E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundoset anija me emigrantë për në Itali, 79 të zhdukur

Një anije me emigrantë që po udhëtonin drejt brigjeve italiane është fundosur dje. Është konfirmuar një person i vdekur, 56 të shpëtuar, ndërsa 79 persona rezultojnë të zhdukur. Roja bregdetare italiane dhe anije të NATO-s po zhvillojnë kërkime në ujërat përreth ishullit të Lampeduzës. Të mbijetuarit thanë se në varkë udhëtonin rreth 136 persona dhe se mbytja e mjetit lundrues ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes. Lampeduza, 120 kilometra larg Tunizisë, është një nga portat hyrëse më të afërta për emigrantët afrikanë që shkojnë drejt Europës. Një zëdhënës i rojës bregdetare tha për Associated Press se të mbijetuarit dyshohen të jenë të gjithë tunizianë. Një ditë para këtij incidenti, një tjetër anije me emigrantë nga Lindja u mbyt në brigjet turke, ku humbën jetën 60 persona, 31 prej të cilëve ishin fëmijë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›