E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i pashmangshëm i martesave made in Hollivud

Ata kanë gjithçka, përveç një martese të gjatë dhe solide. Dhe martesa, thuajse në të gjitha rastet, merr fund për shkak të tradhtive të njërës apo tjetrës palë. Bëhet fjalë për personat e pasur, aktorët, politikanët e VIP-a që bëjnë një jetë shumë të ekspozuar dhe luksoze në të njëjtën kohë. Një rast i fundit tipik i kësaj sëre njerëzish është lajmi për ndarjen e një çifti të suksesshëm të kinemasë britanike dhe asaj botërore, Kate Winslet, aktore, dhe Sam Mendes regjisor. Ata e njoftuan vendimin e tyre tri ditë më parë, duke zhgënjyer për pak çaste fansat e tyre të shumtë, që veç të tjerash i konsideronin, deri në atë moment, edhe si një çift shembullor dhe të rregullt. Por e vërteta paska qenë në fakt krejt ndryshe. Në fund të fundit, kjo ndarje e “çiftit të artë” britanik flet qartë për diçka që milionat e dollarëve dhe një jetë mes qiellit dhe tokës nuk mund të sigurojnë kurrsesi lumturinë e përjetshme dhe madje nuk përbëjnë as kushtin për një martesë jetëgjatë, duke u shndërruar shpesh në shkakun kryesor të fundit të një marrëdhënieje dashurore. Nga bota e kinemasë, kryesisht asaj hollivudiane, shembujt e rastet e tilla janë të shumtë. Mjafton të përmendim disa syresh si çiftin Aniston-Pitt, Cruise-Kidman etj. Edhe çifti i ndarë së fundi, Winslet, 34 vjeçe dhe Mendes 44 vjeç, u njohën dhe u lidhën në ambientet e Hollivudit. Për sa i takon Kate, ajo bëri ç’ishte e mundur që e gjithë bota ta merrte vesh këtë lidhje dhe më pas martesën. Shpesh nëpër premiera filmash, apo shfaqje zyrtare ajo e tregonte fare hapur afeksionin dhe lumturinë që i shkaktonte të qenit përkrah regjisorit të famshëm. Por tani, kjo i përket së shkuarës, sepse çifti, me sa duket, ka vendosur që ta konsiderojë lidhjen një pjesë të së shkuarës. Ata nuk janë më të dashuruar dhe nëse nuk do të bëhej fjalë për dy fëmijë të pafajshëm, të cilët do të vuajnë ndarjen e prindërve, me siguri që askujt nuk do t’i interesonin as ndjenjat e njërit e të tjetrit. Por ama jeta e njerëzve të famshëm, veçanërisht ajo e yjeve të kinemasë, ka rëndësi shumë më të madhe nga sa e mendojmë. Duke qenë se janë njerëz të ekspozuar, ata kanë ndikim të madh në jetën tonë, pasi pa dashje ne u japim rolin e modelit. Nëse do t’u referoheshim termave darvinistë, ata janë anëtarët “më të suksesshëm” të species sonë: janë të pasur, të bukur, të famshëm dhe kanë vëmendjen e së gjithë botës dhe admirimin tonë të herëpashershëm. Ne thellë-thellë, brenda vetes, jemi të gjithë në kërkim të fundeve të lumtura të historive të ndryshme, por për sa i takon historive të këtyre njerëzve të pasur e të ekspozuar, vlen të thuhet se “jo gjithçka që shkëlqen është flori. Ata që duken të pushtetshëm dhe të lirë nuk është se janë gjithmonë vërtet të lumtur. Pasuria ka anët e saj të këqija dhe një ndër to është edhe lehtësia me të cilën të pasurit divorcohen nga njëri-tjetri. Duke qenë se ata nuk do të bien kurrë në pozitë të keqe sapo u shfaqet kriza e parë martesore në vend që ta zgjidhin, vendosin që ta braktisin krejtësisht lidhjen për t’u hedhur shumë shpejt në krahët e një personi tjetër të së njëjtës sërë dhe botëkuptim, që sipas të gjitha gjasave vjen nga e njëjta përvojë. Për sa i përket yjeve të kinemasë, ata kalojnë një pjesë të madhe të kohës duke aktruar, pra duke luajtur jetët e të tjerëve dhe kur vjen puna te jeta e tyre, mund të ndihen të çorientuar. Ata i japin audiencës atë që mendojnë se ajo ka nevojë të dëgjojë prej roleve të tyre. Për shumë psikologë, aktorët e Hollivudit të pasur dhe të famshëm, e mbi të gjitha me një jetë plot aktrime, janë njerëz me probleme. Imagjinoni tani një çift personazhesh të tillë, pra me një burrë dhe një grua që vijnë nga e njëjta përvojë. Sipas një psikoterapisti, ndodh shpesh që njerëzit e zakonshëm t’i projektojnë ëndrrat e tyre dhe madje edhe shpresat te VIP-at. Në rastin e çiftit në fjalë, të gjithëve u pëlqente fakti se më në fund, një çift ishte duke bërë përjashtim nga çiftet e tjerë të Hollivudit, duke qenë se në dukje martesa e tyre po zgjaste shumë. Po megjithatë, ironikisht edhe ajo përfundoi si shumë martesa të së njëjtës natyrë. Një nga arsyet e ndarjeve të tilla është edhe largësia fizike e partnerëve, të cilët mund të kalojnë muaj të tjerë veçmas njëri-tjetrit kur janë me xhirime filmash. Por më e rëndë se distanca fizike është ajo shpirtërore, mungesa e dëshirës për të bërë kompromis dhe për të toleruar tjetrin. Në rastin kur dy të martuarit janë persona të famshëm, atëherë lindin edhe zilitë për karrierën e njëri-tjetrit dhe mbijetesa e martesës bëhet me të vërtetë një sfidë thuajse e pamundur. Martesa është si një kopsht që duhet mbajtur me kujdes, duhet ujitur dhe punuar në mënyra të ndryshme në stinë të ndryshme dhe mbi të gjitha duhet respektuar. Nëse asnjëri nga partnerët nuk është i zotuar për një gjë të tillë, atëherë gjithçka shpërbëhet sa hap e mbyll sytë. Ata që punojnë me njerëzit e famshëm, dëshmojnë shpesh për cinizmin që ndodhet në thelb të martesave të tyre. Të shumtë janë ata që martohen për karrierën e tyre, të tjerë krijojnë lidhje dhe intimitet të menjëhershëm, ndërsa xhirojnë filma dhe mendojnë se kjo ndjenjë do të zgjasë përgjithnjë, por sapo dalin nga skena e kuptojnë se ndjenja e tyre ka mbetur pas. Për njerëzit e famshëm dhe të pasur është shumë e vështirë që të kenë martesa të gjata dhe të qëndrueshme. Së pari, sepse ata humbasin lirinë me të cilën janë mësuar dhe së dyti, sepse gjithçka që bëjnë është e parë me mikroskop nga media. Ndaj tashmë është shndërruar në postulat shprehja: martesat në Hollivud zgjasin më pak se xhirimet e një filmi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›