat e vendi. Buxheti është në krizë sot, kur teorikisht Shqipëria duhet të përfitonte nga i ashtuquajturi divident demografik, për shkak të moshës së re të popullsisë. Shumë shpejt vendi do përballet me një situatë të kundërt, ku numri i popullsisë së moshuar që jeton me pensione do të jetë më i madh se ai i atyre që punojnë. Qeveria do vazhdojë të marrë borxh për të financuar përfitimet sociale, por ekonomistët na mësojnë se borxhi asnjëherë nuk i zgjidh problemet, por vetëm se i shtyn ato në kohë. Nëse dikush nuk do të vendos tani të përballet me aritmetikën e vështirë të buxhetit, pas disa vitesh Shqipëria do të vihet e detyruar përpara zgjidhjeve të vështira. Dhe opsionet, nuk do jenë të shumta, por vetëm tre. Rritje masive taksash për ata që punojnë,shkurtim i fortë shpenzimesh për të moshuarit që përfitojnë apo një kombinim i të dyjave. Atëherë do jenë zgjidhje të imponuara, me kosto të mëdha, që mund të marrin edhe trajtën e genocidit social.
Shqipëria ka ende kohë për ta shmangur krizën e parlajmëruar. Por nëse politika do vazhdojë të shtyjë pafund, reformën e pensioneve, një ditë, jo shumë larg, do paguajmë kosto katastrofike. Atëherë do dëgjojmë kryeministrin e radhës, i majtë apo i djathtë, të na drejtohet; Kur ju më zgjodhët unë ju premtova se do ti ruaja përfitimet sociale. Por me zemër të thyer ju them se kjo është një situatë e jashtëzakoshme. Tani na duhet të ulim rrogat me 50 për qind, të rrisim moshën e pensioneve me 5 vjet dhe të ulim masën e tyre me 30 për qind. Po kështu edhe ndihma ekonomike do përgjysmohet. Çfarë nuk do kisha dhënë, që të kthehesha pas në kohë për të ndryshuar të kaluarën. Por tashmë ajo që është bërë, është bërë dhe nuk zhbëhet më. Shqiptarët janë përballur edhe më parë me situatë të vështira si kjo dhe gjithmonë kanë triumfuar. Duke punuar së bashku ne mund tia dalim të durojmë sakrificat që na kërkohen, në mënyrë që fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm të mund të gëzojnë një të ardhme të ndritur.
Klodian Tomorri
No related posts.