Ferati, i Hysit
Edhe pse mori më së shumti përforcime gjatë dimrit - për dallim prej ekipeve tjera të Superligës – Flamurtari assesi nuk po e shijon dritën e kësaj pranvere.
Humbja e së dielës që e pësoi në shtëpi nga Hysi (0:1) ia ka vështirësuar jashtëzakonisht shumë punët kësaj skuadre në luftë për mbijetesë, pasi gjenden në vendin e parafundit të tabelës, pozitë kjo që çon direkt në një rang më të ulët të garave.
Për disfatën e fundit, prishtinasit fajësojnë gjyqtarin kryesor të takimit, Muhedin Ferati, i cili nga loja i kishte përjashtuar dy lojtarë të vendasve dhe një të mysafirëve. Trajneri i Flamurtarit, Abdyl Bellopoja, mendon se Ferati në takimin e së dielës ishte skandaloz në vendimet e tij.
“Ai erdhi në detyrë për ta dëmtuar Flamurtarin, përkatësisht për ta ndihmuar Hysin. Ai është faktori kryesor që ne humbëm. Nuk është hera e parë që ky refer e ndihmon Hysin, pasi edhe në edicionin e kaluar, ju kujtohet të gjithëve, në gjashtë ndeshje i kishte referuar Hysit dhe në të gjitha ato raste ai gjyqtar ishte bërë temë debati nga të gjithë. Atëherë ndoshta ai e ka mirë, e të gjithë ne të tjerët po gabojmë”, deklaroi Bellopoja për Express.
“Referi i kërcënonte dhe i provokonte lojtarët tanë vetëm për t’i hapur rrugë vetës që t’i ndëshkojë me kartuça të kuq e të verdhë dhe këtë ia doli ta bëjë. Kjo realisht është për t’u shkruar në historinë e Federatës”, shtoi ai.
Epilogu i ndeshjes Flamurtari – Hysi (0:1) bëri që lufta për titullin e kampionit mes Prishtinës e Hysit tani të nxehet jashtëzakonisht shumë, ashtu sikurse edhe beteja për mbijetesë mes Ferizajt, Flamurtarit, Vëllaznimit, Drenicës e Ballkanit.
“Gjyqtari ia dha fitoren Hysit, i cili me atë fitore tani iu ofrua Prishtinës në katër pikë, derisa humbja e padrejtë neve na rrezikoi akoma më shumë dhe lufta për mbijetesë tani është edhe më ndryshe”, thotë Bellopoja.
Sipas Bellopojës, me gjykim të tillë, sikurse bëri Ferati në ndeshjen Flamurtari - Hysi, futbolli kosovar nuk do të mund të përparojë, përkundrazi do të bëjë shumë hapa prapa.
“Ne po kërkojmë ndërkombëtarizim të futbollit. Realisht, ne kemi nevojë që njëherë të kombëtarizohemi e pastaj të ndërkombëtarizomi. Këto dukuri të brishta kanë bërë që stadiumet tona të mos vizitohen më shumë sesa nga 50 shikues. Njerëzit janë ngopur më me kësi lloj dukurish naive, andaj edhe nuk ua mësyjnë stadiumeve tona”, vazhdoi Bellopoja.
Megjithatë, në emër të kuqezinjve, Bellopoja dha një mesazh të qartë se skuadra e tij nuk do të dorëzohet në luftën për mbijetesë deri në minutën e fundit të ndeshjes së fundit.
“Ne do ta vazhdojmë luftën tonë, pavarësisht këtij dëmi të madh që na bëri gjyqtari, duke na humbur pikë shumë të rëndësishme. Shpresojmë të hasim në referim më të mirë dhe gjyqtarët duhet të kenë kujdes si asnjëherë më parë. Ne jemi optimistë...”, përfundoi Bellopoja.
Në anën tjetër, gjyqtari Muhedin Ferati i mohon akuzat e Bellopojës. Ai ndihet keq për akuzat, të cilat i ka marrë nga trajneri i Flamurtarit.
“Abdyl Bellopoja është larg futbollit që 3-4 vjet. Gabimet e veta nuk ka të drejtë të m’i veshë mua. Nëse nuk ka mundur Flamurtari ta mposhtë Hysin, nuk duhet të më akuzojë mua. Nuk e kam dëmtuar aspak Flamurtarin, madje kam respekt dhe simpati për këtë ekip. Kam pasur raporte të mira me Bellopojën, por ato që m’i ka thënë pas ndeshjes një pedagog si ai më ka ardhur turp, pasi ato fjalë nuk u thuhen as fëmijëve”, deklaroi Ferati.
“Sa i përket Hysit, nëse ka dikush fakte se i kam ndihmuar këtij ekipi, le të vijë tek unë. Unë e kam drejtuar ndeshjen e Hysit me Besën, të cilën e ka humbur ekipi llapjan. Mua nuk mund të më blejë askush”, vazhdoi Ferati i cili është ankuar në Komisionin Disiplinor të FFK-së ndaj fyerjeve të Bellopojës.