E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundviti, 300 kërkesa për falje presidenciale

Edhe këtë fundviti Presidenca po përballet me një numër të madh kërkesash për falje. Burime pranë zyrës juridike të kryetarit të shtetit bëjnë të ditur se deri tani kanë mbërritur afro 300 kërkesa nga të burgosurit që kërkojnë të përfitojnë faljen presidenciale. Presidenca është në pritje të kërkesave të tjera deri në momentin që do të shpallë përfituesit nga dekreti i faljes. Adresat janë nga Drejtoria e Burgjeve, institucione të ndryshme shtetërore, por dhe individë të veçantë që shpresojnë në firmën e kryetarit të shtetit. Burimet sqarojnë se këtë vit do të ketë më shumë të amnistuar për faktin se vjet nuk kishte asnjë falje për festat e fundvitit. Po ashtu, Presidencës i janë drejtuar edhe shumë gra dhe të mitur që duan amnisti nga Parlamenti. Letërdërguesit, ku kanë bashkangjitur dhe dosjen përkatëse sipas proceduarave që kërkohen nga zyra juridike e Presidentit, kanë të bëjnë më tepër me ata që kanë kryer më shumë se gjysmën e dënimit ose që u kanë mbetur vetëm pak kohë për të shlyer dënimin. Deri tani Presidentit i janë drejtuar me propozim për falje vetë të dënuarit apo familjarët e tyre, disa institucione qendrore, organizata joqeveritare, organe përfaqësuese ose ekzekutive të pushtetit vendor (komuna dhe bashki), gjykatat, prokuroritë etj. Tashmë Presidenca ka përcaktuar kriteret e reja për të gjithë të dënuarit që përfitojnë falje në fund të këtij viti. Janë një sërë dokumentesh, ndryshe nga ato të viteve të kaluara, të cilat nisin me kërkesën për falje nënshkruar nga i dënuari ose familjarët e tij drejtuar Presidentit të Republikës. Në këtë kërkesë duhet të jepen domosdoshmërisht të dhëna lidhur me veprën penale për të cilën është dënuar personi, numrin dhe datën e vendimit gjyqësor, gjykatën që e ka dhënë vendimin, dënimin e dhënë ndaj tij nga gjykata, datën e arrestimit, masën e dënimit të vuajtur deri në atë moment, si dhe dënimin e mbetur, gjendjen familjare, shëndetësore të të dënuarit dhe arsyen pse kërkohet falja. Ligji nuk përjashton asnjë të dënuar, pavarësisht nga lloji i veprës penale për të cilën është dënuar që të kërkojë nga Presidenti i Republikës faljen e dënimit ose zëvendësimin e tij. Një tjetër kërkesë është vendimi gjyqësor i formës së prerë lidhur me dënimin e tij (vendimi i gjykatës së rrethit, ku pasqyrohen të gjitha ndryshimet që ka pësuar ky vendim në shkallë të ndryshme të gjyqësorit). Përveç kësaj, kërkohet certifikatë lindjeje dhe certifikatë familjare e të dënuarit. Dhe dokumenti tjetër ka të bëjë me dëshminë e penalitetit të të dënuarit. Dokumentacioni i lartpërmendur duhet të jetë origjinal ose fotokopje e noterizuar, si dhe të niset zyrtarisht nga propozuesi, dhe jo nga i dënuari apo familjarët e tij, pasi në të kundërt, nuk do të konsiderohet i vlefshëm për çeljen e procedurave të faljes dhe Drejtoria Juridike dhe e Koordinimit pranë Institucionit të Presidentit të Republikës do t`ia kthejë dokumentet dërguesit me qëllim që të nisen zyrtarisht nga propozuesi. Vërtetimet (të dhënat) mbi kohën e vuajtjes së dënimit, institucionin e vuajtjes së dënimit, për të dënuarit që vuajnë dënimin nëpër burgje dhe të dhëna të ngjashme merren nga institucioni i Presidentit të Republikës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Gjithashtu, edhe të dhënat mbi sjelljen e të dënuarve në burgje, gjendjen e tyre shëndetësore ose gjendjen ekonomike dhe familjare të të dënuarit, merren zyrtarisht nga institucioni i Presidentit tek institucionet përkatëse dhe nuk janë dokumente të detyrueshme, që i kërkohen personit që e ka bërë kërkesën për ta sjellë bashkë me kërkesën në institucionin e Presidencës. Gjithashtu, nuk ekziston një formular standard për bërjen e kërkesës, kërkesa do të bëhet nga i dënuari ose të afërmit e tij dhe duhet të përmbushë kërkesat e mësipërme dhe duhet të dërgohet në institucionin e Presidentit të Republikës nga propozuesi, bashkë me dokumentet e tjera. E drejta e faljes është një e drejtë vetëm e Presidentit të Republikës, një e drejtë kushtetuese që ia jep ligji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›