Meta: Programi i LSI zvogëlon papunësinë
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar disa takime në njësinë nr.5, në njësinë nr.8 dhe në njësinë nr.3 të kryeqytetit. Meta ka prezantuar "Planin për Veprim" dhe kandidatët e LSI-së për deputetë në këta njësi minibashkiake. Kreu i LSI-së, gjatë fjalës së tij shprehu bindjen se kandidatët e LSI janë ata që do të përfaqësojnë denjësisht shqiptarët në Kuvendin e ardhshëm. Duke folur për "Planin për Veprim", Meta u shpreh se ajo që presin shqiptarët nga ne "është punësimi dhe ulja e kostos së jetesës". Sipas tij, "programi i LSI është i vetmi program shkencor, realist dhe konkret, që zgjidh problemet e punësimit. LSI ka programin më të qartë për uljen e kostos së jetesës". Meta, një ditë më parë, zhvilloi edhe një takim elektoral në Qarkun e Elbasanit. Në këtë takim Meta tha se "më 28 qershor, me votën tuaj dhe me votën e shumë e shumë shqiptarëve në të gjithë vendin, LSI do të jetë forca kryesore dhe përcaktuese për mazhorancën e ardhshme dhe pas 28 qershorit, nuk do të vijmë më si përfaqësues të opozitës, por do të vijmë në krye të qeverisë së ardhshme". Ndaj, tha ai është "Koha për Veprim", për t‘u ndarë nga qeveria e Berishës dhe për ta nxjerrë në pension politik, por është koha për t‘i dhënë mbështetje një programi politik, që ndihmon mbi të paktën 1 milion shqiptarë që të ndahen nga varfëria dhe papunësia". Kreu i LSI theksoi se "ajo që Dumreja kërkon nga ne është bujqësia dhe punësimi, që të dyja këto janë të lidhura me njëra-tjetrën". Sipas Metës, e vetmja forcë politike që ka bërë të qartë që tre prioritetet kryesore janë punësimi, punësimi, punësimi dhe ka treguar sesi mund të hapen 100 mijë vende pune të qëndrueshme në katër vitet që vijnë, 50 mijë nga të cilat në bujqësi dhe agropërpunim është LSI.