Furgoni i bankës përplas 23-vjeçarin me motor (OK)
FIER - Një 23-vjeçar, teksa po shkonte në punë me motoçikletën e tij, është aksidentuar rëndë mëngjesin e djeshëm nga përplasja me një furgon, i cili transportonte lekët e një prej filialeve të një banke private operuese në Fier. Aksidenti ka ndodhur në rrugën Fier- Ballsh, 3 kilometra larg qendrës së qytetit, në afërsi të vendit të quajtur Kthesa e Portëzës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se 23-vjeçari Aurel Elezi ishte duke udhëtuar me motoçikletën e tij pa targa për në drejtim të punës, një pikë servisi automjetesh. Rreth orës 07:00, Elezi ka dalë nga rrugica e fshatit ku jeton prej disa vitesh dhe ka tentuar të hyjë në rrugën kombëtare Fier-Ballsh. Duke mos qenë i vëmendshëm për të parë rrugën në të dy drejtimet, motoçikleta që drejtonte 23-vjeçari ka tentuar të hyjë në aksin kombëtar, por është përplasur fort nga një furgon i markës “Ford”, me targa FR 1581 D, i drejtuar nga Luan Saliaj. Si pasojë e përplasjes, motoçikleta është hedhur në një lartësi prej afro 10 metrash, ndërkohë që drejtuesi i saj Aurel Elezi është plagosur mjaft rëndë. Mësohet se Luan Saliaj, një ish-efektiv i Policisë Rrugore në Komisariatin e Fierit, ka marrë me automjete të rastit të plagosurin 23-vjeçar dhe e ka çuar atë në Spitalin e Fierit. Policia ka ndaluar 45-vjeçarin Luan Saliaj në mjediset e Spitalit të Fierit, ku ai priste për t’u informuar për shëndetin e të aksidentuarit. Në lidhje me këtë çështje kanë nisur hetimet, ndërsa i lënduari ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Ndërtimorët prishin 20 objekte pa leje në qytetin e Shkodrës (OK)
SHKODËR - Të paktën 20 ndërtime pa leje, në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi”, në qytetin e Shkodrës, janë prishur dje nga Inspektorati i Ndërtimit pranë Bashkisë së këtij qyteti. Shefi i këtij Inspektorati, Roland Çomo, tha se shembja e këtyre ndërtimeve, kryesisht mure rrethuese të banesave private dhe objekte që shërbenin si njësi tregtimi, u bë në bazë të një urdhri të sektorit të Urbanistikës të Bashkisë së Shkodrës. "Në këtë aks rrugor së shpejti do të fillojnë punimet për rikonstruksionin total të tij falë një investimi prej 30 milionë lekësh të Bashkisë Shkodër, i planifikuar për t’u realizuar në tremujorin e parë të këtij viti", - tha ai Sipas drejtorit Çomo, nga ana e pronarëve të këtyre ndërtimeve nuk ka pasur reagim, kjo dhe për faktin se në ditët e mëparshme inspektorët e Bashkisë kishin kryer bisedimet përkatëse me komunitetin e kësaj zone. Gjatë vitit të kaluar, Bashkia e Shkodrës ka prishur rreth 100 ndërtime pa leje, kryesisht në ato zona ku janë kryer punime për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.
14 Janar 2009