E Diel, 1 Nëntor 2026

"Banda e Durrësit", Lul Berisha, Dokle e Indrit Taullaj rebelohen për avokatët

 

TIRANE - Tre eksponentët kryesorë të "Bandës së Durrësit", Lulzim Berisha, Endrit Dokle dhe Indrit Taullai do të kenë mbrojtës të tjerë ligjorë në seancat e ardhshme gjyqësore. Vendimi për avokatët e rinj u mor nga Gjykata për Krimet e Rënda, në seancën e djeshme në ngarkim të anëtarëve të kësaj bande. Avokatët e caktuar dje do të zëvendësojnë mbrojtësit, të cilët u përjashtuan nga ana e gjykatës javën e kaluar për braktisje të sallës së gjyqit. Ndërkohë që në seancën, e cila dështoi për shkak të mungesës së disa prej avokatëve, nuk kanë munguar debatet e të pandehurve me trupin gjykues. Të pandehurit kanë shprehur habi për faktin që gjykata një ditë më parë u kishte dërguar një deklaratë ku i njoftonte me shkarkimin e mbrojtësve të tyre, ndërsa dje po u kërkonte sërish nëse donin mbrojtjen e tyre. "Nuk po e marrim vesh këtë punë. Dje më erdhi një deklaratë që avokati im është përjashtuar, sot na pyesni a i pranojmë si mbrojtës. Si të doni. Vazhdoni. Çfarë të doni bëni. Vallai s'po marrim vesh gjë", ka pohuar i pandehuri Indrit Taullai, duke iu drejtuar trupit gjykues. Jo më pak i irrituar ka qenë edhe Lulzim Berisha në këtë pikë, ndërsa më "paqësori" ka qenë Endrit Dokle, i cili pranoi duke ironizuar se "Mos janë më të mirë këta". Në vijim gjykata ligjëroi tre avokatët e rinj si mbrojtës të Berishës, Dokles dhe Taullait dhe mbylli seancën. Ndërprerja e djeshme ka shënuar të disatën herë, që shkak për shtyrjen e seancave të këtij procesi bëhet mungesa e avokatëve në sallën e gjyqit. Të 17 anëtarët e "Bandës së Durrësit" akuzohen nga prokuroria për një numër të madh veprash të rënda penale. Sipas kërkesës për gjykim të Prokurorisë për Krimet e Rënda, në fillimet e saj organizata kriminale pretendohet se drejtohej nga i pandehuri Lulzim Berisha. Me kalimin e kohës banda u përfshi në konflikte të shkaktuara prej krijimit të dy grupeve brenda saj. Konflikte këto, që janë pasuar me episode kriminale përfshi vrasje, plagosje dhe atentate.                                 ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›