E Diel, 1 Nëntor 2026

Mospagesa e faturave, u priten dritat 60 familjeve debitore



VLORË – OSSH-ja ka nisur prej disa ditësh në qytetin e Vlorës një aksion për ndëshkimin e debitorëve të energjisë elektrike dhe rritjen e arkëtimeve. Drejtori i njësisë së OSSH-së për Vlorën, Dhimitër Kovi, tha se vetëm gjatë 10 ditëve të fundit është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për rreth 60 konsumatorë familjarë dhe subjekte private, ndërkohë që veprimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Sipas Kovit, OSSH-ja po zbaton një program masash për përmirësimin e treguesve në furnizimin me energji elektrike dhe rritjen e arkëtimeve, ku përfshihen edhe ndërprerja e furnizimit dhe sanksione të tjera administrative. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, deri në fund të vitit të kaluar u aplikua mospagimi i kamatëvonesave për detyrimet e prapambetura për 2008-n, lehtësi e cila tashmë është hequr. Në sportelet e OSSH-së ofrohet shërbim i pandërprerë për qytetarët dhe sportelet funksionojnë edhe në fundjavë. Në qytetin e Vlorës numërohen gjithsej 31 mijë abonentë, ndërkohë që në të gjithë rrethin llogariten rreth 60 mijë të tillë.

Vjedhja e shkollës, policia mohon dhunën e ushtruar ndaj të miturve

PËRMET – Policia nuk ka ushtruar dhunë ndaj të miturve në lidhje me grabitjen e mjediseve të shkollës në Përmet. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se më 11 janar është vjedhur me thyerje sekretaria e shkollës së mesme “Sami Frashëri” dhe për këtë, disa shtetas, të shoqëruar nga policia si të dyshuar, pretendojnë së është ushtruar dhunë mbi ta. Sipas tyre, grupi hetimor shkoi në vendngjarje dhe dy ditë më parë konstatoi se në sekretarinë e shkollës së mesme ishte vjedhur një kompjuter me printer dhe një sasi prej 3 800 lekësh të rinj. Ekspertët mblodhën dëshmitë dhe provat në vendngjarje dhe u arrit në konkluzionin se autorët e dyshuar mund të jenë nxënës të kësaj shkolle. “Në bashkëpunim me stafin pedagogjik të shkollës u bë shoqërimi i disa nxënësve në ambientet e Komisariatit të Përmetit”, - pohoi dje zëdhënësi i Policisë së Qarkut, Gentian Mullai. Sipas tij, janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë, me precedentë penale, ish-nxënës të kësaj shkolle.
“Të gjithë personat e shoqëruar ishin të moshës 17- 20 vjeç, ndërsa një nxënës i shkollës 9-vjeçare është shoqëruar së bashku me prindërit e tij dhe është pyetur në praninë e prindërve”, - tha Mullai. Ai ka mohuar të jetë ushtruar dhunë, ndërkohë që disa prej të ndaluarve kanë pretenduar se forcat e rendit kanë reaguar ashpër gjatë momenteve të shoqërimit dhe hetimit për zbardhjen e ngjarjes.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›