Pagesa e tatimeve, mbaron afati por subjektet nuk dinë të plotësojnë formularët
Ervin KOÇI
Dita e sotme 31 mars shënon dhe afatin e fundit për dorëzimin e bilanceve dhe pagesën e tatimeve për 3-mujorin e parë të vitit për të gjitha bizneset. Megjithëatë, shumë subjekte private jo vetëm që nuk i kanë plotësuar formularët e deklarimit të bilanceve, por as që dinë të ndjekin procedurat për pagesën e tyre. Një fenomen që është vërejtur këto ditë në sportelet e tatim-taksave në bashkinë e Tiranës, por edhe në qytete të tjerë, është ai që shumë biznesmen tërhiqen kur shkojnë për të paguar tatimet për tremujorin, pasi konstatojnë se nuk i kanë plotësuar saktë dokumentet që kërkohen nga Tatimet. Dorëzimi i bilanceve, i pasqyrave financiare dhe deklarimi i pagesës së tatim-fitimit është një proces shumë i rëndësishëm për administratën tatimore, por edhe për bizneset. Këta të fundit duhet të jenë të kujdesshëm në paraqitjen në kohë të bilanceve, si dhe me rezultatet që duhet të pasqyrojnë. “Ju kujtojmë se data 31 mars 2010 është afati i fundit i dorëzimit të pasqyrave financiare dhe formularit të deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi fitimin, si dhe formularit të deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël”,- thuhet në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Vetdeklarimi
Plotësimi i vetëdeklarimit të të ardhurave është problem thelbësor me të cilin po përballet biznesit i vogël. Ndryshimi i mënyrës së pagesës së taksave për këtë biznes ka hapur mjaft probleme. Një muaj kohë nuk i ka mjaftuar biznesit të vogël që të plotësojë një formular të komplikuar për ta dorëzuar pranë pushteti lokal. Ndërkohë që është e specifikuar në ligj, që biznesi i vogël duhet të ketë të punësuar part-time një ekonomist dhe në fund një ekspert kontabël për të mbyllur bilancin. Bëhet fjalë për 50 mijë biznese në të gjithë vendin 12 mijë vetëm në Tiranë. Një VKM përcakton që pragu i kufirit të një biznesi të vogël për të hyrë në sistemin e TVSH-së do të jetë në 2010-n, 5 milionë lekë. Nga ana tjetër ka një qarkore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që specifikon që të gjitha bizneset që kanë dorëzuar në 2008-n bilance me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë automatikisht këtë vit do të jenë subjekte të TVSH-së. Kjo ka shkaktuar konfuzion tek bizneset e vogla, të cilët në të njëjtën kohë edhe duhet të plotësojnë faturat tatimore për taksat në Bashki edhe për administratën tatimore qendrore. Biznesi i vogël po jeton në një mungesë të plotë informacioni. Një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk e dinë se si ta plotësojnë formularin, madje nuk dinë se duhet të plotësojnë një të tillë.
Pasqyrat financiare
Porosia e lënë lidhet me pasqyrat financiare që duhet të përgatiten sipas standardeve kombëtare të kontabilitetit Nr. 2 dhe Nr.15 (për mikrondërmarrjet). Ky standard përqendrohet vetëm në disa nga çështjet bazë mbi organizimin e kontabilitetit, mbi mbajtjen e llogarive, mbi përgatitjen dhe deklarimin e raportimeve financiare vjetore të thjeshtuara nga mikronjësitë ekonomike. Mikronjësi quhet një njësi ekonomike ku punësohen më pak se 10 persona, e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë. Në kriterin e dytë, në rast se njëra, shifra e afarizmit ose bilanci total vjetor është jo më i madh se 10 milionë lekë, do të quhet mikronjësi. Këto kritere duhet të plotësohen për dy vitet e fundit.
Bizneset të pa informuar për legjislacionin fiskal
Bizneset e pakicës në vend duhet të përmirësojnë cilësinë e shërbimit. Ekspertë financiarë në vend thonë se tregtarët e pakicës duhet të aplikojnë praktika shërbimi që vënë në qendër klientin, duke paraprirë kërkesat e blerësve. Sipas Adriana Berberit, eksperte finance, është e domosdoshme të përmirësohet performanca e përgjithshme e tregut dhe është e nevojshme që bizneset të kenë një informacion më të gjerë mbi legjislacionin fiskal. Sipas Berberit, biznesi i pakicës në vend duhet të informohet mbi modelet dhe praktikat me të reja të shërbimit të cilat do të sjellin rritje të të ardhurave dhe do të tërheqin partnerë të rinj për biznesin. Sipas ekspertëve, informimi i tregtarëve të pakicës duhet të fillojë që mbi mënyrat e pozicionimit të produkteve, e për të kaluar në çështje të tjera marketingu. Qëndrimet e tyre u dhanë gjatë një konference në kuadër të krijimit të Akademisë së Biznesit, nga JTI, ku nuk munguan edhe ekspertë të njohur. Në këtë akademi u fol për mundësinë e përmirësimit të biznesit dhe rritjen e të ardhurave, cilësi të lartë shërbimi etj.
