Qeveria spanjolle kerkon te dije kushtet e planit te shpetimit
Spanja dëshiron të dijë se cilat do të jenë kushtet para se të kërkojë një plan shpëtimi. Lajmi është konfirmuar nga qeveria spanjolle, ndërsa shtypi vendas ka hedhur dyshimet se Madridit do i imponohet një kusht i vështirë në këmbim të blerjes së detyrimeve nga ana e Bankës Qendrore Europiane. Me pak fjalë do të ketë shkurtime të reja. “Bëhet fjalë për vendime që nuk mund të merren me nxitim, pra nga sot nesër, ka thënë zëvendës presidentja e qeverisë Soraja Santamaria. Janë vendime që kanë implikime të rëndësishme për vendin tonë dhe të ardhmen tonë, ka vazhduar ajo. Por për këto kushte nuk është biseduar aspak në takimin e të enjtes mes kreut të qeverisë Mariano Rajoi dhe kancelares gjermane Angela Merkel. Madridi këmbëngul se nuk ka asnjë qëllim për të prekur pensionet. Opozita socialiste ka vënë alarmin për masa të reja që do të përktheheshin me më shumë shkurtime. “Qeveria duhet të lëvizë dhe të shkojë në Bruksel e të shpjegojë se nuk mund të bëjmë sforcime të tjera në drejtime të gabuara, thotë Rubalkaba, përfaqësuesi I opozitës. Ai më tej ka shtuar se këto janë vendime të një politike të gabuar ekonomike, dhe që Spanja ka nevojë që të çlirohet sa më shpejt nga ky presion. Kreditë e mëdha të rajoneve, kriza e bankave dhe kontraksionet ekonomike e kanë shtyrë Madridin në prag të kërkesës së një plani shpëtimi.