Funerali i pafundmë në rumanisht, një eveniment kulturor

Romani është përkthyer nga Luan Topçiu dhe redaktuar nga Antonia Cacso. Kurse referent është shkrimtari Liviu Lungu.
Kopertina, është realizuar nga Andreea Apostol dhe imazhi i përdorur është detaj i tablosë “Zbrazëti” nga Miron Topçiu.
Kopertina e katërt e librit shoqërohet me thënie të Robert Elsie, Elio Miracco dhe Kevin Higgins për veprën e Visar Zhitit.
Një nga referentët e librit, shkrimtari rumun Aurel Maria Baros u shpreh për romanin e Zhitit se botimi i tij në rumanisht përbën “një eveniment të vërtetë kulturor.
“Është një epope e vërtetë e kalvarit të një shoqërie që i është nënshtruar “një marshi funebër” diktatorial, drejt një ideali të sëmurë. Në thelb, një histori e rëndë, por plotësisht reale, një histori e marshimit te verbër, një histori e përberë prej evenimentesh domethënëse, tragjike dhe tragji-komike, një metaforë e jashtëzakonshme e “turmës” së tërhequr në mënyrë obsesive në një rrugë që nuk gjen fundin”, - theksoi Baros.
“Marshi sfilitës, - vijoi ai, - në të cilin njerëzit janë të shtyrë nga forcat shtypëse (këto mbeten sinonime), është e shoqëruar me ngjarje që ilustrojnë absurditetin e gjendjes, herë në linja karikaturale, herë me shije humori, herë quasi-tragjike dhe madje lirike”. “Personazhe –maska, personazhe – zëra apo vetëm personazhe-kujtime-te vagullta nuk bëjnë vetëm figuracion, duke çuar në apoteozë (apoteoza e së keqes) marshimin e shumicës drejt një varri të nevojshëm, asnjëherë të mbërrishëm. Arkivoli që mban turma, përpara se te vërtetohet se është bosh “ mbreti lakuriq”!) metoforizohet përsëritshëm, duke ngritur simbolin si për te orientuar “dëshirat” e shumicës dhe për te ngritur, se tepërmi, mbi kuptimet e metaforës”, - u thellua Barosa në përshkrimin për vlerat e librit.
Shkrimtari rumun evidentoi më tej faktin se në letërsinë e të gjitha kohërave dhe në të gjitha meridianët (sidomos në ato zona gjeografike të goditura nga diktatura deri në prag të mijëvjeçarit të tretë) ekzistojnë shumë tekste “antidiktaturë”, të shkruara madje nën hijen e “thembrës së hekurt” apo në ekzil, tekste që përfshijnë akuza te rrepta, duke u nisur nga njëra prej fasadave të kësaj “sëmundjeje sociale” të tmerrshme.
“Por teksti i Visar Zhitit është një afresk gjithëpërfshirës dhe tepër i gjerë, me thellësi, në të cilin asnjë nga sëmundjet (defektet) e regjimit nuk është harruar”, - ka theksuar Baros.
Ai shtoi se në tekstin e Zhitit, “bashkekzistojnë lumturisht, me domethënie te thella, sekuenca të tmerrit dhe poezisë së ndjeshme, komikja me absurdin, grotesku dhe meditimi serioz, patetizmi dhe fatalizmi më gjunjëzues”.
***
Prozatori Liviu Lungu pohoi se botimi i këtij romani në Rumani do të jetë vetëm një hap për një popullarizim më të gjerë, që “Funerali i pafundmë” e meriton plotësisht!”
Ai më tej u shpreh se Teksti i Visar Zhitit “Funerali i pafundmë”, përbën një tekst me vlere të madhe letrare.
“Përmes një gjetjeje krejt origjinale, arrin t’i induktojë lexuesit hidhërimin, grinë dhe tmerrin e një intelektuali në fundin e mijëvjeçarit të dytë, nga një qenie inteligjente dhe e kultivuar, me shpirt të hapur, tek e fundit, duke jetuar (mbijetuar) në kohën e diktaturës “të çdo lloji”, diktatura me të gjitha shfaqjet e saj: me pamjen e opresionit, absurditetit, qesharakes, perspektivave të errëta, duke marshuar drejt qëllimeve me tregues të vagët, vdekje, ideale pa bazamente...”, - theksoi Lungu.
Ai përshkroi më tej, se “teksti, relativisht i shkurtër, duket se buron që diku përtej ballinës së parë dhe rrjedh nën pragun e faqes së fundit: kujtime, memento, metaforë me referime historike të qarta, historia e drejtuar dhe përmes metaforash, rrëfime me thekse tragji-komike dhe, vende-vende, cinike, grotesk, që dëshmon thellësi dhe frymë fine vëzhgimi, seri obsedante me ndodhi nga të cilat bien në sy disa, përsosmërisht të integruara, nga një lirikë e shkëlqyer”.
Për lexuesin e një hapësire gjeografike dhe historike të ngjashme me atë ku zhvillohet marshi i pafundmë funeral, romani shfaqet si një tekst që kuptohet më lehtë dhe asimilohet më shpejt.
Por teksti dëshmon të njëjtat cilësi (si çdo letërsi e madhe) dhe lëçitje nga një lexues tjetër të çfarëdolloj.
Ky fakt, sikundër pohoi Lungu, i detyrohet talentit letrar të pakapërcyeshëm të Visar Zhitit si dhe përvojave të tij si intelektual inteligjent dhe të kthjellët, pjesëmarrës në “kortezh”.
F. Struga, Bukuresht