E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Rama thërret ish-policët

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist Edi Rama zhvilloi dje një takim me ish drejtues të Policisë së Shtetit, të larguar nga puna pas 2005. Takimi, i cili u zhvillua pa praninë e mediave në selinë rozë, mësohet se kishte si qëllim angazhimin e tyre në zgjedhjet e 28 qershorit në ruajtjen e votës. Ashtu si në zgjedhjet për pushtetin vendor, në shkurt 2007, edhe në zgjedhjet e qershorit, kërkohet sipas socialistëve një angazhim dhe kujdes i madh për të garantuar votën që shqiptarët do të hedhin në kutitë e votimit. Mësohet se në realizimin e këtij qëllimi, nisur dhe nga përvoja që kanë në detyrat që kanë kryer, është kërkuar një organizim i detajuar i tyre për të pasur nën mbikëqyrje të gjitha qendrat e votimit, kryesisht në Tiranë ku dhe numri i deputetëve është më i madh se në qarqet e tjera. Në këtë takim mes të tjerëve kanë qenë ish-drejtori i Gardës së Republikës, Arben Çuka, ish-drejtori i Policisë së Tiranës dhe zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Pierin Ndreu, i cili ka qenë anëtar i forumeve drejtuese të LSI, ish-drejtues të tjerë si Xhevahir Karaj, Artan Didi, Gëzim Goxhi etj. Problematike janë paraqitur në këtë takim qytetet e veriut, ku në zgjedhjet e kaluara janë raportuar më shumë raste presioni ndaj votuesve për të mos dalë në votim, ose për të votuar për kandidatët e djathtë. Një pjesë e ish- drejtuesve të policisë së shtetit të larguar nga puna, janë me origjinë nga veriu, gjë që ka dhënë një garanci për selinë rozë për realizimin me sukses të këtij angazhimi në ruajtjen e votës së shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Burime nga takimi thanë dje se kryetari socialist Edi Rama i ka cilësuar largimet e tyre nga puna krejtësisht politike, duke akuzuar qeverinë aktuale se nuk ka pasur asnjëherë si qëllim forcimin e shtetit të së drejtës. Sipas tij, largimi i specialistëve të kësaj fushe, një pjesë e mirë e të cilëve janë trajnuar edhe nga institucionet ndër-kombëtare të sigurisë, duke marrë dhe shumë certifikata aftësie në fushën e rendit dhe sigurisë, ka pasur si synim largimin e specialistëve dhe vendosjen në vend të tyre të militantëve të PD-së, të cilët duhet të zbatonin urdhrat politikë të ekzekutivit. Mësohet se Rama i ka thënë atyre për një rishikim pas 28 qershorit të të gjitha procedurave të largimit të tyre, duke vënë drejtësinë në vend.

Vendoret
Në zgjedhjet vendore të shkurtit 2007, Partia Socialiste si asnjëherë tjetër në Tiranë pati një mbështetje mjaft të madhe në ruajtje të votës. Ish-deputeti socialist Paulin Sterkaj, dikur drejtues dhe njohës i mirë i strategjive të sigurisë, drejtoi gjithë procesin e ruajtjes së votës në qytetin e Tiranës, duke garantuar sigurinë, si për anëtarët e komisioneve, ashtu dhe për votuesit. Zgjedhjet vendore të atij viti nuk regjistruan incidente në qendrat e votimit por dhe as kontestime apo akuza për manipulim të rezultatit nga forcat politike.

Largimet
Pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në korrik 2005, Ministria e Brendshme nisi një reformë të gjerë dhe graduale, e cila u shtri në dy vjet. Drejtuesit e lartë të policisë në qarqe nuk u larguan menjëherë nga posti i tyre, por u transferuan në rrethe kryesisht veriore, larg vendbanimit dhe familjes së tyre. Kjo bëri që pjesa më e madhe e tyre të jepte dorëheqjen, duke e konsideruar këtë një mënyrë për t’i larguar ata nga detyra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›