Fundjava e legjionarëve në Gjermani

www.albania-sport.com - Edmond Kapllani nuk ia doli dot të ndëshkojë ish-skuadrën e tij, Augsburgun, në humbjen 1-0 të Tus Koblencit në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-t të Bundesligës 2 gjermane.
Sulmuesi shqiptar ishte vendosur nga trajneri Sander në një pozicion qëndror në sulm, duke rrezikuar seriozisht vetëm një herë gjatë 90 minutave në të cilat u ndëshkua edhe me një karton të verdhë. Ervin Skela edhe në këtë ndeshje luajti si zëvendësues, duke u futur në fushë në minutën e 63-të.
FSV Frankfurti i Jurgen Gjasulës barazoi 0-0 me Energi Kotbusin në 90 minuta të plotë të mesfushorit shqiptar (pati një rast goli në minutën e 10-të).
Në Bundesligën 1, Mainc 05 humbi në shtëpi 2-1 me Verder Bremen, por Jahmir Hyka qëndroi gjatë gjithë kohës në bankinë.
Përballja midis Mërgim Mavrajt (refuzoi së fundi ftesën për një vend në Kombëtare) dhe Albert Bunjakut në takimin Bokum-Nuremberg përfundoi pa gola, por me Bunjakun që u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 87-të (90 minuta të plota për Mavraj).
Bunjaku lëshoi një predhë nga 17 metra në minutën e 57-të, ndërkohë që Çupo-Muting e shndërroi Mavrajn në një “tunel” në të 60’.
Në Bundesigën 3, Erzgebirge Aue e Skerdilajd Currit dhe Alban Ramajt (60 minuta) fitoi 1-0 me Vupertaler të Fatmir Vatës, ndërkohë që golin e fitores e shënoi Agyemang (85’). Fatmir Vata hyri si zëvendësues në minutën e 70-të.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Shtune, 27 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili