E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbijetesa, një arritje e madhe

Nga Express më 19 prill 2011 në ora 12:19

Erjon Bogdani ka qenë hero i Cesenës të dielën, në fitoren minimale 1:0 ndaj Barit. Sulmuesi shqiptar e shënoi golin e fitores, i cili e largon përkohësisht ekipin bardh e zi nga zona e ekipeve të rrezikuara për të rënë nga Serie A. Ai ndihet mirë për këtë fakt, por kërkon nga bashkëlojtarët që të mendojnë qysh tash për ndeshjen e ardhshme.

“Jam mjaft i kënaqur për golin. Ndoshta në të kaluarën kam bërë disa gabime, por nëse gabojnë lojtarët e mëdhenj si Ibrahimovic e Eto’o, mund të gaboj edhe unë. Në javët e fundit po e shoh se këmbët e mia lëvizin më mirë. Edhe kur jam inkuadruar në lojë nga bankina, gjithmonë jam munduar ta jap maksimumin për Cesenan”, deklaroi ‘Bogu’ pas ndeshjes.

“Ndeshja e sotme nuk ishte e lehtë të fitohej. Ia dolëm mbanë kundër një Bari, i cili luante me qetësi. Golin ia dedikoj vëllait tim, i cili këtë javë e festoi ditëlindjen. Tash do t’i kthehemi punës për derbin kundër Bolognas, ku dëshirojmë të fitojmë”, shtoi përfaqësuesi shqiptar.

Për Cesenën pesë ndeshjet e fundit të sezonit do të jenë si 5 finale. Këtë e di mirë edhe ish futbollisti i Chievos, i Veronës, i Sienës e i Livornos. “Nëse arrijmë të mbijetojmë në Serie A, kjo do të ishte një e arritur e madhe. Unë besoj në këtë arritje”, përfundoi Bogdani i cili shënoi golin e shtatë këtë sezon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›