E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furgoni rrëzohet në Valbonë,humbin jetën burrë e grua



TROPOJE - Burrë e grua humbin jetën në ujërat e lumit të Valbonës. Ngjarja tragjike u shënua pasditen e djeshme, në afërsi të vendit të quajtur "Ura e Valbonës", në Tropojë. Mësohet se Sali Kurmetaj, 49 vjeç dhe e shoqja 38-vjeçare, Fatmira, banorë të fshatit Degë, po udhëtonin nga Sopoti drejt qytetit të Bajram Currit, me një furgon udhëtarësh. Rreth orës 17:00, udhëtimi i tyre është ndërprerë papritur për shkak të aksidentit automobilistik. Nga të dhënat e para dyshohet se rruga tejet e amortizuar dhe një lëvizje e gabuar e drejtuesit të mjetit furgon me targë TR 5502 të ketë provokuar daljen nga aksi rrugor. Makina ka rrëshqitur në një greminë rreth 100 metra, për të përfunduar direkt e në ujërat e lumit. Sapo ka marrë njoftimin, policia e Tropojës dhe ekspertë të policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes. Ata kanë arritur të gjejnë mjetin dhe dy viktimat, pa asnjë shenjë jete. Fillimisht u dyshua se në furgon ndodheshin dhe persona të tjerë, por deri në mbrëmje nuk u provua një gjë e tillë, pasi nuk kishte as njoftime familjarësh. Aksidenti ndodhi rreth 3 km pa hyrë në qytetin e Tropojës. Forcat e policisë në vend po punojnë për të nxjerrë mjetin në rrugë dhe për të verifikuar dyshimet nëse ka pasur njerëz të tjerë në mjet. Gjatë orëve të mbrëmjes janë marrë në pyetje dhe të afërm të dy viktimave, në lidhje me destinacionin e tyre dhe mundësinë e marrjes ose jo të pasagjerëve në makinë. Për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë, puna në vendngjarje ka qenë e rëndë për forcat e policisë. Sipas tyre, ekspertiza që do të kryhet mbi mjetin do të nxjerrë dhe shkaqet e sakta të aksidentit, nëse ka pësuar ndonjë defekt apo manovrimi i gabuar në një rrugë të dëmtuar ka shkaktuar aksidentin fatal. Zona ku ndodhi aksidenti është tepër problematike, për shkak të mungesës së investimit. j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›