Transferohet nga Burgu i Burrelit drejt Korçës i dënuari për vrasje
BURREL - Është transferuar dy ditë më parë nga Burgu i Sigurisë së Lartë Burrel, Luftar Reçi, i dënuar nga drejtësia shqiptare me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes me paramendim. Burime zyrtare sqarojnë se Luftar Reçi kohë më parë ka dërguar në drejtorinë e burgut një kërkesë ku kërkon transferimin e tij në burgun e sigurisë së lartë Korçë. “Meqenëse familja ime është vendosur me shtëpi në qytetin e Korçës dhe ardhja deri në qytetin e Burrelit për të më takuar është e vështirë, jeni të lutur të miratoni kërkesën time për t’u transferuar në Burgun e Korçës”. Kërkesa e Reçit është miratuar pa shumë probleme nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve, duke zgjidhur njëkohësisht dy kërkesa kontradiktore, atë të gardianëve që kërkonin largimin e tij nga Burgu i Burrelit dhe kërkesën e Reçit që kërkonte të ishte “pranë familjes”. Prej kohësh, ndaj Reçit kishin shfaqur pakënaqësi dhe gardianët e burgut për shkak të sjelljeve të tij. Sipas burimeve nga burgu, në ambientet e tij ishin krijuar incidente me të dënuar të tij, kryesisht me ata nga rrethi i Dibrës, të cilët kishin lidhje me viktimën Maksim Lala, i ekzekutuar nga Reçi. Ajrimi dhe veprimet e tjera të Reçit kryheshin në kushte më të larta sigurie sesa të burgosurit e tjerë, për të shmangur përplasjet e paralajmëruara. Po ashtu, nuk përjashtohet dhe largimi i tij me “porosi nga lart”. Pak kohë më parë, në burgun e sigurisë së lartë mbërritën drejtues të Policisë Kriminale, të cilët mendohet se e kanë marrë në pyetje Luftar Reçin në lidhje me ngjarje të tjera kriminale, si trafiqe e vrasje të mbetura ende enigmë. Vetë Luftar Reçi është dënuar me 25 vjet heqje lirie nga Gjykata e Faktit në Mat, për akuzën e vrasjes dhe djegies së kufomës së Maksim Lalës 4 vjet më parë. Në asnjë seancë Reçi nuk e ka pranuar krimin, por sipas prokurorisë dhe gjykatës provat ishin të mjaftueshme për të fajësuar për krimin e rëndë të arrestuarin. Ndërkohë ditë më parë në burgun e Burrelit janë sistemuar 10 të dënuar nga burgu i Shënkollit, të cilët vazhdojnë të jenë problematikë me sjelljet e tyre aspak normale. h.p