Idrizi: Ikja nga Kuvendi s’i bllokonte dot varrezat greke
erald kapri
Në një intervistë për gazetën "Panorama", kryetari dhe deputeti i Partisë për Drejtësi e Unitet Shpëtim Idrizi flet për marrëveshjen e miratuar në Kuvend për varrezat e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri. Idrizi shprehet se dy deputetët e PDU-së do të ishin larguar nga salla e Kuvendit në momentin e votimit të kësaj marrëveshje për të ndaluar miratimin e saj, por sipas tij një gjë e tillë nuk u bë pasi në sallë ishin në pranishëm 73 deputetë. "Nëse në sallë do të ishin të pranishëm 72 deputetë dhe jo 73 siç konfirmohet nga procesverbali i seancës, ne do të ishim tërhequr për ta bllokuar marrëveshjen", thotë Idrizi. Kreu u PDU-së flet edhe për ngjarjet e fundit si dhe për çështjen çame.
Zoti Idrizi, një pjesë e komentatorëve e kanë konsideruar votimin tuaj kundër në seancën e para një jave, për marrëveshjen mbi varrezat greke si votim propagandistik. Nëse ju do tërhiqeshit nga salla, ajo do të bllokohej për mungesë kuorumi prej 71 vetësh. D.m.th ju thjesht luani politikisht...
Më vjen mirë që ma bëtë këtë pyetje. Ka kaluar një javë nga miratimi i marrëveshjes për vendprehjen e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës së dytë botërore. Kjo temë vazhdon të turbullojë shpirtrat e trazuara që s'kanë gjetur prehje prej 60 vjetësh. Vazhdon të shqetësojë viktimat e një lufte mizore, ku shpesh ata që sot konsiderohen si çlirimtarë, kryen krime të tmerrshme mbi civilë të pambrojtur, gra, pleq dhe fëmijë. Këto viktima kërkojnë drejtësi dhe sot. Drejtësia nuk vdes, nëse nuk përmbushet, nëse nuk realizohet.
Le të kthehemi tek votimi. Nëse në sallë do të ishin të pranishëm 72 deputetë dhe jo 73 siç konfirmohet nga procesverbali i seancës, ne do të ishim tërhequr për ta bllokuar marrëveshjen. Derisa të pranohej ngritja e një varreze apo obelisku për gratë dhe fëmijët çamë, për partizanët çamë antifashistë të rënë për çlirimin e Greqisë! Askush s'duhet të ketë dyshim për këtë se ne vazhdimisht do të kërkojmë këtë nderim për të rënët tanë. E bëj këtë sqarim, për të gjithë ata që me hile duan të akreditojnë tezën se ne me fjalimin tonë, me votimin tonë, thjesht bëmë propagandë, por s'donim të bllokonim marrëveshjen. Këtyre njerëzve, i drejtohem duke i ftuar të verifikojnë listë prezencën e Kuvendit në atë seancë.
Ndërkohë, do doja të komunikoja me disa komentatorë që i ftoj të njihen më shumë me çështjen çame, për të kuptuar arsyet e qëndrimeve tona, e votimeve tona. Në këto aksione publike ndoshta mund të dukemi të vetmuar, por kjo s'do të thotë se kauza jonë është me natyrë propagandistike. Ne s'duam të jemi të vetëm në forume publike, përkundrazi. E vërteta është se do të doja të kishte dhe kolegë të tjerë si ne që të bënin thirrje për drejtësi, themel i reciprocitetit. Por dua të sqaroj edhe njëherë se ne, PDU-ja jemi dhe duam të jemi akoma më shumë zëri parlamentar i atyre qindra dhe mijëra shqiptarëve, të rinj dhe të vjetër, të shoqërisë civile dhe të pa organizuarve që duan drejtësi! Krenarë që janë shqiptarë! Që sa herë ndihen të cenuar në dinjitetin kombëtar, ngrihen dhe protestojnë.
E keni fjalën për ata që bënë manifestime në disa qytete të Shqipërisë dhe në Kosovë. Ama në ato manifestime u dogjën flamuj grekë...
