E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresë për të rinjtë

Njohësit e futbollit kosovar e përkrahin plotësisht idenë e selektorit të përfaqësueses, Albert Bunjaku, për formimin e ligës U21. Ata njëzëri mendojnë se kjo ligë do të ishte shpëtim për lojtarët e rinj, të cilët nuk kanë hapësirë në ekipet seniore të Superligës. Nga Moral Pozhegu më 19 prill 2011 në ora 12:25

Ideja e selektorit të përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, për formimin e ligës U-21 të Superligës, respektivisht ekipi i dytë i skuadrave elitare, ka gjetur mbështetjen e plotë të njohësve të futbollit kosovar.

Këta të fundit pajtohen plotësisht se lojtarët e rinj nuk kanë hapësira sa duhet në ekipet seniore dhe se krijimi i një lige të tillë do të ishte shpëtim për ta. Trajneri Jusuf Tortoshi e ka lavdëruar Bunjakun për përpjekjet dhe për punën e tij që po e bën në përfaqësuese, kurse sa i përket idesë, ai ia ka dhënë notën 10.

“Është ide shumë e qëlluar, e përkrahi plotësisht. Bunjaku punon që një kohë të gjatë në Evropë dhe e di se çka saktësisht i nevojitet futbollit kosovar. Veç shpresoj të ketë një projekt adekuat dhe të formohet kjo ligë. Është ide fantastike, e cila do ta ndihmonte zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe do t’i përgatiste ata për sfidat që i presin në futbollin profesional”, deklaroi ish trajneri i Flamurtarit.

Njëjtë mendon edhe ish trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi. Ferizajasi një pjesë të karrierës si futbollist e ka kaluar në Evropë, kështu që ai e di fort mirë rëndësinë e kësaj lige.

“Ta them të drejtën, është një ide shumë e mirë, ngase lojtarët e rinj po kanë në këmbët e tyre pak ndeshje me ekipet seniore. Si rezultat i kësaj, kur po dalin në ekipin e parë, ata po janë të papërgatitur dhe të papjekur. Madje ka prej tyre që nuk i dinë as rregullat dhe as se si të vendosen në fushë. E gjithë kjo për shkak të mungesës së lojës”, theksoi ai.

“Duhet vepruar njëjtë si në Gjermani, që ekziston ekipi i parë dhe ai amator. Kur një lojtar i nevojitet ekipit të parë, e merr atë. Kur nuk i nevojitet, lojtari nuk mbetet pa lojë, pas që aktivizohet me amatorët”, shtoi Abazi.

Edhe Genc Hoxha e përkrah nismën e Bunjakut. Trajneri gjakovar formimin e kësaj lige e sheh si mundësi të mirë për t’u pjekur dhe për të marrë përvojë lojtarët e rinj.

“Formimi i ligës U21 kish me qenë zgjidhje e mirë për futbollin e Kosovës. Kjo është një ide e qëlluar. Ky do të ishte shpëtim për futbollistët e rinj, që nuk kanë hapësira kushedi sa në ekipet e Superligës”, nënvizoi ish trajneri i Vëllaznimit, i Besës dhe i Hysit.

Në vitet e pasluftës, të rinjtë janë lënë anash nga klubet kosovare. Federata e Futbollit e Kosovës i ka obliguar klubet e Superligës që në ndeshje ta aktivizojnë së paku një lojtar nën 19 vjeç.

Por, sa mjafton kjo kur lojtarët e tjerë të rinj e ngrohin bankinën? Pra, liga U21, e cila është e pranishme në shumicën prej ligave evropiane, do të ishte shpëtim për talentët kosovarë, të cilët mund edhe t’i humbim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›