E Diel, 1 Nëntor 2026

I dënuar në Itali për prostitucion, punonte gardian burgu në Peqin

SKANDALI/ Policia arreston 44-vjeçarin Dritan Maçi, i cili ishte dënuar me 8 vjet heqje lirie për shfrytëzim prostitucioni në Itali


PEQIN - Në shtetin italian ishte dënuar me 8 vjet heqje lirie për trafikim të të miturve, shfrytëzim prostitucioni, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, por ndërkohë në Shqipëri punonte si polic shërbimi në Burgun e Peqinit. Dje policia e Elbasanit ka vënë në pranga 44-vjeçarin Dritan Maçi pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit për masën e sigurisë "arrest në burg".


Mësohet se arrestimi i tij është kryer në mesditë, ndërkohë që prej shumë vitesh ai punonte si gardian burgu. Veprat për të cilat ai ishte deklaruar fajtor nga gjykata italiane janë vërtet të rënda, ndërkohë që ka nisur hetimet lidhur me mënyrën se si i dënuari me 8 vjet burg kishte mundur të fillonte punë në Burgun e Peqinit


Mesditën e së martës nga ana e sektorit kundër krimit ndaj personit është bërë e mundur kapja e e shtetasit Dritan Maçi, 44 vjeç, lindur e banues në lagjen Teqe të qytetit të Peqinit.


Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Elbasan, Maçi është ndaluar me vendim të Gjykatës së Elbasanit, pasi trupi gjykues ka vendosur për të masën "arrest me burg".


Masa ka ardhur pas njohjes së një vendimi penal të huaj. Dritan Maçi rezulton i dënuar me 8 vjet heqje lirie për veprat penale "trafikim të të miturve", "shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese" dhe "marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura", të cilat parashikohen nga nenet 128/b, 114/a, pika 1 dhe 101/1 të Kodit Penal të Shqipërisë.


Sipas informacionit të përcjellë, shtetasi 44-vjeçar i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet në kohën kur ka qëndruar në shtetin italian në vitet 1999-2001. Me një vendim të Gjykatës së Viçencës ai është dënuar me 8 vjet heqje lirie.


Vendimi i gjykatës ka marrë formën e prerë më 23 shtator të vitit 2003 kur mendohet se personi i akuzuar ka ardhur në Shqipëri.


Sipas gjykatës, njohja e vendimit bëhet pasi veprat penale për të cilat akuzohet ai parashikohen nga të dyja kodet penale të dy shteteve fqinje dhe ka marrë formë të prerë.


Prej disa kohësh Maçi punonte si punonjës i policisë së shërbimit në I.EV.P Peqin. Nga ana e policisë në bashkëpunim me prokurorinë është marrë gjithashtu në dorë dokumentacioni me të cilin është pranuar si punonjës dhe po verifikohen të gjitha dokumentet që ai ka paraqitur.


Mësohet se ai ka qenë i shpallur në kërkim në shtetin italian, por nuk kishte informacione të mjaftueshme nga policia dhe gjykatat shqiptare. Gjithsesi mësohet se kjo çështje është në hetim të imtësishëm nëse ka persona që e kanë favorizuar për punësimin e tij në një institucion ku kërkohet dëshmi penaliteti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›