E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundjava “heroike” e Vangjelit, në një ditë bën gjithçka

 

E nis me karton të verdhë, vazhdon me dy asiste të kthyera në gol, më pas merr shiritin e kapitenit dhe në fund ka vetëm urime. Kristi Vangjeli është kthyer në formën e tij më të mirë te Arisi i Selanikut. E diela në ndeshjen kundër OFI-t të Kretës, ka qenë e gjitha e tij, teksa si një fantazist i vërtetë ka dhënë dy pasime të arta për gol dhe ka shijuar për 20 minuta shiritin e kapitenit të ekipit. Drejtuesit e klubit, por më shumë tifozët, e kanë duartrokitur gjatë pas ndeshjes prezantimin e mbrojtësit të Kombëtares, që edhe në sfidën kundër Danimarkës, shfaqi një formë të mirë. Në fitoren 4-1 ndaj OFI-t, ai luajti 90 minuta, duke bindur edhe ata të cilën nuk i besonin shumë në klubin selanikas. Tashmë koha e lënies në stol ka marrë fund dhe mbrojtësi ia shpërblen trajnerit të Arisit, brazilianit Iomar Mazinjo, me një lojë të shkëlqyer. “Po kaloj një formë shumë të mirë dhe jam i lumtur për këtë,”- tregon Vangjeli në një bisedë për “Panorama”. – Kundër OFI-it luajta titullar në pozicionin e mbrojtësit të djathtë. Në golin e parë, në minutën e 10-të, krosova për sulmuesin Havito, që realizoi me kokë. Ndërsa në golin e tretë, gjeta të lirë në zonë, Kaboran, pas një dalje të gjatë nga krahu i djathtë”. Përtej këtij rikthimi në ditët e tij më të mira, ajo që e ka emocionuar më shumë 23-vjeçarin korçar, është mbajtja e shiritit të kapitenit për 20 minuta në pjesën e dytë. “Pas daljes nga fusha të shokut të ekipit, Serxhio Koke, shiriti më takoi mua, si lojtari më me shumë ndeshje te Arisi. Natyrisht që kjo ishte një emocion më vete dhe më motivoi më tepër. U ndjeva shumë i lumtur, kur tifozët dhe stafi teknik bashkë me drejtuesit e klubit më përgëzuan për këtë paraqitje. Kishte edhe nga ata të cilët me shaka më thonin: lojtarin më të mirë e kanë lënë në stol. Është një moment që kisha kohë që e kërkoja”, - thotë mbrojtësi kuqezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›