E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët, tre persona vdesin

 

KORÇE/SHKODER/FIER

Tre të vdekur në rrugët e vendit brenda një dite. Aksidente të rënda u regjistruan të dielën, të provokuara nga pakujdesia, shpejtësia apo lagështira në rrugë, si pasojë e reshjeve të rëna. Një 41-vjeçar ndërroi jetë, pasi makina ku udhëtonte me familjen e tij doli nga rruga në superstradën Kapshticë-Korçë. Aleksandër Blaceri, me të shoqen, nënën dhe dy fëmijët po kthehej nga Greqia për të mbërritur në vendlindje, në Pogradec. Por, papritur mjeti ka rrëshqitur në asfalt, në një kthesë, duke dëmtuar dhe bordurën mbrojtëse e më pas ka përfunduar, duke u rrotulluar disa herë poshtë rrugës nacionale. Drejtues mjetesh të rastit e pak çaste më vonë edhe punonjës të policisë që shkuan për ndihmë, konstatuan se Aleksandri kishte mbetur i vdekur në vend, ndërsa bashkëshortja e tij kishte marrë plagë të shumta në të gjithë trupin. Lëndime më të lehta kishin dy djemtë e çiftit Blaceri, 11 dhe 17 vjeç si dhe nëna e shoferit, të cilët udhëtonin të ulur në sediljen e pasme të autoveturës. Gryka e Kapshticës, ku ndodhi aksidenti tragjik është vetëm 2 kilometra larg doganës. Sipas burimeve policore, aksidenti ndodhi rreth orës 02:00 dhe përveç lagështirës mbi asfalt mendohet se negativisht ka ndikuar edhe lodhja e drejtuesit të mjetit. Ai pasi kishte punuar një ditë më parë ishte nisur për rrugë dhe pas orë të tëra drejtimi të mjetit arriti në vendin tonë. Policia e Qarkullimit Rrugor ka bërë të ditur se në këtë vend dje pa zbardhur dita ndodhën edhe dy aksidente të tjera, rrëshqitën dy mjete, por fatmirësisht pa të vrarë e të plagosur. Ata pësuan vetëm dëme materiale. Mësohet se prej policisë kjo kthesë konsiderohet mjaft problematike, dhe pikërisht këtu herë pas here ndodhin aksidente të shumta.
Dy persona që udhëtonin me biçikletë ishin viktimat e radhës në Shkodër e Divjakë. Në qytetin verior, 63-vjeçari Angjelin Shllaku u aksidentua rëndë paraditen e djeshme, ndërsa qarkullonte me biçikletë në lagjen “Liria”, në hyrje të Shkodrës. Papritur ai u përplas nga një makinë tip “Benz”, me targë të Shkodrës, e cila drejtohej nga 55-vjeçari Fatmir Shala. Shllaku u dërgua në spitalin e qytetit me plagë të rënda, por disa orë më vonë, ai ndërroi jetë. Policia bëri shoqërimin e drejtuesit të mjetit, deri në zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Një tjetër person që udhëtonte me biçikletë humbi jetën rreth orës 11:30 në aksin rrugor Çermë-Divjakë. Një fuoristradë me targë LU 18-29 C që drejtohej nga Artan Lamaj ka përplasur në pjesën e përparme të mjetit shtetasin Engjëll Dalipi, 55 vjeç nga fshati Zhamë Sektor. Viktima ka tentuar të kalojë rrugën, por drejtuesi i mjetit nuk ka mundur të shmangë goditjen. Pas kësaj Policia e Shtetit ka kryer ndalimin e drejtuesit të mjetit, si dhe ka bllokuar automjetin e tij. Ky është aksidenti i tretë që ndodh në rrethin e Lushnjës, dy prej të cilëve me plagosjen e tre personave dhe një me vdekje. Aksi rrugor në fjalë është shumë i populluar, pasi zona ka një numër të madh biznesesh dhe këmbësorët kësisoj janë të shumtë.                   j.gj/r.d/m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›