E Shtunë, 31 Tetor 2026

Funerali i Zekës mbledh PD-në në Durrës

Mes lotëve të miqve
dhe të afërmve është
përcjellë dje për
në banesën e fundit,
Artan Zeka, i cili vdiq nga dora e
bashkëfshatarit të tij. I riu është
përcjellë për në banesën e fundit
edhe nga figura të shumta politike
të së djathtës. Kryeparlamentarja
Jozefina Topalli ka premtuar se
forca e ligjit do të bjerë fort mbi
vrasësin e Artanit, ndërkohë që
kandidati për deputet i djathtë
për Qarkun e Durrësit, Ferdinand
Xhaferri, e ka cilësuar të ndjerin si
njeriun që vdiq "duke mbrojtur
simbolin e PD-së, simbolin e përparimit
dhe të ardhmes". Paraditen
e djeshme, të riut që humbi
jetën nga një breshëri automatiku
e shkrehur mbi të pas një sherri të
nisur për vendosje posterash elektoralë
iu dha lamtumira e fundit.
Në ceremoninë mortore të militantit
të Partisë Demokratike ishin
të pranishëm emra të njohur të
politikës, mes të cilëve kryeparlamentarja
Topalli, ministri i
Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ai i
Transporteve, Sokol Olldashi, i
Arsimit, Fatos Beja, nënkryetari i
PD-së, Astrit Patozi, kreu i Partisë
Republikane, Fatmir Mediu, drejtues
lokalë të PD-së dhe simpatizantë
të kësaj force politike. Nën
zinë e thellë për humbjen e parakohshme
të babait të tre fëmijëve,
familjarë, të afërm dhe të
njohur, kanë shoqëruar arkivolin
me trupin e të ndjerit për në
banesën e fundit dhe kanë nderuar
kujtimin e tij. Kryetarja e Kuvendit,
Jozefina Topalli, duke
shprehur ngushëllimet e sinqerta
për familjen e viktimës së një politike
gjaknxehtë në bazë, e ka
dënuar ashpër aktin kriminal. Ajo
tha se Zeka nuk e meritonte të
ndahej kaq shpejt nga kjo jetë dhe
aq më pak fëmijët e tij që të mbeteshin
jetimë. Artan Zeka u nda
nga jeta të premten, ndërsa ndodhej
në spitalin e Durrësit. Vdekja i
erdhi pak orë pasi u qëllua me automatik
nga bashkëfshatari i tij,
Skënder Balla, pas një sherri të nisur
për vendosjen e një posteri dhe
flamuri nga ana e autorit. Gjithçka
që i ka lënë vendin më pas pasionit
politik që ka vërshuar mbi autorin
e vrasjes ka qenë gjaknxehtësi. Në
Qerret, ku ndodhi krimi, tregojnë se
vrasja ka ardhur si pasojë e gjaknxehtësisë
së Ballës, që është fyer dhe
goditur nga viktima. Madje, shenjat
e dhunës ndaj tij, janë fiksuar
edhe në automjetin në pronësi të
të arrestuarit, Balla. Ky i fundit ka
zgjedhur armën, për t‘u hakmarrë
për "padrejtësinë" që i është bërë.
Ngjarja e rëndë, me ngjyrime
politike, por që mori reagimin e
matur të krerëve të politikës shqiptare
ndodhi mëngjesin e së
premtes në fshatin Qerret, të Komunës
Katund i Ri, një zonë e njohur
si bastion i Partisë Demokratike.
Ndërkohë që policia e Durrësit
u tregua e kujdesshme në
deklarimet e saj lidhur me motivet
e ngjarjes, Drejtoria e Përgjithshme
e Policisë së Shtetit, si dhe
kandidati për deputet Ferdinand
Xhaferri kanë qenë të parët që i
dhanë ngjarjes ngjyrat e një
vrasjeje politike.

Aleatët e PD akuzojnë PS për vrasjen në Qerret

Partitë e djathta parlamentare kanë reaguar pas
ngjarjes së rëndë të ndodhur në Qerret të Durrësit
ku mbeti i vdekur Artan Zeka, i cili njihet
si mbështetës i PD-së. Republikanët nëpërmjet kandidatit
të PD-së për Tiranën, Besnik Bisha, e kanë
vlerësuar këtë vrasje si politike dhe kanë akuzuar
selinë rozë për klimën e tensionuar të krijuar para
zgjedhjeve. Po kështu, për këtë ngjarje ka reaguar
edhe PLL-ja. Kryetari i kësaj force politike, Ekrem
Spahia, tha se: "Filozofia e dhunës është tipike për të
majtën në tërësi, e në veçanti për të majtën shqiptare,
e cila që në fillimet e saj e ka përdorur atë si mjet kryesor
për të ardhur në pushtet". Ndërsa, Jak Ndokaj
përfaqësuesi i PDK-së ka dënuar aktin e vrasjes dhe
i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit. PDK
ka kërkuar dënimin e autorit dhe i ka bërë thirrje policisë
të mos bëjë deklarime politike. Nisur nga ky rast
PDK-ja U ka bërë thirrje dy partive të mëdha PD dhe
PS, t‘i japin fund gjuhës së urrejtjes. "Fushata elektorale
duhet të jetë vërtet konkurruese, me programe
të qarta dhe jo me armiqësi dhe shkelje të Kodit të
Etikës. Tashmë ka ardhur momenti të respektojmë
Kodin e Sjelljes, dhe praktikave të mira i hartuar nga
Komisioni i Venecias", kanë thënë përfaqësues të
kësaj force politike. PDK, thekson se është koha për
njëri-tjetrin dhe jo kundër njëri-tjetrit. Krimin e
ndodhur e ka dënuar edhe Partia e Ballit Kombëtar
Demokrat, të cilët ashtu si republikanët dhe legalistët
kanë vënë gishtin te PS-ja, duke e quajtur shkaktare
të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Berisha viziton familjen e Zekës

Kryeministri Berisha ka vizituar dje
familjarët e të ndjerit Artan Zeka. Ai
ka shprehur ngushëllimet dhe tronditjen
e tij për humbjen e djalit, prindit dhe
njeriut të tyre të dashur. "Na ka tronditur
thellë në shpirt, sepse humbëm një djalë
të mrekullueshëm, një prind të
mrekullueshëm, një njeri jashtëzakonisht
të përkushtuar, të dashur, të respektuar.
E humbëm jo nga ndonjë aksident, e
humbëm nga një dorë që qëlloi në emër
të së shkuarës. Një dorë kriminale që nuk
pajtohet me përpjekjet e shoqërisë
shqiptare për të ardhmen", është
shprehur kreu i ekzekutivit. Duke iu referuar
aktit, Berisha ka siguruar familjarët se
autori, një fanatik ekstremist, do të marrë
dënimin kapital.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›