40-vjeçarët
40-vjeçarë në formë të shkëlqyer. Me pak fjalë, sekreti qëndron te sporti? Tani gjithmonë e më shumë ekziston mundësia për t’u larguar nga sporti shumë vonë: stërvitesh më mirë dhe punohet më shumë për të parandaluar dhe kuruar dëmtimet e ndryshme. Merita, nga njëra anë, është e shkencës, që ka bërë progrese si në mënyrat e stërvitjes, ashtu edhe në planin mjekësor. Dëmtimet që 30 vjet më parë mund të ndërprisnin një karrierë, sot mund të shërohen për një muaj. Dikur, tridhjetë vjet ishin thuajse fundi, ndërsa sot, edhe në moshën 40-vjeçare, mund të flitet për kontrata dhe të ardhme, pa u trembur aspak se dikush mund të të quajë “të moshuar”. Janë pikërisht këta që kanë një formë fizike të përsosur, kanë thyer çdo pengesë të moshës, por duke mos llogaritur asnjëherë rreziqet që shpesh janë të mëdha.
“Nga i gjithë grupi i miqve, me të cilët nisa të vrapoja në fillim të viteve ‘80, kemi mbetur vetëm dy. Ndoshta sepse me kalimin e moshës, gjërat bëhen më të vështira. Dikush kishte probleme me tendinën e Akilit, një tjetër me gjurin, hernie diskalen apo tërheqjen muskulore. Madje, tre prej tyre, kanë përfunduar edhe në bisturinë e kirurgut”, tregon Paolo. Shumë mendojë se sporti të bën keq dhe në pamje të parë, kjo nuk është absolutisht e vërtetë dhe këtë e dimë të gjithë. Studimet shkencore, njëri pas tjetrit, tregojnë se aktiviteti sportiv redukton nga 50 deri në 80 për qind aktivitetin shkencor. Madje, lista e sëmundjeve që aktiviteti fizik ndihmon, është shumë e gjatë: infarkti, kanceri, diabeti, sëmundjet e mëlçisë dhe të veshkave, osteoporoza madje edhe sëmundje cerebrale si alzhaimeri dhe depresioni. Pa marrë parasysh këtu efektin e jashtëzakonshëm antistres d.m.th atë ndjenjë të mrekullueshme që pas një orë vrap, pedalim me biçikletë apo një orë tenis, muskujt ndihen të relaksuar dhe mendja më e qetë. Rreziku është pikërisht e kundërta. Numri i sedentarëve, i atyre që nuk lëvizin kurrë as edhe një muskul, që sa po vjen e po shtohet në Amerikë dhe Europë, mund të kenë pasoja shumë të rrezikshme për të gjithë. Por sipas të dhënave të ndryshme, brezi i “babyboomers”, d.m.th të lindurit në vitet ‘68-‘77, janë edhe më të zellshmit për t’u marrë me aktivitete fizike, pa marrë asnjëherë parasysh pasojat e tij. Kështu, në vende të Europës si Italia apo Franca, më shumë se 1 milion njerëz të kësaj moshe praktikojnë tenisin, rreth 2 milionë llojet e lehtat të atletikës e çiklizmit dhe po 1 milion të tjerë luajnë futboll, të paktën një herë në javë. Pak a shumë, më tepër se 35 për qind e këtyre praktikantëve janë më të mëdhenj se 45 vjeç. Por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se këtyre të rinjve nuk u intereson aspak një aktivitet sportiv sporadik, por sporti i praktikuar me rregullsi dhe impenjim maksimal. Kështu, kohët duket se kanë ndryshuar. Nëse fëmijët tani nguliten para televizionit për të ngrënë kokoshka dhe luajtur play-station, baballarët mezi presin të mbushin pistat, të vrapojnë, të konkurrojnë