E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shporta me karavidhe

Edmond Tupja 

Me siguri që lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës e di fort mirë se çfarë janë karavidhet: një lloj gaforresh që kanë një të ecur ...karakteristike ngaqë, kur ecin përpara, duken sikur zbythen. Veç kësaj, ato kanë dy kthetra të fuqishme të përparme dhe janë në ngjyrë rozë të feksur. Në kuptimin e figurshëm, të paktën sipas “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (Tiranë, 1980), karavidhe i thonë një njeriu të paqëndrueshëm e dredharak, që vetë nuk rri i qetë e nuk lë të qetë as të tjerët; quhet “shportë karavidhesh” një grup njerëzish pa karakter e dredharakë, që nuk merren vesh, grinden e kacafyten vazhdimisht dhe i hanë kokën njëri-tjetrit (në këtë çast, miku dhe kolegu im i ri Françesk Armadhi, ky njeri me një kombinim të habitshëm erotik të emrit me mbiemrin që mban, më kërkon të saktësoj se për ç’kokë e kam fjalën, por unë nuk po i përgjigjem këtij provokimi vulgar nga ana e tij).
Pra, ishim e po qëndrojmë te shporta me karavidhe në kuptimin e figurshëm të fjalës “karavidhe”. Do t’i lutesha lexuesit të sotëm ta vriste sado pak mendjen e çmuar e të zhdërvjellët për të gjetur, në situatën e këtyre ditëve të vaposura shqiptare, se cili organizëm, cili forum, cili grupim njerëzish të kujton fort pikërisht shportën me karavidhe. Si? Nuk po e gjeni dot? Pa mendohuni mirë: në gjirin e cilit organizëm, cilit forum, cilit grupim njerëzit po grinden e kacafyten pareshtur duke u orvatur plot epsh të nëndheshëm t’i hanë kokën njeri-tjetrit (zoti Françesk Armadhi, e teprove tani, më lër të qetë, se fjalën e kam vetëm për kokën që ata mbajnë mbi supe, na, se më hëngre shpirtin duke më përsëritur të njëjtën kërkesë!)? Doni t’ju ndihmoj? T’ju jap ndonjë të dhënë që do t’jua lehtësonte përgjigjen e vonuar? Mirë, pra, po ju them se bëhet fjalë për tubimin më të rëndësishëm të një organizate me peshë në aktualitetin shqiptar. Çfarë organizate? Një organizatë e madhe jo kulturore, në gjirin e së cilës jo rrallë njerëzit tregojnë pak kulturë në marrëdhëniet e tyre. Si? Edhe një herë? Po, ju lumtë, e gjetët!
E gjetët më në fund. Bëhet fjalë për Partinë Socialiste të Shqipërisë, këtë avatar të Partisë së Punës së Shqipërisë, të paktën për një pjesë të kontingjentit të militantëve dhe përsa u përket taktikave e metodave të ndjekura në zhvillimet politike për të rrëmbyer pushtetin e për ta mbajtur atë “me çdo mjet dhe me çdo çmim”, rrjedhimisht edhe me dhunë, të paktën sipas zëdhënëses së saj (e cila, me siguri, ka lexuar papagallisht e karavidhisht deklaratën, e karfosur deri në karikaturë nga Kryetari, me shprehjen në thonjëza) gjatë zgjedhjeve të fundit legjislative. Kjo Parti, sidomos gjatë punimeve të Kongresit të saj të këtyre ditëve, është shndërruar mirëfilli në një shportë të frikshme karavidhesh. Kryekaravidhi karizmatik nuk pranon aspak të japë dorëheqjen karavidhore siç e përcakton statuti i partisë së vet, përkundrazi: si kryekaravidh 24 karat që është, po e kargatit situatën për t’u shtrënguar (karamba!) vidhat kundërshtarëve të vet. Një pjesë e karavidheve po përleshet e po bëhet përshesh me pjesën tjetër; të dy palët, ashtu si karavidhet në natyrë, janë rozë, njëra më e feksur, tjetra më e zbehtë, por rozë gjithsesi, ngjyrë gjaku përzier, ku më shumë e ku më pak, me pështymë fjalimesh, sharjesh, provokimesh e kundërprovokimesh dhe reagimesh, reagimesh pa mbarim. Kjo situatë është tendosur, pra, deri në atë pikë sa, darkave vonë, rreth e përqark selisë rozë, përbri Bankës së Shqipërisë, bie erë peshk ose, më saktë, erë karavidhesh që janë gjakosur duke u kacafytur me njëra-tjetrën deri në orgazëm të organizuar fuqishëm (shpesh pa rrokjen e parë të kësaj fjale të fundit) nga palët ndërkacafytëse.
Oh, e shoh me sytë e mendjes lexuesin të më qortojë për këtë karikaturizim të tepruar të gjendjes para, gjatë e paskaravidhore në gjirin e Partisë Socialiste. Por karikaturizimi im nuk është asgjë në krahasim me karikaturizimin e përbindshëm që më pëshpërit në vesh Françesk Armadhi, ku fjala “karavidhe” analizohet erotikisht, madje pornografikisht, duke i veçuar tri shkronjat e saj të para, pastaj duke zëvendësuar germën “v” me atë “p” e duke i përballur me afsh dy fjalët e përftuara në këtë mënyrë, mandej duke ia zëvendësuar skatologjikisht fjalës “shportë” germën “t” me atë “dh”, kështu që erës së gjakut të përzier me pështymë i shtohet edhe era e shportës ku germa “dh” i ka lëshuar vendin asaj “t”, dhe qendra e Tiranës kutërbon e tëra qoshe më qoshe, më keq se Lana para rënies së shiut, deri në afiksi të qytetarëve që, po të vazhdojë kjo situatë në gjirin e partisë-shportë socialkaravidhore të Shqipërisë, do të detyrohen të nxjerrin kundërgazet e zboreve të dikurshme që të qarkullojnë nëpër rrugët dhe sheshet e Tiranës duke shmangur, të paktën për aq kohë sa do ta gjykojnë të nevojshme, kalimin nga ana jugore e Bankës së Shqipërisë, ngjitur me Selinë rozë që po përgatit ethshëm zbythjen e Partisë Socialiste drejt së ardhmes së saj karavidhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›