E Diel, 1 Nëntor 2026

Funerali i PS

Edmond Arizaj 

Dje morëm pjesë në përcjelljen e fundit të tsë njohurës Partia Socialiste dhe ishim dëshmitarë të lindjes nga hiri i saj i së resë Partia e Edi Ramës. Partisë Socialiste, trashëgimtares së Partisë së Punës, flamurtares për 20 vjet të demokracisë partiake, shpresëdhënëses për shumicën e shqiptarëve për vite me rradhë të represionit “antikomunist”, mbijetueses së shtrëngatave më të fuqishme dhe fitimtares së përhershme, ia morën shpirtin. Prej sot gjallon një parti tjetër, e ngritur skutave dhe errësirës, e cila merr frymë sipas mushkërive të Edi Ramës, ecën sipas hapave të Edi Ramës, mendon sipas dalldisë së Edi Ramës, rreh sipas zemrës së Edi Ramës. 
Dje Edi Rama bëri hapin tjetër, më të rëndin, drejt pushtetit absolut; pushtoi Partinë Socialiste, atë parti që nuk arriti ta zotërojë kurrë as krijuesi dhe moderatori i saj Fatos Nano, atë parti që nuk e bëri kurrë të tijën as kryeministri më i mirë i saj Ilir Meta, këtë parti që nuk e pati asnjëherë plotësisht nën këmbë tutori i saj, Gramoz Ruçi. Por Edi Rama ia arriti. Ai e nënshtroi Partinë Socialiste, e mbështolli në dorën e tij të madhe dhe ashtu si Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës, tashmë mund të presim ta shtrydhë si të dojë dhe sa të dojë dhe me kë të dojë dhe deri kur të dojë.
Dje Edi Rama i dha dërrmën shpresës së shqiptarëve se më në fund demokracia e vërtetë do të mbërrijë edhe në Shqipëri. Edi Rama i bëri shqiptarët qorra, votuesit e PS i bëri shurdhë, ndërsa socialistët qorra, shurdhë dhe memecë. Ai ndërmori iniciativën më të errët të jetës së Partisë Socialiste, mbylli dyert e kongresit për mediat pas një paraqitjeje qesharake dhe fyese për inteligjencën më të rëndomtë të “manipulimeve zgjedhore” dhe një fjalimi të zorshëm të Gramoz Ruçit. Për herë të parë, një kongres i Partisë Socialiste, zhvillohej sikur po formohej Partia Komuniste në 1941; të gjithë e dinë që po bëhet, por askush se çfarë thuhet.
Dje Edi Rama dha spektaklin më të turpshëm për një kryetar partie, aq më tepër për një kryetar të një partie të madhe. Nuk preferoi të dëgjonte të ashtuquajturit kundërshtarë të tij brenda partisë, nuk denjoi të mbante shënim se çfarë thoshin e çfarë kërkonin (ky që ka mbajtur shënim me mijëra kërkesa gjatë dialogëve me shqiptarët), nuk u bë as kurioz se mos diçka mund t’i hynte në punë, në punën e tij për pushtimin total të Partisë Socialiste, nuk i shëmbëlleu as shëmtuar Sali Berishës, apo Fatos Nanos. Ishte një kopje shumë e keqe e Berishës dhe as që i afrohej Fatos Nanos, njeriut që i dha tetë vjet pushtet PS-së dhe që PS e ndërroi me njeriun që po e mban në tetë vjet opozitë.
Dje Edi Rama tregoi fytyrën e vërtetë të një antidemokrati, tregoi egon e vërtetë të një gjithëpushtuesi, tregoi shpirtin e vërtetë të një pseudointelektuali. Ai zhduku brenda pak orësh, luftën shumëvjeçare të Partisë Socialiste për demokraci të brendshme, ai eliminoi brenda një dite sakrificat qindra ditore të socialistëve për fjalën e lirë, ai zhbëri në disa momente, përpjekjet titanike të shqiptarëve të majtë për transparencën dhe gjykimin vetjak mbi atë që shohin dhe dëgjojnë e jo mbi atë që u thonë e u lexojnë. Fatkeqësisht bashkëpunëtorë të tij në këtë krim demokratik (ka krim penal dhe krim civil, duhet të ketë edhe një krim demokratik që dënohet jo nga ligji), ishin edhe disa bashkëluftëtarë për çlirimin e Partisë së parë Socialiste nga vargonjtë e Partisë së Punës. Edi Rama tashmë i ka infektuar.
Dje Edi Rama rrëfeu para gjithë Shqipërisë se nuk ka as ndjenjën më të vogël të ndërgjegjes, nuk ia ndjeu për humbjen në zgjedhje, nuk mbajti asnjë përgjegjësi për këto katër vite të vështira që do të kalojnë socialistët, nuk dha llogari pse nuk u përball si udhëheqës dhe lider me Berishën, apo me Metën, qoftë edhe mediatikisht, nuk u shfajësua pse s’mori në dorë komandën e ushtrisë së majtë, por mjaftohet sot duke u qaravitur se kundërshtari luftoi ashpër dhe fort dhe duke gjetur tradhtarë mes gjeneralëve dhe ushtarëve të tij. Nuk dha qoftë edhe për një sekondë të vetme ashtu si në këto katër vite të dhënat e një politikani, megjithëse deklaron monotonisht se nuk është politikan (njësoj si të shkosh në ekspozitë pikture, të thuash se nuk je piktor, por ke një mision nga Da Vinçi dhe artdashësit).
Dje Edi Rama nuk mundi as Blushin, as Malajn, e as ndonjë tjetër. Dje ai mundi demokracinë në parti dhe tregoi hapur se sa i rrezikshëm është për demokracinë e Shqipërisë. Fatkeqësia e shqiptarëve është se duhet të kënaqen me demokracinë (nëse e quajmë dot kështu) që u siguron Berisha, si e keqja më e vogël. Sepse dje Partisë Socialiste iu bë funerali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›