Idrizi i përgjigjet Dules: S’do të blesh dot më vota me viza
Polemika mes dy krerëve të partive parlamentare, Shpëtim Idrizi e Vangjel Dule, kaloi dje në akuza politike. Gjatë një konference për shtyp në mesditë, i pyetur nga media, kreu i PBDNJ-së, Dule, akuzoi Partinë për Drejtësi dhe Unitet se ka protestuar kundër integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo akuzë e lëshuar nga Dule gjeti reagimin e ashpër të kreut të PDU-së, Shpëtim Idrizi, i cili deklaroi më pas për mediat se i vetmi kundër integrimit të vendit është Vangjel Dule. Idrizi deklaroi se shqiptarët do të udhëtojnë së shpejti pa viza dhe, sipas tij, Dule nuk arrin dot më të blejë vota shqiptarësh me viza. “Askush brenda popullit shqiptar më shumë se çamët nuk e kërkon integrimin evropian. Integrim evropian për ne do të thotë liri lëvizjeje. Do të thotë kuadër ligjor dhe drejtësi për krimet e së kaluarës nga armiqtë e njerëzimit, që frymëzojnë Dulen si bashkëpunëtori i nazistëve, Napoleon Zerva. Ju zoti Dule jeni kundër integrimit evropian të Shqipërisë, sepse do të mbeteni pa karta presioni në dorë ndaj Tiranës; sepse s’do të ketë më blerje të votës me viza. Së shpejti shqiptarët do të fitojnë të drejtën të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian. Në këtë ditë fatlume edhe çamët do të kenë të drejtë të udhëtojnë të lirë në zonat ku kanë jetuar të parët e tyre dhe ku janë të paprekura gjurmët e krimeve të kryera mbi ta. Askush më shumë se komuniteti çam nuk është më i interesuar për marrëdhënie të mira me Greqinë”, - deklaroi Idrizi. Kreu i PDU-së i cilësoi më tej deklaratat e Dules si provokim i rëndë ndaj komunitetit çam në Shqipëri. “Ai foli për “objektiva fantazmë”, “për parti në koalicionin me Berishën, që janë të lidhura me të shkuarën”, “kundër integrimit evropian”, që protestojnë kundër Bashkimit Evropian etj., etj. Këto fjali provokative ndaj një partie të ligjshme shqiptare, me karakter kombëtar, janë dëshmi e krizës së këtij drejtuesi të PBDNJ. Kjo parti është shpallur si parti e të drejtave të njeriut, por pozicioni i Dules ngjan si i një ekstremisti grek”, - tha më tej Idrizi. Në të njëjtën deklaratë, Idizi përsëriti se qëndrimi i Dules është ekstrem dhe provokim që s’ka lidhje me minoritetin, pasi sipas tij, çamët kërkojnë bashkëjetesë të shkëlqyer me këtë komunitet. “Zoti Dule i ka ndërruar aleancat zgjedhore, jo prej partisë së komunitetit çam, me të cilën ishte bashkë në zgjedhjet lokale të 2007-s, por për llogaritë e veta personale. Qëndrimet e zotit Dule janë një provokim, që nuk e kemi nxitur ne, pasi ne kemi qenë dhe jemi gjithmonë në mbështetje të të drejtave të minoritetit. Zoti Dule nuk mund të kërkojë të rizgjidhet duke bërë ekstremistin dhe duke provokuar 300 mijë çamë e të gjithë shqiptarët”, - tha Shpëtim Idrizi, i cili shtoi: “Objektivat tona janë evropiane. Shumë qytetarë të popullit çam nuk shkojnë dot në Greqi, sepse u refuzohet viza, një veprim ky i vazhdueshëm - pseudoevropian i ambasadës greke, por kjo s’do të thotë se ata nuk ndihen evropianë, siç pretendon se ndihet zoti Dule, që shkon shpesh në Greqi”. Në fund të deklaratës së tij, deputeti Shpëtim Idrizi tha më tej: “Ne besojmë shumë se qeveria e zotit Papandreu, në respekt të traditës më të mirë të së majtës greke, do të hapë për mirë kapitullin e padrejtësive ndaj komunitetit çam, pjesë vitale e kombit shqiptar”.