E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ringrihet Forumi i Gruas së PS



Durrës/Oerd Ulqini

Kreu i PS ka startuar dje nga Durrësi ringritjen e forumit të gruas socialiste. "Ne, gratë e majta dhe vizioni ynë politik", ishte slogani i nismës së disa deputeteve socialiste, që do të vazhdojë dhe në qytetet e tjera të vendit për të mbledhur rreth vetes gratë jashtë dhe brenda PS, për të kontribuar për kauzën e majtë. Forumi mblodhi në Durrës kryesocialistin Edi Rama, deputetë të Qarkut të Durrësit dhe të Tiranës, përfaqësues të klasës së biznesit, gra socialiste, akademikë si dhe militantë nga zonat e Fierit, Durrësit, Lushnjes etj. Paneli kryesohej nga Edi Rama, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, deputetet Enkeleda Shkreli, Klodiana Spahiu etj. Duke shprehur filozofinë e tij rreth forumit të gruas së majtë, Rama tha në fjalën e tij në mënyrë të detajuar se si do të ringrihet forumi, i cili ka vite që është inekzistent. "Ky takim është një forum ku do të hapet një diskutim për një vizion. Një vizion, i cili do t'i paraprijë, siç e thashë formësimit, apo riformësimit të organizatës të grave socialiste dhe progresiste, një organizatë që siç kemi folur me shumë nga shoqet dhe koleget tona duhet të rimendojë vetveten dhe duhet të ristartojë duke marrë në konsideratë domosdoshmërinë për të qenë një forum i hapur. Një forum pa kufij partiakë, një forum që do t'u mundësojë grave dhe vajzave në çdo qytet dhe në çdo komunë të vendit pjesëmarrjen në debate të domosdoshme, për përmirësimin e kushteve, për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave shqiptare në jetën shoqërore të komunitetit të tyre dhe të vendit tonë të përbashkët", u shpreh Rama. Kreu socialist ka kërkuar nga vetë gratë të luftojnë fenomenin e mbylljes së grave në shtëpi, duke i lënë ato të paangazhuar në jetën sociale dhe politike. "Ka një proces regresi, i cili i ka mbyllur në shtëpi dhe mbyll në shtëpi dita-ditës shumë nëna të reja. I përball shumë vlera me pamundësinë për të gjetur një punë dhe që i detyron të jetojnë brenda mureve të shtëpisë, që iu vendos vajzave barrierë që i konsideronin të shembura qysh në shekullin e shkuar, që në jo pak raste i kthen ato në objekte të një shfrytëzimi të patolerueshëm për një shoqëri të lirë demokratike", tha Rama. Kryesocialisti nuk ka mohuar historinë e forumit të gruas socialiste, por që sipas tij ka nevojë sot të ndërtohet në përputhje me kushtet e reja. "Forumi ka një histori të veten. E cila, padyshim është një gur i rëndësishëm themeli. Por, si çdo organizëm i gjallë, si çdo organizatë që duhet domosdoshmërish të jetojë me kohën, e ka të nevojshme të rivendoset dhe të riformësohet, duke konsideruar të gjitha ato aspekte të jetës së sotme shoqërore, që janë të reja, me të cilat përballemi, qoftë në kuptimin pozitiv, qoftë në kuptimin negativ; të gjitha ato dukuri që kanë të bëjnë me hapësirat e reja që janë krijuar për gratë dhe vajzat, por që kanë të bëjnë edhe me pengesat e reja që u janë krijuar grave dhe vajzave në jetën e përditshme shqiptare", u shpreh Rama. Kreu i selisë rozë foli gjithashtu dhe për nivelin e përfaqësimit të grave në politikë. "Sot kemi një nivel më të lartë përfaqësimi të gruas në Parlament. Shifra në fakt është dyfishuar, në krahasim me legjislaturën e kaluar, por duhet pjesëmarrje edhe më e lartë e gruas në Parlament. Ky takim ka një të ardhme dhe do të sjellë një produkt shumë pozitiv për të gjithë ne", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›