E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zanetti thërret Mourinhon

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti ka mirëpritur spekulimet rreth rikthimit të Jose Mourinhos në drejtim të ekipit. Ikona e Nerazzurrëve thotë se portugezi i ka dyert e hapura në klub, për shkak të asaj që arriti me ekipin sezonin e kaluar. Mirëpo, presidenti Massimo Moratti ka insistuar se nuk është në kontakt me Mourinhon për rikthim në Giuseppe Meazza. Nga Express më 19 prill 2011 në ora 09:37

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti ka thënë se klubi do të mirëpriste Jose Mourinhon me krah të hapur, pas spekulimeve rreth rikthimit të tij në Giuseppe Meazza.

Mourinho udhëhoqi Interin drejt titullit në Serie A, Ligën e Kampionëve dhe Coppa Italia sezonin e kaluar, por skuadra ka vuajtur gjatë edicionit 2010-2011 nën drejtimin e Rafael Benitezit dhe së fundmi të Leonardos.

Mourinho ka thënë se do të mbetet në Real Madrid për sezonin e ardhshëm, “përderisa nuk shkarkohem nga mediet”. Por, duket se finalja e Copa del Rey kundër Barcelonës të mërkurën si dhe dy takimet e ardhshme me gjigantin katalan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve do të luajnë rol të rëndësishëm në të ardhmen e tij.

Me barazimin 1-1 të shtunën në El Clasico, Real Madridi pothuajse humbi shpresat për të fituar La Ligan, ku Barcelona ka epërsi prej tetë pikëve.

Spekulimet rreth rikthimit të Mourinhos në Inter janë intensifikuar në mediet italiane, ndërsa e përditshmja Gazzetta dello Sport raportoi se Mourinho ka kthyer fëmijët e tij në shkollën në të cilin kishin vijuar mësimet gjatë kohës së tij në Itali. Shkolla në Lugano është më pak se një orë nga qendra stërvitore e ekipit Appiano Gentile.

“Leonardo është duke bërë punë të mirë dhe nuk do të ishte e drejtë ta fajësojmë atë për rezultatet e fundit”, tha Zanetti dhe shtoi: “Dyert e Interit janë gjithmonë të hapura për Mourinhon për shkak të gjërave të jashtëzakonshme që arriti me këtë klub”.

Mourinho së fundmi lavdëroi presidentin e Interit, Massimo Moratti, si “njeri të shkëlqyeshëm, i cili i tregon botës së futbollit se si duhet të jetë një president”.

Edhe kreu i Nerazzurrëve, Moratti, ka komentuar spekulimet rreth rikthimit të Mourinhos në Inter. Por, ai i mohoi ato duke insistuar se nuk ekziston asnjë kontakt me strategun portugez për rikthimin e tij në klub.

“Kam lexuar në gazeta, por nuk ekziston asgjë me Mourinhon”, tha Moratti për Corriere dello Sport. Inter brenda një jave u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa u mposht nga Parma në Serie A, rezultat që e la atë tetë pikë prapa kryesuesit, Milan.

Moratti beson se periudha negative është pa dyshim një moment krize i ardhur si rezultat i lodhjes. Inter ka rast ‘ti jep fund periudhës së rezultateve negative në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Coppa Italia kundër Romës të mërkurën, që, sipas gjitha gjasave, përbën garën e vetme ku ata do të kenë rastin të fitojnë një titull gjatë këtij sezoni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›