Roland Tasho sjell natyrën e virgjër në Ministrinë e Kulturës
Fotografi Roland Tasho paraqitet në galerinë “Ibrahim Kodra” pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me një ekspozitë fotografike të titulluar “Peizazh”. Ekspozita përmban 55 punime, kryesisht fotografi artistike me ngjyra. Ato u përkasin formateve të ndryshme dhe janë momente të ngrira në celuloid nga hapësira gjeografike mbarëshqiptare, sidomos mrekullitë natyrore të Jugut dhe Veriut. Synimi i fotografit Tasho është që me këto fotografi të kontribuojë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në sytë e turistëve duke treguar resurset e mahnitshme natyrore që ka vendi (ende i virgjër). Gjithashtu, edhe ekspozita paraardhëse e tij, e çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ka pasur të njëjtin qëllim. Ajo përqendrohej mbi jetën e emigrantëve shqiptarë e kosovarë në Zvicër, vështirësitë e tyre dhe integrimin e suksesshëm në shoqërinë europiane.
90-VJETORI I PAVARËSISË
Ambasada e Polonisë çel ekspozitën me foto në Muzeun Kombëtar
Nga data 13 deri më 15 nëntor, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, do të qëndrojë e hapur ekspozita fotografike me titull ”Rrugët drejt pavarësisë”, organizuar nga Ambasada e Republikës së Polonisë në Shqipëri, me rastin e 90-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Polonisë. Polonia e ka nënshkruar Kushtetutën e saj historike në vitin 1791, por kjo pavarësi ishte jetëshkurtër sepse një vit më vonë vendi u nda mes forcave pushtuese - Rusisë, Prusisë dhe Austrisë. U desh të vinte 11 nëntori i viti 1918 që Polonia të rifitonte pavarësinë e saj.
11 nëntori është një festë shumë e rëndësishme për Poloninë që festohet në të gjithë vendin me parada patriotike dhe aktivitete të tjera festive.
4 Nentor 2008