e garojnë denjësisht. Sporti në masë tashmë ushtrohet nga personat me flokët e thinjur, pra ata mbi 40 vjeç. Nën ato flokë është një brez që për pasionin e tyre jepen deri në pikën e fundit të fuqisë. “Rreth 45 për qind e pacientëve të mi janë mbi moshën 45 vjeç. Gjithmonë vijnë me dhembje të shkaktuara nga sforcimi dhe mbingarkesa: tendina e Akilit, gjuri, tërheqje muskulore në kofshë. Megjithatë nuk duan të ndalen para asgjëje. Nëse nuk e shoh të domosdoshme, nuk shkoj te doktori, thonë ata”, tregon fizioterapisti Daniele Pierobon. Sepse të ndërpresësh stërvitjen është vërtet e pamendueshme për ta. Kështu nëse një atleti amator i duhet të marrë pjesë në një garë, zakonisht stërvitet katër deri në pesë herë në javë. Ditën e parë përshkruan 3 herë një distancë 3 kilometra, të dytën 10 herë 500 metërshin, ndërsa ditën e tretë 10-12 kilometra. Por nëse ka në program të marrë pjesë në një maratonë, përshkruan edhe 28 kilometra. “Këto janë ritme të tmerrshme për një amator që mund të krahasohen me ngarkesën e një atleti profesionist”, tregon Claudio Gallozi, specialist në mjekësinë sportive. “Problemi është se një atlet është si një makinë e Formula 1: edhe sikur një pjesëz e vogël të mos funksionojë si duhet, kërkohet ndërhyrja e një skuadre masazhatorësh, fizioterapistësh, mjekësh, radiologësh. Përkundrazi amatori, vazhdon të stërvitet deri në fund”. Nga ana tjetër, sporti për këta 40-vjeçarë mund të krahasohet me efektet e viagrës në darkë. është tregues i forcës së tyre. “Nuk e kuptojnë, se me moshën rritet fiziologjikisht edhe ‘ngurtësia’. Nëse një vit më parë përshkruaje me një ritëm të caktuar tre kilometra, një vit më vonë duhet të bësh vetëm dy. Unë për vete e kam provuar. Dhe nëse nuk ndjek rregullat përfundon keq”, thotë Pierobon. Edhe nga pikëpamja shkencore faktet për amatorët janë tronditëse. Kështu një atlet i nënshtrohet stërvitjeve të ashpra për 10-15 vjet në karrierën e tij. Tek amatorët kjo shifër shkon në 30. Rëndësi ka edhe ambienti ku stërviten. Por një tjetër çështje e rëndësishme për fizioterapistët është edhe fakti se shumë prej tyre e fillojnë vonë stërvitjen, në moshën 50-vjeçare. “është vërtet për t’u shqetësuar, për të përshtatur fizikun e tyre me angazhimet që kryejnë. Duhet kujdes i madh që shpesh njerëzit nuk e kanë”, thotë Gallozzi. Të filluarit vonë e aktivitetit fizik mund të ketë pasoja edhe më të tmerrshme: “Vrapi dhe çiklizmi janë aktivitete që kërkojnë shumë angazhim dhe nëse nuk i shkon nga pas, ka pasoja të rënda”, thotë Pino D’Amico, kardiolog dhe mjek sportiv. “Përshtatja kardiovaskulare, në moshën 50-vjeçare nuk është e lehtë. Në atë moshë është e zakonshme të ketë shumë faktorë të tjerë rreziku, si tensioni apo diabeti. Pastaj duke e vënë zemrën përballë sforcimeve të mëdha, ajo mund të përshtatet por në mënyrë patologjike”. Duke dëgjuar mjekët, kuptohet se shumë 40-vjeçarë, me kalimin kohës, kanë kaluar nga vrapi tek pedalimi, një sport më pak impenjativ për kockat dhe muskujt.
