"14 shtatori", rikthehet akuza për Ekrem Spahinë
Fatos Mahmutaj
Prokuroria e Tiranës kërkoi dje në gjykatë në pronësi "14 shtatori" rimarrjen në përgjegjësi penale për Ekrem Spahinë, kreun e Partisë Lëvizja e Legalitetit, që aktualisht mban edhe postin e zëvendësministrit të Kulturës. Kërkesa u paraqit nga prokurori që mbron akuzën në njërin nga tre proceset që po zhvillohen në Gjykatën e Tiranës për ngjarjen e 14 shtatorit 1998. Atëherë, turma e armatosur që përcillte në varreza trupin e pajetë të deputetit demokrat Azem Hajdari, vrarë dy ditë më parë, pushtoi institucionet kryesore të shtetit. Me një vendim të ndërmjetëm, Gjykata e Tiranës kishte pezulluar më parë çështjen ndaj Spahisë, i cili kishte imunitet deputeti. Por tashmë, kur ai nuk ka imunitet deputeti, prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës, rimarrjen e tij në përgjegjësi penale ku po gjykohet në procesin që ndryshe identifikohet si "Gazetarët". Në të njëjtën proces me të po gjykohen Alfons Zeneli, Antoneta Malaj, Dritan Zhgjeçi, Edmond Ymeri, Elvis Kamberi, Frrok Gjini, Ilir Zhilla, Sali Shehu dhe Shemsi Prençi, të akuzuar për veprën penale të kryengritjes. Dosja në ngarkim të tyre është dërguar në gjykatë në vitin 2000, por edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga ngjarja dhe 8 vjet nga nisja e gjykimit ka qenë e pamundur për të nisur shqyrtimin e kësaj dosjeje, për shkak të njoftimit të të pandehurve. Njëri prej të akuzuarve në këtë çështje mësohet se ishte larguar në Kosovë dhe për tetë vjet me radhë ka qenë i pamundur njoftimi i tij për procesin, pasi nuk konfirmoheshin letërporositë e dërguara nga Tirana. Një tjetër arsye për moszhvillimin e procesit ka qenë edhe mosparaqitja e palëve në gjykim. Mjaft prej seancave, të cilat janë shënuar çdo dy javë në kalendarin e gjykatës, kanë dështuar për shkak të mosparaqitjes së avokatëve. Ndërkohë dy proceset paralele që po zhvillohen për këto ngjarje, njëri ka mbërritur në shqyrtimin e provave, ndërsa tjetri prej një viti është bllokuar në pretencën e prokurorisë. Menjëherë pas rrëmujave të 14 shtatorit 1998, organet shtetërore të kohës pas vendosjes së rendit arrestuan mjaft persona, të cilët i akuzuan për pjesëmarrje në rrëmuja, por në gjykatë, dy vjet më vonë dërguan vetëm disa prej tyre të grupuara në tre dosje të ndryshme. Në njërën prej tyre ndodhen të pandehur ish-badigardë të funksionarëve shtetërore para vitit 1997, në tjetrën ish-gazetarë dhe në të tretën njerëz nga turma e armatosur, për të cilët prokuroria pohon se kanë marrë pjesë në rrëmuja.