E Diel, 1 Nëntor 2026

Funksionimi i Bursës së Tiranës, qeveria synon ta ngrejë për ta privatizuar



Ervin KOÇI

Qeveria shqiptare duket se do të finalizojë brenda këtij viti projektin e saj për shitjen e Bursës së Tiranës. Premtimi është bërë nga ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, pas konsultimeve të shumta me Ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë dhe institucione të tjera ku duket se është gjetur skema e privatizimit të saj. Sipas informacioneve që vijnë nga METE, brenda vitit qeveria do të ketë një vendimmarrje konkrete për të ngritur këtë bursë. “Ne mendojnë të gjejmë një investitor strategjik, pra një bursë europiane, por nga ana tjetër mendojmë që 20-30 % të aksioneve të mund t’ia lëmë sistemit tonë financiar, pra bankave në Shqipëri”,- është shprehur ministri Prifti. Sipas tij, kjo është skema më e mirë e cila parashikohet të garantojë sukses. Por qeveria, sipas Prifit, do të marrë një vendim të tillë brenda këtij viti. Ministri i Ekonomisë, Prifti, thotë se në muajt e fundit ka pasur konsultime intensive për këtë çështje dhe se tashmë është përzgjedhur edhe një skemë e caktuar për të bërë efektive bursën e parë shqiptare. "Do të zgjedhim një investitor strategjik, një bursë tjetër mbase evropiane, që do të marrë paketën kontrolluese të bursës së Tiranës, po gjithashtu kemi gjykuar që duhet të lëmë një hapësirë dhe sistemit bankar shqiptar, rreth 20-30 për qind të paketës, që ata të jenë dhe bashkëpronar dhe bashkëfinancues",- tha ministri i Ekonomisë.

Funksionimi
Vetëm një bursë private do të zhvillonte tregun e kapitaleve në Shqipëri. Ky treg është inegzistent edhe pse në Tiranë funksionon një e ashtuquajtur bursë, e hapur që në vitin 1995. Ngritja e bursës në Tiranë do të ishte një mundësi e mirë për sigurim të likuiditetit nga kompanitë që operojnë në treg, si dhe një mundësi investimi për qytetarët. Që një kompani të listohet në bursë duhet të plotësojë disa kushte, ku më kryesori është publikimi i bilanceve. Në se do të funksiononte bursa, vlera e privatizimeve strategjike të bëra deri tani nga qeveria do ishte disa herë më e madhe. Aktualisht shqiptarët investojnë kursimet e tyre në depozita bankare ose në bono thesari. Aktivizimi i bursës do të ishte një mundësi më shumë për investime në tregun e kapitale.

Historiku
Tentativat për të ngritur një bursë në Tiranë janë shumë të hershme, ata kanë nisur rreth 10 vjet më parë, por pa mundur asnjëherë të finalizohen. Bursa e Tiranës u themelua si Departament i Bankës së Shqipërisë (Bankës Qendrore) me synimin e shkëputjes së saj pas një periudhe tranzitore disavjeçare. Ajo u organizua si një treg ankandi dhe instrumentet e pranuara për tregtim ishin Bonot e Thesarit me afat maturimi 12 mujor, pesë seri obligacionesh qeveritare dhe Bonot e Privatizimit. Sesionet e tregtimit zhvilloheshin dy herë në javë çdo të hënë e të premte nga ora 10:00-12:00. Pas tetorit 1997, sesionet filluan të zhvilloheshin çdo ditë si dhe filloi tregtimi dhe i Bonove të Thesarit 3 dhe 6 mujore. Si pjesë të aktivitetit të saj, bursa e Tiranës kishte dhe kryerjen e ankandeve të tregut primar të Bonove të Thesarit. Këtë aktivitet ajo e kreu deri më 1 gusht 1998. Pas kësaj date ankandet e tregut primar kryhen nga Departamenti i Operacioneve Monetare i Bankës së Shqipërisë. Më 1 korrik të vitit 2002, bursa e Tiranës u shkëput nga Banka e Shqipërisë dhe vazhdoi funksionimin e saj si shoqëri aksionere. Ndërkohë që deri më sot, nuk ka asnjë aksion të listuar në bursën e Tiranës.