Femrat, më të rrezikuaratQë në moshën e adoleshencës, femrat kryejnë aktivitet fizik njësoj si bashkëmoshatarët e tyre meshkuj. Por, në këtë fushë barazia gjinore rrezikon të ketë efekte të paparashikuara, sepse trupi i tyre zhvillohet krejt ndryshe nga ai i meshkujve dhe një aktivitet i sforcuar jep më shumë dëme se sa të mira. Femrat kanë legen më të gjerë, muskuj më pak të zhvilluar dhe një përqindje më të madhe dhjami. Por, gjatë ushtrimeve sportive dhe aktiviteteve të ndryshme fizike, sidomos në fazën e zhvillimit, këto diferenca injorohen shpesh. Kështu, në krahasim me bashkëmoshatarët meshkuj, femrat vriten më lehtë dhe më shumë. Rreziku për të thyer ligamentin e përparmë të kupës së gjurit është pesëfish më i madh nëse luajnë futboll dhe trefish nëse luajnë basketboll. Kanë më shumë probabilitet të vuajnë nga dhembjet e shpinës dhe shtrembërimet, të kenë dhembje gjunjësh kronike dhe fraktura nga stresi mekanik në maratonë apo vrapim. Rreziku lidhet veçanërisht me atletet, por nuk përjashtohen adoleshentet që kryejnë aktivitet fizik intensiv. Ato nuk e dinë se barazia gjinore nuk ka lidhje me mënyrën specifike të zhvillimit të trupit të tyre. Ky problem po u bie gjithnjë e më shumë në sy mjekëve dhe ekspertëve sportivë, por veçanërisht këtë e konfirmojnë edhe studimet e fundit, pavarësisht se nuk njihen shumë nga trajnerët. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, debatet e shumta që janë ngritur mbi sportin “që u bën keq” femrave janë publikuar edhe në kopertinën e revistës “New York Times”. Këtij argumenti i ka kushtuar një artikull të gjatë edhe “The Washington Post”. Pavarësisht debateve që ka ngritur ky problem, nëpër kolegjet amerikane, numri i vajzave që luajnë basketboll dhe futboll është sërish i madh. Të shumta janë edhe rastet si ai i Janelle Pierson, që pas shumë vitesh futboll në skuadrën e një kolegji të Floridës, theu ligamentin e përparmë të gjurit të djathtë dhe pas pak muajsh edhe të majtin. Në Europë, ky fenomen nuk është shumë i përhapur, por problemet që kërkojnë një kohë të gjatë rikuperimi kanë filluar të shqetësojnë mjekët dhe prindërit. “Të dhënat janë të qarta: pavarësisht ngarkesës së stërvitjes, si në futbollin për femra, ashtu edhe në basketboll, shfaqen patologji në të cilat frekuenca është 6-8 herë më e lartë se ajo mashkullore”, bën të ditur një mjek ortoped, i cili është pjesëtar i stafit mjekësor të një skuadre futbolli për femra. Edhe në këtë rast përfshihet fiziologjia femërore. Estrogjenet i bëjnë më pak rezistente ligamentet dhe forma e legenit i detyron femrat ta përdorin gjurin me përthyerje ndryshe nga meshkujt, duke e bërë më të thyeshëm gjatë një frenimi të menjëhershëm, një ndryshimi të drejtimit të papritur, një kërcimi etj. “Një tjetër sport i rrezikshëm për femrat, ku mund të pësojnë thyerje të pjesës së përparme të gjurit, ndrydhje apo fraktura, është edhe skia, pavarësisht nëse ato janë apo jo amatore. Kjo ndodh sepse vajzat janë më elastike, faktor ky i rëndësishëm në jetë, por jo në disa lloje sportesh. Ky elasticitet i madh nuk është i shoqëruar nga një masë muskulore e mjaftueshme për t’i mbajtur kyçet në pozicione të qëndrueshme”, vazhdon më tej mjeku ortoped.
Problemi ka “rrënjë” fiziologjike, por edhe kulturore: djemve të rinj që merren me sport, veçanërisht atyre që premtojnë shumë pasi janë të talentuar, u kërkohet një angazhim serioz, më intensiv, në nivel gjithnjë e më të lartë, presione që, sidomos te vajzat, rrezikojnë të lënë pasoja. “Në fund, vajzat kanë dëmtime thuajse kudo dhe abuzojnë me qetësuesit e dhembjeve për të mos lënë pas dore stërvitjen, deri sa arrijnë në atë pikë që nuk mund të luajnë më. Pasojat? Pasi kanë bërë sipas kokës së tyre, u drejtohen mjekëve”, ka thënë për “New York Times” një mjeke sportive dhe pediatre. Frakturat e shkaktuara nga stresi, kërcitjet që krijohen në kockë pas sforcimeve të ripërsëritura, janë një tjetër problem, të cilat janë më të shpeshta te femrat që garojnë në maratonë, bëjnë ski, garim të alternuar, vrap, not, biçikletë (katër herë në javë ose më shumë).