E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedh Frankfurtin

Fatmire Bajramaj e ka lënë Turbine Potsdamin për t’iu bashkuar FFC Frankfurtit. Futbollistja kosovare ka nënshkruar kontratë trevjeçare me ekipin e ri, deri në qershor 2014. 23 vjeçarja nuk e ka fshehur gëzimin që iu bashkua një klubi tjetër të madh gjerman, pas sukseseve që arriti me Potsdam. Nga Express më 19 prill 2011 në ora 12:20

Përvoja e Fatmire Bajramajt në Turbine Potsdam do të marrë fund me përfundimin e këtij sezoni. Pas sukseseve të njëpasnjëshme me këtë ekip, ku fitoi të gjithë trofetë e mundshëm për dy sezone, futbollistja kosovare ka vendosur ta ndërrojë mjedisin.

23 vjeçarja të hënën ka nënshkruar kontratë trevjeçare, deri më 30 qershor të vitit 2014 me ekipin 1 FFC Frankfurt. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi gjerman përmes ueb faqes zyrtare. Futbollistja nga Istogu ndihet e lumtur që e zgjodhi Frankfurtin, por ajo assesi nuk e harron eksperiencën e bujshme që e kaloi te Potsdam.

“Për mua, ky është një moment mjaft emocionues, para Botërorit 2011. Pas dy vjetësh me të vërtetë të mëdha në Potsdam dhe me Kombëtaren gjermane, dëshiroja ta vazhdoja karrierën në 1 FFC Frankfurt. Ky ekip bën një lojë atraktive dhe të jep mundësi që ta praktikosh këtë sport. Ka një atmosferë të mirë dhe ambient mjaft të konsoliduar”, deklaroi fillimisht ish futbollistja e FCR Duisburg 2001.

“Mezi pres ta nis punën te një skuadër me plot lojtare kualitative, të ushtroj çdo ditë me to. Do të dëshiroja ta jap kontributin tim për 1 FFC Frankfurt në vitet e ardhshme, për t’i arritur ambiciet e këtij klubi në të tria garat”, vazhdoi ‘Lira’.

Në fillim të këtij viti, edhe pse në një moshë mjaft të re, Bajramaj ishte zgjedhur nga FIFA futbollistja e tretë më e mirë në botë. Ajo ka debutuar në Bundesligë si 16 vjeçare, më 5 shtator të vitit 2004 me FCR Duisburg 2001. Një vit më vonë, më 20 tetor 2005, kishte debutuar në Kombëtaren gjermane, me të cilën ishte shpallur kampione e botës në vitin 2007 dhe e Evropës më 2009.

Pas transferimit të saj në 1 FFC Turbine Potsdam, në verën e vitit 2009, ajo e ka fituar UEFA Champions League dhe dy kampionate gjermane, falë shpejtësisë dhe teknikës së përsosur të futbollistes ofanzive. Ky fakt bëri që ajo të konsiderohet si njëra prej futbollisteve më të mira në botë, me gjasa reale që në të ardhmen ta fitojë ‘Topin e Artë’.

Këtë sezon ‘Lira’ ka realizuar 5 gola dhe ka dhuruar 10 asistime në 7 ndeshje në UEFA Champions League. Ndërkaq, në kampionatin gjerman ka shënuar 13 gola dhe ka dhuruar 12 asistime.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›