Shkollat, papastërti dhe ajër i ndotur. Fëmijët rrezikohen nga astma dhe alergjitë
Nëpër shkolla mungojnë letrat higjienike dhe sapuni për të larë duart. Klasat pastrohen vetëm një herë në ditë, pluhuri mblidhet ngadalë, ndërsa mensat janë në krye të klasifikimit të vendeve më të pista. Në banja ka produkte pastrimi të pakontrolluara, bishta cigaresh dhe vjen erë shumë e keqe. Kjo është gjendja në disa kopshte dhe shkolla në disa shtete europiane. Për këtë arsye, ekspertët kanë përhapur alarmin lidhur me këtë çështje. “Shpesh, nëpër rrugët e qytetit, shkalla e ndotjes është më e vogël në krahasim me atë që regjistrohet në bankat e shkollave. Pisllëku është më shumë i pranishëm në klasë, sesa në natyrë të hapur”, bëjnë të ditur ekspertët. Nga sondazhet e bëra, specialistët kanë arritur në përfundimin se ambientet e shkollave rrezikojnë seriozisht shëndetin e fëmijëve me papastërtinë e tyre. Ajri i ndotur dhe ambientet e pista tashmë janë kthyer në një problem shumë serioz, sepse në ditët e sotme, 33 për qind e sëmundjeve të fëmijëve nën moshën 5 vjeç varen nga faktorët ambientalë. “Të dhënat e fundit tregojnë një rritje të sëmundjeve alergjike dhe astmës, madje edhe studimet e bëra tregojnë këtë tendencë: 27,6 për qind e studentëve të ekzaminuar vuajnë nga riniti, 21,9 për qind nga kolla, 19,9 për qind nga alergjia dhe 10,4 për qind nga astma”, thuhet në studim. Në analizë janë marrë 13 shkolla në gjashtë shtete të Europës Lindore dhe Perëndimore. Duke u mbështetur te rezultatet, njëmijë fëmijët e marrë në studim jetojnë në godina shkollore të vjetra të ndërtuara para vitit 1960. Për ristrukturimin e tyre përdoren shpeshherë materiale me përbërje toksike. Edhe vlera e ndotjes është e madhe: akumulimi i pluhurit nga trafiku është më i vogël se ai që gjendet në mjediset e shkollave, si pluhuri i shkumësit. Këto të dhëna nuk i habisin specialistët, pasi ata janë të vetëdijshëm për gjendjen e shkollave. “Prania e papastërtisë, plehrat e grumbulluara dhe të pa derdhura, tregojnë pisllëkun e kudogjendur në ambientet e të gjitha shkollave. Për këtë gjë nuk janë përgjegjëse vetëm pastrueset, por edhe nxënësit e mësuesit, të cilët janë të pakujdesshëm, i hedhin mbeturinat kudo nëpër shkollë, duke ndotur ambientin, duke rritur edhe më shumë nivelin e papastërtisë e duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre”, thotë një doktor.
E keqja është se në mjediset e shkollave ka shumë pluhur, por edhe që nuk ekziston një mënyrë për t’iu siguruar të vegjëlve një sërë shërbimesh, gjë e cila nuk varet nga nisma e prindërve. Për të kuptuar deficitin mjafton t’i hedhësh një sy të dhënave të studimit, që një grup ekspertësh po realizon prej disa vjetësh në disa shkolla vendase. Në vitin 2009, shifrat kanë qenë relative. Në studim janë përfshirë 106 shkolla, kopshte dhe çerdhe. Dy në tri shkolla mungon sapuni dhe letrat për të fshirë duart. “Në 10 për qind të banjave janë gjetur produkte pastrimi të skaduara; në 12 për qind është gjetur papastërti e jashtëzakonshme, ndërsa në 5 për qind plehrat janë gjetur jashtë kazanëve në shesh. Në banjat e gjashtë shkollave janë gjetur bishta dhe ndihej erë cigare. Në 10 për qind të rasteve mungon letra higjienike. Në 10 për qind të shkollave WC-të janë dëmtuar ose kanë dalë jashtë funksionit. Në 7 për qind të shkollave, dritaret e WC-ve janë pjesërisht ose totalisht të prishura. Për sa i përket dyerve, në 34 për qind të shkollave, gjendja e tyre ishte e mjerueshme”, lexohet në raport.
Fëmijët duhet të kujdesen shumë për higjienën personale. Shoqatat humanitare janë të shqetësuara veçanërisht për vendet në zhvillim, sepse në këto anë, mungesa e higjienës vret më shumë njerëz se sa një luftë. Gjysma e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare sëmuren për shkak të diarresë, ose sëmundjeve të tjera infektive që lidhen me mungesën e higjienës. “Një në dy fëmijë mund të shpëtojë jetën, thjesht duke bërë zakon larjen e duarve me sapun, para se të hanë bukë dhe pasi të kenë kryer nevojat personale”, shpjegon doktori.
Edhe nëpër mensa, situata nuk është më e mirë. Në 26 shkolla, mensat pastrohen vetëm një herë në ditë, ndërsa në katër shkolla dy herë në ditë. Përfundimi nuk është nxjerrë për nëntë shkolla të tjera. Pluhuri mbizotëron dhe gjendet kudo: në korridor (20%); në klasat ku ka kompjuterë (20%), sidomos mbi banka dhe vendin ku qëndron monitori; në dysheme, bibliotekë. Vazhdojmë më tej: në 30 për qind të rasteve në palestër; në mensë (13%); në laboratorët shkencorë, ku kryhen studime të ndryshme (8%). Klasat (të gjitha ose pjesërisht) kanë pluhur mbi parmakët e dritareve (në 23% të rasteve), mbi rafte (13%) dhe dysheme (6%). Edhe sekretaria e sallat e mësuesve janë të mbushura me pluhur. “Lidhur me këtë temë duhet thënë se sëmundjet alergjike dhe astma vazhdojnë të zënë vend të rëndësishëm në listën e sëmundjeve kronike. Sipas sondazheve vjetore të vitit 2008 studentët që vuajnë prej këtyre sëmundjeve alergjike dhe/ose të frymëmarrjes përbëjnë 20 deri në 25 për qind të fëmijëve”.
#