E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruante ullishtën, gjendet i masakruar

 

FIER - Gjendet i vrarë me mjete të forta 70-vjeçari nga Kuqari i Fierit. Ferit Hoxha kishte shkuar të ruante ullinjtë gjatë natës që të mos ia vidhnin, por të nesërmen u gjet i pajetë në pronat e tij. Policia e Fierit ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë, por gjer në orët e vona të darkës, autori nuk është identifikuar. Ngjarja sipas hetimeve, por edhe dëshmisë së familjarëve të së moshuarit dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës së të enjtes. Rreth orës 22:30, pasi konsumoi darkën, 70-vjeçari, është nisur drejt tokave të tij, në fshatin Kuqar. Fakti që në këtë periudhë ullinjtë vilen, e ka detyruar atë që çdo natë të shkojë për të mbrojtur ullinjtë nga hajdutët. Por, gjatë natës persona ende të paidentifikuar i kanë marrë jetën të moshuarit, duke e goditur me mjete të forta në trup dhe në kokë. Familjarët e tij janë vënë në merak mëngjesin e djeshëm nga vonesa e tij. Ata kanë shkuar për ta kërkuar, por janë ndeshur me pamjen e tmerrshme të kryefamiljarit i cili ndodhej i pajetë dhe thuajse i masakruar. Ata sinjalizuan menjëherë policinë e cila mbërriti në vend për të verifikuar informacionin e dhënë. Nga këqyrja e viktimës rezultoi se mbi trupin e tij kishte shenja të shumta nga dhuna e ushtruar mbi të. Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe mjekët ligjorë, të cilët konstatuan se shenjat ishin shkaktuar nga goditja e trupit dhe kokës me mjete të forta. Sipas burimeve, në dosjen e hapur për këtë ngjarje nuk përjashtohet ndonjë konflikt pronësie. Një pistë tjetër hetimi është edhe vrasja nga ndonjë hajdut i mundshëm, të cilin viktima mund ta ketë gjetur duke vjedhur në ullishtën e tij. Deri në orët e vona të darkës, blutë e Fierit kishin shoqëruar disa bashkëfshatarë të viktimës, por asnjëri prej tyre nuk u ndalua me akuzë konkrete.               m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›