Fundi i pritjes

Roberto Mancini ka reaguar ndaj kritikëve të politikës së transferimeve të Manchester Cityt, duke theksuar se rivalët e tij nga Premierligë po ashtu kanë shpenzuar shumë.
Ndërsa ai thekson se City ende është duke ndërtuar një ekip, duke transferuar futbollistë të rinj. Mancini mendon se Manchester City është duke u kritikuar padrejtësisht për depërtimin e tij në elitën e futbollit anglez pas shpenzimit të rreth 300 milionë funtesh, që i kanë dërguar ata në prag të trofeut të parë pas 35 viteve prej triumfit të tyre të fundit në League Cup.
City u bë klubi më i pasur në botë, kur Sheik Mansour e bleu atë dy vite e gjysmë më parë dhe prej atëherë ka bërë shpenzime të papara në histori të futbollit.
Investimet do të fillojnë të shpaguhen nëse City fiton finalen e FA Cup muajin e ardhshëm kundër Stoke City, në rrugë drejt së cilës mposhti rivalin e qytetit Manchester United në Wembley të shtunën.
Duke përmendur Chelsean dhe Manchester Unitedin, që po ashtu kanë bërë përforcime të mëdha në ndjekje të suksesit, Mancini beson se është duke qarkulluar një mendim negativ rreth shpenzimeve të Cityt.
“Shumë herë jam pyetur rreth shpenzimeve tona, por ne nuk e kemi blerë Cristiano Ronaldon, Messin. Ne kemi blerë futbollistë të rinj, futbollistë të mirë”, tha ai.
Mancini, i cili vetëm gjatë verës së vitit të kaluar shpenzoi 125 milionë funte, shtoi: “Të gjithë këta futbollistë duhet të përmirësohen sepse për ta është viti i parë në Premierligë. Nëse nuk e kam gabim, shumë vite më parë, kur futbollistë të shkëlqyeshëm vinin në Angli si Cantona, në fillim e kishin vështirë”.
Nga formacioni bazë i Cityt të shtunën vetëm portieri Joe Hart ka qenë në klub për më tepër se tri vite, ndërsa disa të tjerë janë transferuar në 15 muajt e fundit. Por, duke pasur parasysh shpenzimet e mëdha, Mancini ka qenë nën presion të sjellë sukses në Eastlands, filluar nga kualifikimi për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Ai është i përqendruar të përfundojë në katër pozitat e para, ndërsa beson se triumfi në FA Cup mund të inspirojë kandidaturën për titull në Premierligë sezonin e ardhshëm.
“Vit pas viti ju mund të ndërtoni një ekip të fuqishëm. Por, është me rëndësi që të përmirësoheni çdo javë. Mentaliteti ynë do të jetë pasi mposhtëm Manchester Unitedin. Finalja do të jetë edhe më e vështirë sepse do të hyjmë në të si favorit. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Nëse luajmë me shpirtin e njëjtë, do të fitojmë. Kjo mund të na motivojë edhe më tepër që sezonin e ardhshëm të luftojmë madje për titull në Premierligë”, përfundoi ai.