Furgoni përplaset me veturën, shpëtojnë 12 vetë
KLOS - Në orët e paradites së djeshme është regjistruar një aksident i rëndë automobilistik në aksin Burrel-Klos, në vendin e quajtur Ura e Shulbatrës. Dy mjete janë përplasur me njëri-tjetrin, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë Dibër bënë të ditur se Qazim Kolgjini, nënkolonel në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, i cili drejtonte mjetin me targa italiane TR 282381, tip “Ford Fiesta” është përplasur me një furgon të Dibrës që transportonte udhëtarë nga Tirana në drejtim të Peshkopisë. Mjeti me targa të huaja ka dalë në korsinë e furgonit me targë DI 418 A, duke e dërguar atë në kanal, bashkë me 8 udhëtarët. Policia Rrugore tha se mjeti që drejtohej nga ushtaraku ishte me shpejtësi dhe i kishte zënë rrugën furgonit të pasagjerëve. Nga 8 udhëtarët e furgonit dhe 4 pjesëtarëve të familjes Kolgjini është lënduar lehtë vetëm një fëmijë 5-vjeçar. Policia Rrugore njoftoi se po kryente të gjitha procedurat ligjore për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe ndëshkimin e autorit të tij. h.p