E Diel, 1 Nëntor 2026

Thyhen zyrat elektorale të PS-së, policia nis hetimet

Dy zyra elektorale të Partisë Socialiste në qytetin e Korçës janë
sulmuar gjatë orëve të para të ditës së djeshme. Thyerja e zyrave
elektorale të këtij subjekti është konstatuar në orët e mëngjesit
të së shtunës, nga kalimtarë të rastit e më tej nga përfaqësues politikë
të tyre, të cilët kanë bërë edhe denoncimin pranë policisë lokale. Ngjarja
mësohet se ka ndodhur në lagjen 6 të qytetit, ndërkohë që sipas
të dhënave të policisë mendohet se autorët kanë vepruar gjatë orëve
të natës, në mungesë të dëshmitarëve. Në të dyja zyrat është konstatuar
thyerja e xhamave, si dhe dëmtimi i posterave elektoralë. Sipas
policisë, thyerja e tyre dhe dëmtimet janë shkaktuar me gur dhe është
qëlluar nga ambientet e jashtme. Policia e Korçës ka saktësuar se janë
dëmtuar xhamat në një sipërfaqe prej 60 m katror si pasojë e goditjes
me gurë në drejtim të ambienteve në fjalë. Ndërkohë, pas aktit të
dhunës, Partia Socialiste ka denoncuar në policinë lokale edhe faktin
se të gjitha posterat e këtij subjekti të vendosura në qytet janë shënuar
me sigla blu të Partisë Demokratike. Burimet e policisë kanë thënë
se kanë nisur hetimet për këtë incident, ndërkohë që mendohet se
autorët e thyerjes së zyrave janë banorë të zonës. Policia thotë se po
kryhen verifikime në rast se veprimet kanë pasur motive politike. Sipas
saj, ngjarja është raportuar rreth orës 09.00 të mëngjesit të djeshëm,
pas konstatimit të dëmtimeve që janë kryer në këtë lagje. Nga deklarimet
e policisë konfirmohet zyrtarisht se kanë nisur veprimet procedurale
dhe në vendin e ngjarjes ka shkuar një grup hetimor për të kryer
edhe zbardhjen e rrethanave dhe autorësisë së ngjarjes. Ju.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›