E vlerësoj ndjeshmërinë e gjithë atyre që dolën në manifestime, por më duhet të them se djegia e flamujve që u vu re në ndonjë manifestim ishte një akt i tepruar. Do doja t'u them këtyre individëve, se akte si këto nuk i shërbejnë shërimit të dinjitetit tonë të cenuar. Ato i shërbejnë më së shumti atyre regjisorëve grekë që do të donin të neutralizonin turpin e veshur me rroba ushtarake që toleruan apo duartrokitën prej Luftës së parë botërore, me një turp gjasme të kryer nga shqiptarët. Ne përfaqësuesit e komunitetit çam nuk i pranojmë këto akte, por do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi sipas konventave evropiane të miratuara pikërisht në fund të luftës së dytë për të frenuar krimet monstruoze të atij konflikti të përgjakshëm.
Megjithatë duket sikur ju në ligjërimin tuaj politik flisni më shumë për të shkuarën. Pse duhet të mos shikojmë përpara për marrëdhënie më të mira me grekët?
E di që dikush mund të thotë se ajo që ka ndodhur në të kaluarën duhet të harrohet, si një ëndërr e keqe. Edhe sikur të donim të harronim, disa akte të tjera që pasuan dhuratën tonë bujare me legalizimin e varrezave të ndërtuara pa leje, na sollën përsëri në kujtesë të shkuarën e hidhur. Marshi kriminal i një grupi ushtarakësh grekë në paradën me rastin e çlirimit të Greqisë, ngjalli reagime të ligjshme edhe tek të rinjtë që kudo në Veri apo në jug, u ndien të fyer në dinjitetin kombëtar. Ata ushtarë që çirreshin, e kanë mësuar këngën e turpshme brez pas brezi që nga lufta e parë botërore. Komandantët e tyre në stafetë me njeri tjetrin i kanë lejuar dhe i kanë inkurajuar deri në shekullin e 21-të thirrjet e tyre për gjak.
Drama e sotme që vjen nga Greqia nuk kishte protagonistë veç marinarët, por dhe civilët. Ne pamë akoma manifestime të të ashtuquajturve organizata vorio-epirote që celebrojnë krimet e tmerrshme të viteve të luftës së parë botërore në fshatrat e qytetet e jugut të Shqipërisë, në Hormovë, Kosinë,Përmet, Këlcyrë,etj krime që "legalizuan" krijimin e Vorio Epirit". Britmat e egra u duartrokitën nga banorë të një shteti evropian, u muzikalizuan nga Banda e Bashkisë së Athinës. Silogjet e Vorio Epirit, që pala greke ishte zotuar t'i shpërndante prej një kohe të gjatë, po shfaqen më të zëshëm.
E keqja që pamë brenda një jave, si në një shfaqje të shëmtuar, i ka rrënjët e thella në të shkuarën. Këto rrënjë duhen shkulur për të ndërtuar të ardhmen e marrëdhënieve tona të partneritetit strategjik!
Si ju dukën reagimet e autoriteteve tona dhe atyre greke në lidhje me ngjarjen?
Ne pamë reagime korrekte të shtetit fqinjë. Për herë të parë në këto 20 vjet kancelaria e majtë e këtij vendi, e njohur për prirje pozitive në marrëdhëniet me ne, kërkoi ndjesë. Turpi ishte aq i madh sa nuk mund të kalohej ndryshe. Ne e vlerësojmë kërkesën e ndjesës, por çmontimi i së shkuarës nëpërmjet vendosjes së drejtësisë, është një proces që nuk shterohet me një akt të vetëm. Kur unë them se çrrënjosja e së shkuarës është proces, siç shkruante dhe gazetari i njohur grek Stavros Xhimas, dua të them se e keqja luftohet me drejtësi. Drejtësia vendoset apo imponohet me reciprocitet në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ne vlerësuam reagimin e Presidentit tonë të Republikës, të ministrit tonë të Jashtëm. Por ne do të donim jetësimin e diçkaje më të qëndrueshme, më afatgjatë. Ne do të donim reciprocitet në marrëdhëniet me fqinjët, për të shlyer sadopak borxhin e rëndë që na kanë. Reciprociteti do të prodhojë drejtësi. Drejtësia është ilaç për shpirtrat e plagosur.
Nga foltorja e Parlamentit, nga forumet mediatike, unë, vetëm dhe tok me të tjerë, do vazhdoj të bëj thirrje për reciprocitet në marrëdhëniet me fqinjët. Reciprociteti ka në themel drejtësinë. Nëse do të kërkojmë reciprocitet, do të na respektojnë më shumë. Dhe shpirtrat e plagosur nga padrejtësia do të qetësohen.