Fundi i protestave të PS-së, vetëm me bashkinë
Opozita socialiste mbylli dje javën e saj të protestave, ku në sheshin para Parlamentit mori pjesë një grup qytetarësh, të cilët nuk kalonin shifrat e protestave të bëra në ditët e kaluara. Podiumi i protestës u ngjit nga disa deputetë të PS-së në Tiranë, të cilët lëshuan akuza ndaj qeverisë, por ajo që ra në sy, ishte mungesa e krerëve të partive aleate, të cilët edhe në protestat e fundit kanë munguar. Deputetët e opozitës u bënë thirrje qytetarëve për bashkim në kërkesat për hapjen e kutive të votimit, por krerët e partive aleate mungonin në miting. Manifestimi i mbajtur dje në sheshin para sallës së Kuvendit, i pari i mbajtur para Kuvendit dhe ditën e lindjes së Stalinit, vijoi normalisht me pjesëmarrjen normale të qytetarëve në protestat e fundit të PS-së.
Në fjalën e tij, kreu i PS-së, Edi Rama, tha se protestat do të vijojnë në muajin janar dhe deklaroi se hapja e kutive është kusht i panegociueshëm. Ai kërkoi tërheqjen pas të akuzave të ardhura nga Kryeministri Sali Berisha dhe këtë e lidhi si kërkesë për dialog, ndonëse më pas përsëriti se “gjithçka gjendet në kuti”. Rama tha më tej se qytetarët nuk mund të festojnë, por duhet të protestojnë, pasi, sipas tij, vendi është i zhytur në krizë ekonomike. “Tirana dhe gjithë Shqipëria pret Krishtlindjet dhe Vitin e Ri nën renë e një krize ekonomike që fryhet përditë mbi kokat e të gjithë shqiptarëve. Ne protestojmë, sepse Tirana dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të festojnë”, - tha Rama. Hapja e kutive u cilësua nga Rama si një kërkesë e panegociueshme, pasi, sipas tij, “në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re”. “Ja pse jemi në protestë e jo në festë. Ne protestojmë, pasi jemi të fundit për nivel demokratik dhe për standarde zgjedhjesh, sepse kemi në krye një kampion për vjedhje votash e shkelje kushtetute”, - tha Rama. Kreu i opozitës shtoi se Partia Socialiste është e hapur për dialog, por ritheksoi kushtin për hapjen e kutive të votimit. “Jemi gati për dialog demokratik për zgjidhjen e krizës, jo për dialog në moshapjen e kutive, ky nuk është dialog, është mënyrë për të kaluar lumin. Ta harrojnë se kjo opozitë do të bëhet kalë për të kaluar lumin; ta harrojnë që kjo opozitë do të kthehet në Parlament për të folur përsëri për kutitë e pahapura”, - tha Rama në manifestimin e djeshëm para Kuvendit. Në protestën e djeshme folën edhe disa deputetë të zgjedhur të PS-së në qarkun e Tiranës, si Ilir Gjoni, Eduart Shalsi, Saimir Tahiri, Ledi Shamku, Namik Dolke etj., por në miting u vu re mungesa e daljes në podium të aleatëve të majtë.