E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Partia Socialiste të mbledhë tryezën opozitare

• Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kërkoi të martën mbledhjen urgjente të tryezës së partive opozitare, për të diskutuar dhe vendosur një taktikë të përbashkët për ndryshimet në Kushtetutë, lidhur me reformën elektorale.

"Ne propozojmë një korrigjim në amendamentet e propozuara nga PS, vendosjen e sistemit proporcional klasik dhe jo rajonal", tha në një komunikim me median kryetari i PDS-së. Sipas tij: "Kjo i shmang shqetësimet parimore që ka ngritur PS dhe rindërton urat e prishura të besimit tek e majta që janë shkatërruar nga mosmarrëveshjet për reformën zgjedhore". Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Milo tha se "ato nuk mund të fitohen me një të majtë të përçarë". Ai i bëri një thirrje publike Edi Ramës që të mos dëgjojë zërat e sirenave të përçarjes të së majtës, që do ta mbajnë larg të majtës së re dhe politikës së re. "I kërkojmë PS të mos marrë mbi vete përgjegjësinë e bashkëpunimit me PD  e vetme dhe pa aleatët e saj të natyrshëm, sepse është provuar që në të gjitha rastet çdo bashkëpunim i tillë, jo transparent me zotin Berisha është kthyer më vonë në bumerang kundër vetë PS-së", tha Milo. Nga ana tjetër Milo vlerësoi se tani duhet të fillojë puna reale për realizimin e reformave të domosdoshme për ecjen përpara të vendit, me qëllim integrimin e plotë në NATO dhe në BE. "Tani duhet të marrin fund deklaratat festive dhe sloganet populiste, pasi në të kundërt Shqipëria do të mbetet larg aspiratave të shqiptarëve", tha Milo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›