E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Gjykata arrest me burg për 7 të ndaluarit për trafikim droge

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 7 të dyshuarit e ndaluar në kushtet e flagrancës më 2 mars në Kryebushat, teksa transportonin në një autoambulancë 160 kg bime me karakteristika të Kanabis Sativa. I pari që është njohur me vendimin paraprak të masës së sigurisë nga Gjykata ka qenë punonjësi i FNSH-së Kujtim Çuni, i cili akuzohej për prodhim-shitje të narkotikëve, trafik të bimëve narkotike në bashkëpunim dhe shpërdorim të detyrës. Arrest me burg pa afat u është dhënë dhe 6 të ndaluarve të tjerë, të cilët kanë rënë pre e policisë gjyqësore, e cila kishte infiltruar dy punonjës të saj për të bërë porosinë e drogës. Të ndaluarit gjatë fazës së hetimeve paraprake nga policia gjyqësore kanë qenë në përgjim ambiental dhe telefonik, për të cilat ekzistonin dhe vendimet e Prokurorisë dhe Gjykatës. Organi i akuzës është bazuar në këto prova material, krahas transkripteve të bisedave telefonike të personave, sasisë së Kanabisit të sekuestruar në momentin e ndalimit si dhe të tjera provave të gjetura gjatë kontrollit të banesave të të ndaluarve, mes të cilave dy armë automatike model 56 dhe një armë shotgun, të gjetura në banesën e punonjësit të FNSH-së. Të ndaluarit kishin kërkuar mbrojtje nga më shumë se një avokat dhe pretendimet e mbrojtjes në vijë të përgjithshme kanë qenë për vleresimin jo të ligjshëm të arrestit në kushtet e flagrancës, vecanërisht për personat që nuk kanë qenë në autoambulancë. Gjykata ka hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes duke vlerësuar të ligjshëm arrestin në flagrancë të Kujtim Çuni (punonjës i FNSH-së), Francesk Çuni, Tish Pali, Tom Zhuri, Zef Paloka (shoferi i ambulancës), Anton Lumi dhe Gjon Bregu, duke i lënë në arrest me burg deri në fillimin e procesit të gjykimit në themel nga Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›