E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama përkrah Bill Klinton me spot 6 milionë dollarësh

 

Kandidati de-mokrat, i cili nga sondazhet duket i favorizuari për presidencën amerikane, ka realizuar një super-spot elektoral, i cili transmetohet në shumë televizione prestigjioze, që kushton rreth 6 milionë dollarë. Senatori flet para njerëzve për 30 minuta pa ndërprerje, në kohën më të ndjekur të programeve televizive. Në mesazh thuhet: "Nëse do të trokisni në ndonjë portë për mua, nëse do të shkoni të votoni për mua, do të ndryshojmë këtë vend e do të ndryshojmë botën", mbyll ai kështu publicitetin e vet elektoral edhe katër ditë nga zgjedhjet. Në reklamë Obama zotohet të ndihmojë klasën e mesme dhe të ulë taksat për shumicën e amerikanëve. Senatori nga Ilinoi u zotua gjithashtu të ndryshojë politikat amerikane ndaj Irakut dhe të kalojë disa nga fondet që përdoren për luftën në atë vend, në shpenzime për përdorim të brendshëm. "Nga ana teknike ka qenë një mesazh tmerrësisht perfekt, gjenial", komentoi Mark Halperin, një nga emrat e mëdhenj të "Time magazine". "Gjysmë ore në madhështinë televizive", shtoi ai. Reklama u kritikua ashpër nga rivali i Obamës, Xhon Mekein, i cili ka siguruar sa gjysma e fondeve të demokratit për publicitet televiziv. Në komentet që bëri në Florida, kandidati republikan tha se rivali i tij Obama është në gjendje të paguajë për reklama të tilla, pasi ka hequr dorë nga angazhimi për të përdorur vetëm fonde publike, sepse deshi të grumbullonte fonde nga burime private. Mekein akuzoi Obamën se plani i tij ekonomik do të rriste taksat dhe do ta dëmtonte ekonominë. Obama u shfaq edhe në programin satirik "The Daily Show" me Jon Steuart. Dhe për herë të parë ai qëndroi krah për krah me ish-presidentin amerikan, Bill Klinton, në një tubim të orëve të vona të së mërkurës në Florida. Shfaqja e Barak Obamës dhe Bill Klinton tërhoqi 35.000 persona në Kissimmee. Klinton tha se Obama "përfaqëson të ardhmen e Amerikës". Ish-presidenti amerikan tha se zoti Obama duhet të zgjidhet president për filozofinë e tij, për politikat dhe aftësitë e tij, veçanërisht për potencialin e tij për të ndryshuar jetën e njerëzve. Kandidati demokrat Obama e cilësoi zotin Klinton si një president dhe një burrë shteti të madh.
Ambicia e Pelin
Siguria e zëvendëses së Mekein, Sarah Pelin, duket se ka arritur në skaje, ndërsa vetëm pesë ditë para votimit të madh ajo deklaroi se do të votojë për presidente në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2012. Nëse nuk do të zgjidhet këtë vit të qeverisë përkrah senatorit të vjetër të Arizonës, Mekein, Sarah Pelin do të kandidojë më vete në zgjedhjet e ardhshme për të kërkuar nominimin nga Partia Republikane. Kështu deklaroi ajo vetë në një intervistë të rrjetit Abc, duke lënë të shokuar stafin e kandidatit republikan. "Nëse do të dorëzohesha dhe do të ngrija flamurin e bardhë përballë disa goditjeve politike që më janë bërë, kjo do të thotë se asgjë që kam bërë deri tani nuk ka asnjë vlerë. Unë nuk dua që kjo të ndodhë", tha guvernatorja e Alaskës, megjithëse shprehu optimizëm për zgjedhjet e 4 nëntorit: "Të martën gjërat do të shkojnë mirë. Jam e bindur se pjekuria e amerikanëve do të jetë e plotë atë ditë", tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›