Depozitat bankare, ASD-ja rrit garancitë për sigurinë

Ndërhyrja e qeverisë për të rritur masën e sigurimit të depozitës në 2.5 milionë lekë ka dhënë kontributin në totalin e siguruesve. Në raportin vjetor 2009, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, e cila mbikëqyret nga AMF-ja, thotë se depozitat e klientëve që janë subjekt i skemës së sigurimit të depozitave, zënë një pjesë prej 83% kundrejt totalit të depozitave në tërë sistemin bankar. “Kurse depozitat përfaqësojnë rreth 71 për qind të depozitave të individëve”,- thekson ASD-ja. Pjesën më të madhe të depozitave të individëve e zënë depozitat në lek dhe vetëm 43% në valutë. “Referuar periudhës 2009, vërehet një rritje e depozitave të individëve me rreth 12.5%, kurse depozitat e siguruara me rritje 11.7%”,- thotë ASD-ja në raportin që do t’i prezantohet këtë javë Kuvendit. Duke parë ecurinë e depozitimit në banka, ASD-ja vë re se ka një rritje të valutës me 7.5% dhe një rënie të lekut me 5%. Depozitat me shumën deri në 2.5 milionë lekë zënë rreth 49% të totalit të depozitave të individëve. Sa i takon numrit të depozituesve, të cilët e kanë shumën e depozitave të tyre të agreguara deri në 2.5 milionë lekë, dominon me 96%. Sigurimin e depozitës së bankës ASD e kryen përmes një formule të adaptuar nga direktiva e BE-së. Agjencia i siguron depozitat me afat deri në 2.5 milionë lekë, si dhe depozitat në valutë, në të njëjtën vlerë, certifikatat e depozitave etj. Sa u takon të ardhurave dhe masës së sigurimit që paguan një bankë, thuhet se “kontributi fillestar është 0.5 % e kapitalit të bankës, ndërsa norma e vazhdueshme (primi) është nga 0.1 - 0.5 e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, të regjistruara në fund të çdo dite pune për tre muajt e fundit të vitit të kaluar”. Të ardhurat nga primi gjatë 2009-s arritën rreth 1 miliard lekë, me një rritje prej 6%. Aktiviteti që kryen ASD-ja është fitimprurës, për shkak se të ardhurat i investon në letra me vlerë të qeverisë. Aktualisht kapitali i agjencisë është rreth 8 miliardë lekë.

Eksporti i energjisë, KESH nis shlyerjen e borxheve

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nis shlyerjen e borxheve të prapambetura. Gjatë muajve të parë të këtij viti janë shlyer mbi 6 miliardë lekë detyrime. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku bën të ditur se aktualisht po paguhet TVSH-ja e prapambetur, si dhe është vendosur kontakt me bankat e nivelit të dytë për të shlyer kreditë. Sipas Stojkut, gjendja financiare e Korporatës është përmirësuar ndjeshëm falë eksportit që vijon tashmë që prej 11 janarit të vitit të kaluar, madje këtë vit pritet që KESH-i të dalë me fitim. Gjatë këtij muaji, Korporata siguroi nga eksporti i energjisë një shumë prej 17 milionë eurosh, ndërkohë që shitja e energjisë do të vijojë edhe në prill. Pak ditë më parë u zhvillua tenderi për eksportin e energjisë për prillin. Fituese u shpallën 5 kompani si “EFT”, “EGL”, “Rudnap”, “Alpiq” dhe “Spada”. Korporata do të eksportojë rreth 12 milionë kilovat/orë energji në ditë dhe parashikohet të fitojë rreth 13 milionë euro. Drejtori i KESH-it Stojku, shpjegon se të ardhurat që sigurohen nga shitja e energjisë përdoren, 70 - 75% për shlyerjen e detyrimeve dhe pjesa tjetër për investime. Eksporti i energjisë do të vijojë edhe gjatë muajve të ardhshëm, kjo falë rezervës së konsiderueshme të krijuar në kaskadën e lumit Drin, e cila llogaritet në mbi 1 miliard kilovat/orë, e mjaftueshme për të furnizuar me energji elektrike vendin për disa muaj.

Prifti: “Shqipëria, vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë”

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në konferencën e ministrave të Tregtisë dhe Ekonomisë së Europës Juglindore, në Turqi, ka theksuar se Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe ekonomike në Europë. Në fjalën e mbajtur në takim, Prifti vlerësoi rritjen ekonomike të vazhdueshme dhe deklaroi se, Shqipëria ka një rritje të pritshme ekonomike 5 për qind për vitin 2010. Duke iu drejtuar Ministrave të Tregtisë dhe grupeve të mëdha të biznesit të pranishëm në takim, Prifti u shpreh se, “Shqipëria është një vend i shkëlqyer për investime dhe fitime dhe në këtë drejtim është vendi më miqësor për investimet e huaja”. Ministri i Ekonomisë zhvilloi dhe takime me investitorët turk, gjatë të cilave ai vlerësoi se investimet turke në Shqipëri janë shumëfishuar për një kohë të shkurtër, ndërsa bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik ka njohur rritje të ndjeshme.
“Nëse pesë vjet më parë investimet turke ishin rreth 45 milion dollarë, sot ato llogariten në rreth 1 miliardë dollarë, ndërsa vëllimi tregtar Shqipëri-Turqi kap shifrën e 350 milionë dollarëve”,- theksoi Prifti. Në këtë takim, i cili u mbajt në Stamboll të Turqisë, ministri Dritan Prifti shoqërohej nga nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 29.03.2010

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.18%
12M 12-mujor 7.51%
6M 6-mujor 6.49%
3M 3-mujor 5.53%
1M 1-mujor 5.14%
1Ë njëjavor 4.84%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.90%
1Ë njëjavor 6.18%
o/n njëditor 5.91%
12M 12-mujor 9.15%
6M 6-mujor 7.93%
3M 3-mujor 7.37%

31 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›