Tatimet pajisen me dy institucione te reja për rritjen e transparencës në sistemin fiskal
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje ngritjen e dy institucioneve të reja që do ti bashkëngjiten Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe që janë, Avokati i Tatimpaguesve dhe Këshilli Konsultativ Tatimor. Drejtorja e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Arjana Dyrmyshi, gjatë fjalës së mbajtur në këtë komision tha se këto dy institucione ngrihen në kuadrin e reformave të financuara nga Pragu i Mijëvjeçarit, si dy institucione shumë të rëndësishme për rritjen e transparencës në sistemin fiskal, modernizimin e këtij sistemi, shlyerjen vullnetare të detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit, por edhe shlyerjen e detyrimeve të shtetit ndaj tyre. “Krijimi i strukturës së Avokatit të Tatimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të jetë si një strukturë për përcjelljen e informacionit eficent dhe për trajtimin e gjithë problematikave që has sot tatimpaguesi në raportet me administratën tatimore, vonesat e paarsyeshme, zgjidhje jo të drejtë. Do të jetë pikërisht avokati i tatimpaguesve një strukturë e cila do të marrë këto shqetësime, këto problematika që has tatimpaguesi për ta përcjellë dhe për ta zgjidhur në mënyrë e duhur brenda strukturave të tatimeve”,- tha Arjana Dyrmishi, Drejtore e Politikave Fiskale në MF-ë. Këshilli konsultativ për tatimpaguesit do të funksionojë në MF-ë dhe do të dominohet në pjesëmarrje nga përfaqësues të biznesit. Ai do të merret me procedurat dhe aspektet e zbatimit të ligjeve fiskale. “Synimi i krijimit të këtij këshilli ka të bëjë me krijimin e një strukture në MF-ë që do të shërbejë si një urë lidhëse midis institucionit të Financave, DPT-së dhe Komunitetit të Biznesit për të marrë të gjitha problematikat e tyre”,- tha Dyrmishi. Si për avokatin e tatimpaguesve ashtu edhe për këshillin konsultativ atributet e punës i cakton Këshilli i Ministrave. Funksionimi i këtyre dy institucioneve pritet të nisë menjëherë pas miratimit të ligjeve përkatëse të tyre në Kuvend.
"ALBpetrol" gati për privatizim, nis shlyerjen e detyrimeve
Kompania publike e nxjerrjes së naftës "ALBpetrol" ka shlyer detyrimet që kishte ndaj shtetit, para se të hynte në proces privatizimi. Kështu nga 7.3 miliardë lekë dëme dhe borxhe të evidentuara në vitin 2009, janë shlyer rreth 3.6 miliardë lekë, nga të cilat 2 miliardë janë shlyer nga vet kompania. Kjo e fundit, pritet të privatizohet brenda këtij viti. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, Dritan Prifti, tha pak muaj më parë se është ngritur një grup pune për të filluar procesin e privatizimit të kompanisë "ALBpetrol". "Grupi i punës do të përcaktojë formën e privatizimit të kësaj kompanie, si dhe termat e referencës dhe kushtet për privatizimin e saj",- deklaroi ministri Prifti, i cili nuk përjashtoi as pjesëmarrjen e kompanive shqiptare në këtë proces, nëse ato plotësojnë kushtet dhe termat e referencës. Prifti shtoi se procesi i privatizimit do të kryhet brenda një periudhe 6 deri në 8-mujore dhe se do të përzgjidhet një konsulent ndërkombëtar, që do të këshillojë qeverinë për mënyrën e privatizimit, ndryshimet ligjore dhe rregullatore që duhen bërë në këtë proces, por edhe për termat e referencës, për të hapur pastaj tenderin për privatizimin e "ALBpetrol"-it. "Ne synojmë një fitim maksimal nga privatizimi, ashtu sikurse edhe do të zgjedhim kompaninë, e cila do të ofroje investimet më të mëdha",- vijoi Prifti, ndërsa shtoi se një tjetër kusht për privatizimin e kësaj kompanie, që do të vendoset nga qeveria shqiptare, është edhe moslargimi i fuqisë punëtore nga puna, me privatizimin e kompanisë.
Elbasan, rruga e Gjinarit mbetet përgjysmë, ndërpriten punimet
Rruga turistike e Gjinarit në rrethin e Elbasanit duket se nuk ka gjasa të përfundojë, as këtë vit. E nisur par fushatës elektorale të vitit të kaluar, aty ku nuk janë prerë pyjet e Bukanikut turistik, ky aks rrugor është bllokuar për mungesë fondesh. Në shkurt të vitit të kaluar kreu i qeverisë është ngjitur deri lart në Gjinarin turistik, dhe deklaroi se “rruga e re që lidh Elbasanin me Gjinarin do t’i japë kësaj zone turistike të tjera vlera, ndërsa ekonomisë vendore tjetër progres, sikurse do të tërheqë turistë vendas e të huaj”. Në fakt, dy javë para se Berisha të ngjitej në Gjinar, 22 kilometra larg Elbasanit, firmat fituese të tenderit kishin nisur rikonstruksionin e rrugës me paratë e shtetit, rreth 400 milionë lekë. Në projekt përfshihet zgjerimi i shtratit të rrugës, vepra arti dhe asfaltim, me dy korsi. Pas mbarimit të fazës së parë, zgjerimi dhe mbushja me gjatësi 22 km, firmat prisnin çeljen e fondit për vijimin e punës, por disbursimi po vonon. Ka më se dy javë që janë bllokuar punimet në tërë gjatësinë e këtij aksi malor. Madje, firmat kanë tërhequr makineritë e rënda, rreth dy javë më parë, duke u justifikuar se “nuk punohet për shkak të rrëshqitjeve”.
31 Mars 2010