Fundoset një anije me emigrantë në Indonezi

Një anije me 380 emigrantë ilegalë u fundos në ujërat afër ishullit indonezian Java, ndërsa druhet se ka shumë të vdekur, duke pasur parasysh faktin se deri më tani nga deti janë nxjerrë vetëm 76 persona.
Përfaqësuesi zyrtar i Agjencisë për gjendje të jashtëzakonshme, Sahrul Arifin, deklaroi se dallgë të mëdha e kanë përmbysur anijen, që pastaj është fundosur, rreth 90 kilometra nga bregu.
Arifin theksoi se besohet se shumica e emigrantëve janë nga Irani dhe Afganistani dhe se kanë qenë në rrugë për në Australi, transmetojnë agjencitë botërore.
Policia konsideron se fatkeqësia ka ndodhur për shkak se në anije ndodheshin dy herë më shumë njerëz nga numri i parashikuar që ka mundur t'i transportojë, theksojnë mediat amerikane.
Sipas njërit prej personave të mbijetuar, në anije ndodheshin të paktën 40 fëmijë.